E martë, 29 Shtator, 2026

Zgjedhja e Shabanit si Avokat Populli, Gjykata Kushtetuese rrëzon unanimisht kërkesën e PD: Procesi i rregullt, tërheqja e firmave s’e bllokonte votimin! Shabani: Vendimi i jep përgjigje çdo pikëpyetjeje mbi procedurën zgjedhjes

Share

Gjykata Kushtetuese ka shpallur të ligjshëm emërimin e Endri Shabanit në krye të Avokatit të Popullit, duke rrëzuar në mënyrë unanime kërkesën e 44 deputetëve opozitarë. PD kishte kërkuar që të shpallej antikushtetuese procedura e zgjedhjes së Avokatit të Popullit i cili u votua me 85 vota pro në sencën e 11 dhjetorit 2025, ndërsa një javë më pas u betua mes kaosit të opozitës.

Një nga pretendimet kryesore të PD kundër procedurës për zgjedhjen e Shabanit lidhej me tërheqjen e firmave të deputetëve opozitarë që kishin mbështetur kandidaturën e Shabanit. Por, Kushtetuesja thotë se kushti i 28 firmave ishte plotësuar kur kandidatura u verifikua nga Komisioni i Ligjeve dhe kaloi për votim në seancë plenare. Sipas Gjykatës, tërheqja e mbështetjes pas kësaj faze nuk mund ta bllokonte procesin.

“Ky kusht ishte plotësuar në momentin e verifikimit nga Komisioni i Ligjeve të kandidaturave dhe kalimin e tyre për votim në seancë plenare. Në këtë mënyrë, procesi kishte sjellë pasoja konkrete, ndaj tërheqja e mbështetjes pas kalimit të kësaj faze nuk mund të sjellë më pasoja në procedurën vijuese parlamentare”, thotë Kushtetuesja.

Gjykata rrëzoi edhe pretendimin e opozitës se Shabani nuk plotësonte kriterin kushtetues për të pasur “njohuri dhe veprimtari në fushën e të drejtave të njeriut dhe ligjit”. Kushtetuesja vlerësoi se Kuvendi ka hapësirë për të bërë vlerësimin profesional të kandidatëve dhe se në rastin konkret nuk gjeti shkelje të garancive procedurale.

“Në procedurën e ndjekur nga Kuvendi, Gjykata nuk konstatoi cenim të garancive themelore procedurale apo arbitraritet”, thotë Kushtetuesja.

I pabazuar u cilësua edhe pretendimi për veprimtarinë politike të Shabanit.

“Për sa i përket pretendimit për veprimtarinë politike të ushtruar nga kandidati për Avokat të Popullit, Gjykata konstatoi se, në parim, veprimtaria politike, parashikohet nga Kushtetuta si shkak papajtueshmërie, që ndikon në ushtrimin e funksionit. Në rastin konkret, referuar momentit të betimit të Avokatit të Popullit në Kuvend, Gjykata vlerësoi se pretendimi i kërkuesit është i pabazuar”, vijon Kushtetuesja.

Pretendimet e tjera të opozitës së deputetët do të duhej të mbështesnin vetëm një kandidat, çështjen se si tërhiqet nga rendi i ditës së Kuvend një pikë diskutimi apo votimi, apo faktin se PS nuk respektoi një marrëveshje politike me opozitën sipas së cilës Avokati i Popullit duhet të vijë si kandidat i pakicës parlamentare, Gjykata Kushtetuese nuk i mori fare në shqyrtim pasi sipas saj nuk përbëjnë çështje kushtetuese. Në një reagim, Avokati i Popullit tha se iu dha fund çdo pikëpyetjeje mbi procedurën e zgjedhjes së tij.

NJOFTIM I PLOTË

Në datën 29.09.2026, Gjykata Kushtetuese (Gjykata) mori në shqyrtim në seancë plenare mbi bazë dokumentesh çështjen me kërkues një grup prej 44 deputetësh të Kuvendit të Republikës së Shqipërisë (Kuvendi), në cilësinë e subjektit kushtetues jo më pak se një e pesta e deputetëve (kërkuesi) me objekt verifikimin e zgjedhshmërisë dhe papajtueshmërisë në ushtrimin e funksioneve të Avokatit të Popullit, përfshirë verifikimin e procedurës së zgjedhjes së tij në detyrë, duke e konstatuar në papajtueshmëri me Kushtetutën, si dhe shfuqizimin e vendimit nr. 111/2025, datë 11.12.2025 të Kuvendit “Për zgjedhjen e Avokatit të Popullit”.

Gjykata, bazuar në objektin e kërkesës, si dhe natyrën e thelbin e pretendimeve të parashtruara nga kërkuesi, vuri fillimisht në diskutim çështjen e juridiksionit të saj për shqyrtimin e kësaj çështjeje.

Gjykata, bazuar në përmbajtjen e shkronjës “e” të pikës 1 të nenit 131 të Kushtetutës, vlerësoi, fillimisht, se Avokati i Popullit përfshihet në kategorinë e funksionarëve të organeve të parashikuara në Kushtetutë, sipas kësaj dispozite, për rrjedhojë edhe çështjet që lidhen me zgjedhshmërinë e papajtueshmërinë në ushtrimin e funksionit të Avokatit të Popullit dhe verifikimin e zgjedhjes së tij përfshihen në juridiksionin kushtetues.

