Kryeministri Edi Rama, ishte i ftuar në Samitin e Euronews 2026, për të folur për të ardhmen e turizmit, investimet dhe potencialin e Shqipërisë në këtë sektor. Ndërkohë që në Shqipëri po diskutohet roli dhe funksionimi i institucioneve të sigurisë, Rama thotë nga Brukseli se Shqipëria është nja nga vendet më të sigurta në Evropë. Sipas tij, Shqipëria ndodhet në një situatë krejt të ndryshme nga e kaluara dhe se vendi tashmë mund t’i tregojë botës një tjetër fytyrë, përtej stereotipeve. Rama veçoi gjithashtu edhe klimën, gastronominë dhe mikpritjen si elementë që, sipas tij, po ndikojnë në perceptimin e ri për vendin. Rama foli edhe për projektin në zonën e Zvërnecit, duke thënë se Shqipëria po përpiqet të sjellë një prej investimeve më të mëdha në Evropë në sektorin e turizmit. Ai theksoi se interesimi i investitorëve lidhet me hapjen e Shqipërisë dhe me mundësitë që ofron vendi për projekte të mëdha turistike. Sa i përket Jared Kushner, Rama tha se dhëndri i Donald Trump së bashku me kompaninë nga Katari e pa tërheqëse të investonte në Shqipëri. Ai u shpreh se dikutimet për projektet kanë nisur në kohën kur nuk ishte e qartë nëse Donald Trump do të fitonte sërish si president. Rama nuk la pa përmendur as protestat kundër qeverisë, për të cilat tha se fakti që sot në Shqipëri zhvillohen protesta është tregues i ndryshimit të vendit krahasuar me të kaluarën. Ai solli në vëmendje edhe përvojën e tij gjatë protestave të viteve të mëparshme kur nuk ishte në pushtet. Ai pranoi gjithashtu se protestat e fundit e kanë nxitur qeverinë të reflektojë, pasi, sipas tij, në to morën pjesë edhe qytetarë që më parë konsideroheshin mbështetës të saj.
Rama nga Samiti i “Euronews”: Shqipëria ndër më të sigurtat, protestat na detyruan të reflektojmë. Në Zvërnec investimi më i madh turistik në Evropë
Share
Te tjera
