E premte, 1 Maj, 2026

Vjeshta e “nxehtë” për PD, postet dhe emrat që janë në lojë; si pritet ta ndajë “tortën” Berisha?

Share

Vjeshta pritet të sjellë temperatura të larta në rradhët e demokratëve, ndërsa duket se debati për një largim të Sali Berishës pas dështimit katastrofik në zgjedhjet e 11 majit duket se u mbyll pa nisur mirë.

Me përjashtim të disa zërave që u shfaqën mediatikisht dhe kërkonin dorëheqjen e Berishës, duke shfrytëzuar një klauzolë në statutin e PD-së, të pagëzuar me emrin ‘Neni Basha’, të gjithë ata që konsideroheshin si pjesë e rrymave apo fraksioneve në këtë parti, nxituan të deklaronin se ish-kryeministri nuk kishte arsye të dorëhiqej.

Dhe përsa kohë e gjithë kupola e PD-së, përfshi edhe ata që morën mandatet në 11 maj, e konsiderojnë procesin si të vjedhur dhe manipuluar nga Edi Rama, duke mos njohur rezultatin, nuk kanë se si të bëjnë përgjegjës Berishën për dështimin më të madh që prej 1997-ës.

Por ajo që pritet të ndodhë janë ndryshimet në pozicionet nën Berishën, duke nisur me Sekretarin e Përgjithshëm, nënkryetarët, kreun e grupit parlamentar, Sekretariatin e partisë, kryesinë e Grupit Parlamentar, drejtuesen e LDG-së.

Nga ajo që deklarohet publikisht dihet se analiza për zgjedhjet e 11 majit do të nisë në shtator, ndoshta pas konstituimit të Kuvendit, ndërsa ky proces do të zgjasë 2 ose 3 javë, dhe do të përmbyllet me mbledhjet e Kryesisë dhe Këshillit Kombëtar të PD-së, ku pritet të formalizohen ndryshimet.

Nga burime të brendshme në PD mësohet se në riorganizimin e kësaj force politike mund të ketë një ndarje mes pozicioneve në Grupin Parlamentar me ato në parti, apo mes pozicionit honorifik si Nënkryetar i Kuvendit me ato në parti.

Deri më tani ka qenë taksative që Kreu i Grupit Parlamentar dhe Nënkryetari i Kuvendit ishin automatikisht nënkryetarë të PD-së, gjë që duket se do të ndahen, ose do të ketë një shtim në numër të nënkryetarëve në strukturën partiake, duke e çuar numrin në 4 nga 2 që janë aktualisht. Kjo do të krijonte hapësira më të mëdha për të emëruar apo zgjedhur në pozicione të caktuara emra, duke synuar një ruajtje balancash mes grupimeve në PD, edhe pse përbërja e grupit parlamentar ka shpartalluar pothuajse çdo fraksion.

Për kreun e Grupit Parlamentar janë disa emra si kandidatë, ndërsa Gazment Bardhi, mund të spostohet, duke lënë mënjanë kështu edhe idenë e ‘bashkimit në diversitet’.

Kandidatura të mundshme për të marrë drejtimin e Grupit Parlamentar të PD-së janë Oerd Bylykbashi, Luçiano Boçi. Por një kandidaturë që mund të garojë është Jorida Tabaku, e vetmja ndër emrat e listës së hapur të PD-së për Qarkun e Tiranës, që mori mandatin.

Në lojën për kreun e Grupit Parlamentar mund të hyjë edhe Flamur Noka, edhe pse ka pak shanse. Ky i fundit, i cili mban postin e Sekretarit të Përgjithshëm të PD-së, mund të lerë këtë pozicion, duke i hapur rrugën një tjetër gare për strukturën drejtuese.

Ervin Salianji, ish-deputeti që prej tetorit të 2024 ndodhet në burgun e Fierit me një vendim të Gjykatës së Apelit që e dënoi me 1 vit heqje lirie, mund të jetë emri surprizë që Sali Berisha ta vendosë si numrin 2 të PD-së. Berisha ka deklaruar publikisht se Salianji do të ketë një rol luftarak në PD dhe ndoshta edhe për faktin se dënimi i tij është trajtuar si ‘politik’, ai mund të rikthehet në politikën aktive si Sekretari i Përgjithshëm i PD-së.

Të njëjtin pozicion mund ta lakmojnë edhe Belind Këlliçi, megjithëse ky i fundit në 11 maj, si drejtues politik i Qarkut Tiranë, korri ndër rezultatet më të dobëta të PD-së në zgjedhjet parlamentare. Dhe po kështu Tomorr Alizoti, i cili ishte drejtues politik në Qarkun e Elbasanit, mund të synojë këtë post, që pas Kryetarit, është më i rëndësishmi në kupolën drejtuese të PD-së.

Albana Vokshi pritet të tërhiqet si drejtuese e LDG, duke hapur një garë për kreun e forumit të gruas demokrate, që prej të paktën 13 vitesh nuk zhvillon zgjedhje dhe pozicioni mbahet nga deputetja, që u pozicionua që në fillim në krah të Berishës, kur ai nisi luftën dhe përplasjet me Lulzim Bashën.

Vokshi gjithsesi mund të hyjë në një garë për një nga pozicionet e nënkryetarëve të PD-së, ku gjithashtu si alternativa shihen edhe Jozefina Topalli, e cila ka mbajtur këtë pozicion partiak për të paktën 8 vite në PD, por edhe Jorida Tabaku, e cila nëse nuk përfshihet për kryetare e Grupit Parlamentar mund të ketë aksesin për pozicionin partiak. Dhe gjithashtu Dhurata Çupi, e cila nuk arriti të marrë një mandat deputeti në 11 maj, mund të jetë pjesë e garave të brendshme në PD, përfshi edhe kreun e LDG-së.

Tirana gjithashtu pritet të ketë një tjetër ri-organizim, ku krahas drejtuesve të 16 degëve, pritet të vendoset një kryetar ose koordinator, i cili do të ketë rolin e organizatori. Për këtë pozicion mund të përfshihen nga Klevis Balliu te Ilir Alimehmeti dhe Besart Xhaferri. Ky i fundit mban funksionin e kreut të FRPD-së, pozicion që i dha mundësinë të garojë në listën e mbyllur të PD-së së Tiranës, dhe ndoshta mund të lerë drejtimin e forumit rinor, për të hapur një tjetër garë në rradhët e demokratëve.

Dhe në fund mbeten postet e Sekretarëve, që pavarësisht se nuk kanë ndonjë peshë, në momente të caktuata zhvillimesh e përplasjesh janë përcaktues. Dhe ndër këto pozicione më delikati është Sekretari Organizativ, që zotëron çdo të dhënë mbi data bazën e partisë, përfshirë anëtarësinë dhe delegatët e Kuvendit Kombëtar.

Me pak fjalë me përjashtim të pozicionit të Kryetarit të PD-së, çdo pozicion tjetër në selinë blu është në lojë dhe dilemat janë nëse Beisha do e ndajë ‘tortën’ duke iu rikthyer idesë së bashkimit në diversitet, do emërojë besnikët e tij apo do të nisë një proces makiazhi sa i takon imazhit të Partisë Demokratike 

Te tjera

Lajme te tjera