Po në këndvështrim të vlerësimit të juridiksionit të saj, Gjykata, pasi mori në shqyrtim pretendimet e ngritura nga kërkuesi, vlerësoi se për: i) nënshkrimet e 28 deputetëve mbështetës në një listë të vetme; ii) mënyrën e zbatimit të rregullit të brendshëm “një deputet mbështet vetëm një kandidat”; iii) interpretimin e nenit 72 të Rregullores të Kuvendit për tërheqjen nga rendi i ditës të projektvendimit për zgjedhjen e Avokatit të Popullit; iv) ekzistencën e marrëveshjes politike mes shumicës dhe pakicës parlamentare sipas së cilës Avokati i Popullit duhet të vijë si kandidat i pakicës parlamentare, nuk ngrenë ndonjë çështje të nivelit kushtetues.

Për sa i përket pretendimeve të tjera të kërkuesit për zgjedhshmërinë e Avokatit të Popullit në kuptim të plotësimit të kritereve kushtetuese dhe për papajtueshmërinë në ushtrimin e funksionit, si dhe për verifikimin e zgjedhjes së tij, Gjykata vlerësoi se bëjnë pjesë në juridiksion kushtetues ndaj u ndal në vlerësimin e tyre në themel.

Në lidhje me pretendimin për mosplotësimin e kushtit të zgjedhshmërisë të parashikuar në pikën 2 të nenit 61 të Kushtetutës, sipas të cilit Avokati i Popullit duhet të ketë “njohuri dhe veprimtari të njohura në fushën e të drejtave të njeriut dhe të ligjit”, si dhe hetimin nga Komisioni i Ligjeve në këtë drejtim, Gjykata arriti në përfundimin se Kuvendi në zgjedhjet brenda procedurave parlamentare që përfshijnë vlerësime profesionale të kandidatëve për funksione kushtetuese gëzon diskrecion me kusht që të respektojë garancitë themelore procedurale dhe që procesi mos të ketë arbitraritet. Bazuar në këtë standard, në rastin konkret, në procedurën e ndjekur nga Kuvendi, Gjykata nuk konstatoi cenim të garancive themelore procedurale apo arbitraritet.

Për sa i përket pretendimit për veprimtarinë politike të ushtruar nga kandidati për Avokat të Popullit, Gjykata konstatoi se, në parim, veprimtaria politike, parashikohet nga Kushtetuta si shkak papajtueshmërie, që ndikon në ushtrimin e funksionit. Në rastin konkret, referuar momentit të betimit të Avokatit të Popullit në Kuvend, Gjykata vlerësoi se pretendimi i kërkuesit është i pabazuar.

Gjykata gjeti të pabazuar edhe pretendimin tjetër të kërkuesit për verifikimin e zgjedhjes së Avokatit të Popullit, për shkak të mungesës së mbështetjes së deputetëve në momentin e votimit të tij në seancë plenare.

Gjykata vëren, fillimisht, se kërkesa për mbështetjen (propozimin) e kandidatëve nga 28 deputetë nuk është një rregull i përcaktuar nga normat kushtetuese, por i parashikuar në Ligjin Organik të Avokatit të Popullit dhe në Rregulloren e Kuvendit. Qëllimi i rregullit procedural për mbështetjen e kandidatëve nga deputetët është të sigurojë efektivitetin e procedurës parlamentare, në funksion të rezultatit të saj dhe nuk është i lidhur me ushtrimin e funksionit ligjvënës nga Kuvendi. Në rastin në shqyrtim, ky kusht ishte plotësuar në momentin e verifikimit nga Komisioni i Ligjeve të kandidaturave dhe kalimin e tyre për votim në seancë plenare. Në këtë mënyrë, procesi kishte sjellë pasoja konkrete, ndaj tërheqja e mbështetjes pas kalimit të kësaj faze nuk mund të sjellë më pasoja në procedurën vijuese parlamentare.

Në përfundim Gjykata njëzëri vendosi rrëzimin e kërkesës.

Vendimi përfundimtar do të shpallet i arsyetuar brenda afateve ligjore të parashikuara nga ligji nr. 8577, datë 10.02.2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë”, i ndryshuar dhe nga Rregullorja për Procedurat Gjyqësore të Gjykatës Kushtetuese.

Reagon Shabani

Endri Shabani ka reaguar pasi Gjykata Kushtetuese ka rrëzuar kërkesën e Partisë Demokratike për të shpallur antikushtetuese zgjedhjen e tij si Avokat i Popullit.

“Avokati i Popullit respekton vendimin e Gjykatës Kushtetuese, e cila, me kërkesë të një grupi deputetësh, verifikoi procedurën e ndjekur nga Kuvendi për zgjedhjen e titullarit të institucionit dhe konstatoi se ajo është në përputhje me Kushtetutën.

Në këtë çështje, Avokati i Popullit ruajti paanshmërinë ndaj kërkuesve dhe Kuvendit duke mos mbajtur qëndrim për themelin e çështjes dhe duke ia besuar vlerësimin tërësisht Gjykatës, së cilës i përket interpretimi përfundimtar i Kushtetutës.

Vendimi i sotëm i jep përgjigje çdo pikëpyetjeje mbi procedurën e zgjedhjes.

Avokati i Popullit vijon punën për mbrojtjen e të drejtave të njeriut”, shprehet Shabani.

Te tjera

Lajme te tjera