E enjte, 30 Prill, 2026

Si mund ta revolucionarizojë Inteligjenca Artificiale fekondimin in vitro (IVF)

Share

Fertilizimi in Vitro (IVF), është një procedurë komplekse dhe shpesh zhgënjyese për çiftet që përballen me problemin e infertilitetit. Gjatë rreth 2 javëve, gruas i injektohen hormone për të stimuluar vezoret që të prodhojnë më shumë vezë, duke u monitoruar përditë me analiza gjaku dhe eko me ultratinguj.

Pastaj kryhet marrja e vezëve përmes anestezisë, vezët dërgohen në laborator për fekondim dhe zhvillim embrional. Edhe pas kësaj procedure, vetëm rreth 56 për qind e embrioneve janë të përshtatshme për transferim në mitër, dhe shpesh duhen disa cikle të kushtueshme, deri në mijëra euro për cikël, për të arritur shtatzëninë.

Megjithatë, IVF e ka revolucionarizuar mjekësinë riprodhuese: sot rreth 2 për qind e njerëzve në SHBA lindin përmes saj, dhe globalisht 10 milionë fëmijë kanë lindur në këtë mënyrë nga viti 1978. Por a mund të bëhet kjo teknikë më e thjeshtë dhe më efektive?

Disa shkencëtarë dhe mjekë të shquar të fertilitetit i thanë National Geographic, se falë përparimeve në Inteligjencën Artificiale, në horizont është një epokë e re emocionuese për fertilizimin in vitro. Përparimet e fundit në IA, duke përfshirë zhvillimin e teknologjive të afta për të zbuluar spermatozoidet, klasifikimin e embrioneve dhe monitorimin e tyre, synojnë ta bëjnë procesin më të arritshëm dhe efektiv për pacientët.

“Përdorimi i Inteligjencës Artificiale në mjekësinë riprodhuese, është vërtet në një udhëkryq të jashtëzakonshëm, gati të shpërthejë dhe të revolucionarizojë mënyrën se si i qasemi shëndetit riprodhues”, thotë Viktoria S.Jiang, endokrinologe riprodhuese në “Shady Grove Fertility” në Atlanta, SHBA.

Një ekip në Qendrën e Fertilitetit të Universitetit të Kolumbias parashikon, se foshnja e parë në Shtetet e Bashkuara do të lindë së shpejti përmes fertilizimit in vitro me ndihmën e Inteligjencës Artificiale. Pacientja mbeti shtatzënë në mars të këtij viti, pasi 15 cikle të mëparshme fertilizimi in vitro kishin qenë të pasuksesshme.

Zev Uilliams, drejtor i qendrës së fertilitetit në Columbia, po përdor një sistem eksperimental të quajtur STAR (Sperm Tracking and Recovery) për të ndihmuar në zgjidhjen e një prej çështjeve kritike në fertilizimin in vitro: identifikimin e spermës më të shëndetshme.

STAR, shpjegon Uilliams, përdor Inteligjencën Artificiale për të identifikuar spermatozoidet e shëndetshme, ato që janë të gjalla, të lëvizshme dhe të paprekura nga ana strukturore, që përndryshe do të ishin të pamundura për t’u dalluar me sy të lirë.

Pas identifikimit të spermës, një robot heq qelizat pa pasur nevojë për centrifuga ose trajtime të tjera potencialisht të dëmshme. Procesi zgjat vetëm disa milisekonda. Pa ndihmën e Inteligjencës Artificiale, një embriolog do të duhej të shqyrtonte një mostër nën mikroskop, një proces që mund të zgjaste me orë të tëra dhe që në fund mund të rezultonte i pafrytshëm. “Ne kemi pasur teknikë me përvojë, që e shqyrtojnë mostrën për disa ditë pa gjetur asnjë spermatozoid të shëndetshëm. Mostra u analizua më pas me STAR, që zbuloi 44 spermatozoide optimalë brenda një ore”, thotë Uilliams.

Në dallim nga njerëzit, Inteligjenca Artificiale mund të analizojë pa mundim miliona imazhe, duke dalluar dallime delikate që mund t’i shpëtojnë syrit të njeriut.

“Në rastet e infertilitetit të rëndë mashkullor, sperma mund të jetë aq e rrallë saqë edhe embriologët më me përvojë mund të mos jenë në gjendje të zbulojnë asnjë spermatozoid të shëndetshëm.

Kjo është thjesht përtej aftësive njerëzore, por plotësisht e realizueshme duke përdorur çipat e specializuar mikrofluidë (të përdorur për të fotografuar dhe renditur spermatozoidet) që kemi zhvilluar dhe superkompjuterët e ndërtuar me porosi dhe imazhet me shpejtësi të lartë që janë pjesë e sistemit STAR”, nënvizon eksperti.

