E diel, 3 Maj, 2026

Vrasja e Nezir e Gentian Beqirit në Elbasan, Apeli i GJKKO dënon me burgim të përjetshëm Ardian Çapjan, ekstradohet nga Franca Behar Bajri

Share

Apeli i Gjykatës së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO), ka lënë dje në fuqi vendimin e shkallës së parë, duke dënuar me burgim të përjetshëm Ardjan Çapjan, Florenc Çapjan dhe Olsi Lekun, nën akuzën e vrasjes së Nezir dhe Gentian Beqirit në 15 gusht të vitit 2012. Ndërsa Etjen Cani dhe Klajdi Dokoli u dënuan me nga 25 vite burg. Ndërkohë që bashkëpunëtori i drejtësisë, Ervis Bardhi u dënua me 15 vite burg. Në 19 prill të këtij viti, GJKKO dënoi me burgim të përjetshëm Ardjan dhe Florenc Çapjan dhe Jorgo Lekun. Ndërsa Ardjan Çapja ka deklaruar në Gjykatë se procesi ndaj tij për vrasjen Gentian e Nezir Beqirit në gusht të 2012, është montuar nga Prokuroria e Elbasanit. Sipas tij, prokurori Ritvan Suka që po heton ngjarjen e shkurtit të 2016, ku mbetën të vrarë dy familjar të Çapjas dhe plagosjen e 8 të tjerëve, nuk po e zbardh sepse është përfshirë politika. Po si ndodhi vrasja e Gentian dhe Nezir Beqirit?  Babë e bir u vranë në banesën e tyre, ku Gentian Beqiri allias Ardian Meta ishte në ‘arrest shtëpie’ dhe ruhej me dy policë në derën e shtëpisë, pasi akuzohej si  autor i vrasjes së biznesmenit të njohur Sokol Çapja, ngjarje kjo e ndodhur në dhjetor të vitit 2005, i cili dyshohet se u pagua nga fisi i Çelajve. Vrasja e Gentian Beqirit, është kryer në ambientet e brendshme të banesës së tij, që ndodhet në lagjen “Sporti i vjetër” në Elbasan, ku teksa qëndronte i shtrirë në krevat pasi ishte i paralizuar është qëlluar për vdekje me 7 plumba të një pistolete me silenciator dhe më pas mbytën edhe babanë e tij Nezir Beqiri. Kjo ndodhi ndërkohë që jashtë derës së shtëpisë ruanin dy efektivat e policisë, të cilët u akuzuan më pas për “Shpërdorim detyre”. Të arrestuar për këtë ngjarje janë i penduari dhe bashkëpunëtori i drejtësisë Ervis Bardhi, Olsi Leku, Etjen Cani, Klajdi Dokoli.

Merr fund “arratia” e Behar Bajrit

Nga ana tjetër, autoritetet franceze të drejtësisë i kanë hapur rrugë ekstradimit në Shqipëri të Behar Bajrit, i cili thuhet se ka mbërritur dje në Tiranë në orët e mbrëmjes nën shoqërinë e efektiveve të policisë shqiptare dhe atyre të Francës. Pas ekstradimit, Bajri do të njihet me akuzat në një seancë të posaçme për rivlerësimin e masës së sigurisë arrest në burg, të marrë në mungesë për 5 vepra penale, mes të cilave vrasje, grup kriminal. Ai u arrestua  me 4 shtator në një lokal në Strasburg, pasi ishte shpallur në kërkim në muajin korrik për llogari të dosjes “Metamorfoza”. Menjëherë pas arrestimit SPAK i ka dërguar Ministrisë së Drejtësisë të gjithë praktikën në lidhje me dosjen, në të cilën përfshihen provat konkrete kundër Bajrit dhe veprat penale për të cilat ai akuzohet. Behar Bajri, ka kërkuar azil në Francë që prej vitit 2021, por kërkesa e tij është refuzuar. Ndërkohë kanë qenë autoritetet franceze që disa muaj më parë, bashkë me Blegjikën, i vunë në dispozicion SPAK biseda të Bajrit dhe 15 personave të tjerë në hetim, biseda të dekoduara në aplikacionin SkyEÇ, në të cilat tregohen qartë përgatitjet për vrasjen e Gjin Boriçit në Vau Dejës dhe tentativave për vrasje të Kleanth Musabelliut, Dorian Dulit, Genc Tafilit apo Ibrahim Licit nga këta, asnjë i ekzekutuar. Biznesmeni i dosjes Metamorfoza Pëllumb Gjoka, i arrestuar, ka porositur Bajrin të vrasë Kleanth Musabelliun, por sipas përgjimeve, Behar Bajri bisedoi me Ervis Martinajn, bosin e zhdukur të lojërave të fatit, dhe ndërruan objektivët. Bajri vrau Gjin Boriçin në Vau Dejës ndërsa Martinaj dështoi të ekzekutojë Kleanth Musabelliun, pasi shënjestra kuptoi planin. Në dosjen voluminoze janë të përfshirë edhe ish-kreu i Operacionales Oltion Bistri dhe ish-prokurori Xhevahir Lita, i njëjti që i dha liri Behar Bajrit në 2019-ën.

Te tjera

Lajme te tjera