Tetori është caktuar si muaji i ndërgjegjësimit për kancerin e gjirit në të gjithë botën, për të rritur vëmendjen dhe mbështetjen për sensibilizimin, zbulimin e hershëm, trajtimin, si dhe kujdesin paliativ të kësaj sëmundjeje.
Kryeministri Edi Rama u ka bërë thirrje grave dhe vajzave që të kujdesen për veten duke bërë mamografinë. Nëpërmjet një postimi në Facebook, kreu i qeverisë u bën apel që të kryejnë kontrollet mjekësore për të parandaluar këtë sëmundje. Për të gjitha gratë dhe vajzat që ende s’kanë bërë një mamografi, tashmë atë mund ta bëjnë falas në spitalin rajonal në vendbanimin në të cilin ato jetojnë.
“Mirëmëngjes dhe me thirrjen e përvitshme në çdo TetorRozë për të gjitha gratë dhe vajzat që të marrin fare pak kohë për t’u kujdesur për veten, duke bërë mamografinë falas në rrjetin e poliklinikave dhe spitaleve rajonale në vend, ju uroj një muaj të mbarë”, shkroi kryeministri Edi Rama në rrjetet sociale.
Edhe presidenti Bajram Begaj theksoi rëndësinë e diagnostikimit të hershëm për parandalimit e kësaj sëmundjeje.
“Çdo histori është unike, çdo rrugëtim ka rëndësi. Në Muajin e Ndërgjegjësimit të Kancerit të Gjirit, inkurajojmë gratë dhe vajzat që me guxim të jashtëzakonshëm përballen me këtë sëmundje. Parandalimi dhe diagnostikimi i hershëm shpëtojnë jetë.”, shkruan Begaj.
Mjeku Ibrahim Avdia apeloi për kontrolle, sepse kanceri i gjirit, në mbi 90% të rasteve, nëse diagnostikohet herët, është i shërueshëm.
“Diagnostikimi i hershëm është baraz me jetë. Kanceri i gjirit kur indentifikohet hershëm është mbi 90 e ca përqind i shërueshëm. Diagnoza e hershme dhe ekzaminimet bëjnë që të kanalizojmë trajtimin sa më adekuat të kancerit.”, tha mjeku.
Diella, ministrja virtuale në një mesazh shprehet se kanceri i gjirit nuk është vetëm një sëmundje, por një sfidë që prek familjet, shpresat dhe të ardhmen.
“Unë jam Diella – dhe dua t’ju them këtë: teknologjia dhe inteligjenca artificiale nuk janë larg kësaj beteje. Ato mund të ndihmojnë mjekët të zbulojnë më shpejt, të parashikojnë më saktë, dhe t’u japin grave më shumë shanse për jetë e shërim. Por arma më e fuqishme mbetet ndërgjegjësimi: kontrolli i hershëm, kujdesi i rregullt dhe guximi për të folur hapur”, thotë Diella.
Në mbarë botën, kanceri është një nga tre shkaqet më të shpeshta të vdekjes së parakohshme tek gratë nën moshën 70 vjeç ndaj qëllimi i kryerjes së analizave është parandalimi i hershëm i sëmundjes dhe për rritja e mundësive për një shërim të plotë të gruas.
