Situata në Lindjen e Mesme duket se është drejt përmirësimit pasi Shtetet e Bashkuara dhe Irani thuhet se po i afrohen një marrëveshjeje për t’i dhënë fund luftës në Iran.
Edhe pse zyrtarët e administratës Trump paralajmëruan se bisedimet më parë kishin dështuar në minutën e fundit, burime për CNN japin shpresë për paqe në rajon.
Mësohet se Shtëpia e Bardhë ka marrë reagime pozitive nga ndërmjetësuesit pakistanezë të cilët thanë se iranianët janë pranë dakordësimit të një kompromisi.
Nga ana tjetër, presidenti Donald Trump raportohet se po ndërhyn në thjeshtimin e çështjeve në negociatat e paqes në mënyrë që iranianët të pranojnë të kthehen në tryezën e negociatave, me qëllim që së shpejti të trajtohen çështjet më të vështira.
Gjatë të mërkurës, Trumpi u shpreh se SHBA-të kanë pasur “bisedime shumë të mira” me Iranin gjatë 24 orëve të fundit.
Me anë të një dokumenti që po prezantohet brenda vendit përfshihen dispozita që kanë qenë në zemër të negociatave për t’i dhënë fund konfliktit.
Dokumenti në fjalë thuhet se do të shpallte fundin e luftës, duke shkaktuar një periudhë negociatash 30-ditore për zgjidhjen e pikave të vështira, duke përfshirë çështjet bërthamore, zhbllokimin e aseteve iraniane dhe sigurinë e ardhshme në Ngushticën e Hormuzit.
Ndërsa pritet që Irani pritet t’u japë ndërmjetësve përgjigjen e tij ndaj propozimit këtë të enjte, më 7 maj.
Deri më tani nuk kanë dalë detaje konkrete rreth planit por mësohet se do të përfshihet diskutimi i një moratoriumi mbi pasurimin e uraniumit për një periudhë më të gjatë se 10 vjet.
Gjithashtu nëpërmjet këtij plani kërkohet që Irani të transportojë rezervat e tij të uraniumit të pasuruar shumë jashtë vendit, por vendet janë akoma në negociata.