Nga aty, punën e marrin përsipër njerëzit. Pas fekondimit, embrionet zhvillohen 5 ditë në inkubatorë si EmbryoScope, duke arritur fazën e blastocistit. Klasifikimi tradicional (AA, AB, BC) bazohet në vëzhgim mikroskopik subjektiv të qelizave të brendshme dhe të jashtme, një proces kohor që nuk ka ndryshuar që nga 1978.

Inteligjenca Artificiale po e ndryshon këtë. Një studim i publikuar në “Nature Medicine” në vitin 2024, trajnoi modele në mbi 115.000 embrione, arritur një saktësi të barabartë me embriologët. Algoritmet e Nikica Zaninoviç nga Ueill Lornell parashikojnë anomali kromozike (euploidi) me 70 për qind saktësi nga imazhe video, pa pasur nevojë për një biopsi invazive që rrezikon dëmtimin e embrioneve.

Studiuesit e trajnuan sistemin e Inteligjencës Artificiale duke i ofruar atij imazhe të embrioneve normale dhe anormale. Nga këto imazhe, IA mësoi të parashikonte nëse embrionet që nuk përfshiheshin në të dhënat origjinale ishin normale apo anormale.

Hapi tjetër, thotë Zaninoviç, janë disa shtresa në algoritëm, që mund të ndihmojnë në fazat fillestare të procesit, siç është identifikimi i vezëve të pashëndetshme dhe parashikimi se sa vezë duhet të ngrijë një grua për të siguruar një shtatzëni të suksesshme.

IA mund të jetë gjithashtu i dobishëm në fazat e klasifikimit dhe testimit pas-gjenetik, siç është vlerësimi i trashësisë së rreshtimit të mitrës dhe pranueshmërisë nga mitra pas transferimit të embrionit.

“Edhe pas testimit gjenetik para implantimit, abortet ende ndodhin në 10-15 për qind të rasteve. Dhe kjo mund të mos lidhet me vetë embrionin, por me mirëqenien e përgjithshme të pacientes”,  thotë eksperti.

Një sfidë tjetër që Inteligjenca Artificiale mund të ndihmojë të kapërcehet, është parandalimi i gabimeve të mundshme, duke përfshirë etiketimin e gabuar të një embrioni dhe implantimin e tij te një pacient tjetër. Embrionet janë aq të vogla, me diametër midis 0.1 dhe 0.15 mm, saqë kanë ndodhur gabime, megjithëse këto janë të rralla.

Por pavarësisht progresit të bërë nga institucionet kërkimore dhe startup-et, ka ende arsye për të qenë të kujdesshëm ndaj kufizimeve të Inteligjencës Artificiale dhe përdorimit të saj në teknologjitë riprodhuese.

Pjesa më e madhe e asaj që ndodh në laboratorët amerikanë të IVF, nuk i nënshtrohet mbikëqyrjes qeveritare. Në Shtetet e Bashkuara, vetëm disa komponentë të proceseve tradicionale të IVF rregullohen nga Administrata e Ushqimit dhe Barnave (FDA), duke përfshirë disa pajisje mjekësore dhe laboratorë të testimit gjenetik.

Klinikat mund të bashkohen me Shoqatën për Teknologjinë Riprodhuese të Ndihmuar (SART), e cila publikon normat e suksesit dhe siguron që klinikat anëtare të përmbushin udhëzimet etike, por anëtarësimi është vullnetar. Qendrat për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve, e shpërbënë kohët e fundit ekipin e tyre të IVF.

Kjo mungesë mbikëqyrjeje vlen edhe për fertilizimin in vitro të ndihmuar nga Inteligjenca Artificiale. Shumica e eksperimenteve aktuale, nuk rregullohen nga qeveria federale e SHBA-së, me përjashtim të sistemeve të inteligjencës artificiale që klasifikojnë embrionet.

Ndërkohë ekspertët thonë ka shumë çështje etike që lidhen me privatësinë e të dhënave, paragjykimin algoritmik dhe drejtësinë. Sipas një artikulli të botuar këtë vit në “Journal of Gynecology, Obstetrics, and Human Reproduction”, shumë algoritme të IA-së janë të vështira për t’u interpretuar, si nga mjekët ashtu edhe nga pacientët për shkak të mungesës së transparencës së tyre.

Kjo mund të jetë problematike, thotë Ali Abara, profesor i asociuar i endokrinologjisë në Imperial College London, sepse IA mund të marrë vendime “jo logjike”, për të cilat embriologët nuk janë të vetëdijshëm.

Për shembull, nëse shumë embrione normale vijnë rastësisht nga i njëjti inkubator në laborator, modeli i IA-së mund të supozojë gabimisht se një embrion në një inkubator të veçantë ka më shumë të ngjarë të jetë normal.

Për më tepër, për shkak se sistemet e IA-së janë trajnuar në grupe të dhënash të mëdha, shpesh të ndjeshme, ekziston rreziku i shkeljeve të të dhënave ose i keqpërdorimit.

Te tjera

Lajme te tjera