Nuk ka përmbysje në “Allianz Arena”. Bajerni i Mynihut është ndalur në barazim 1-1 nga PSG, por nuk ka arritur të kualifikohet në finalen e Budapestit, duke qenë francezët ata që do të prekin për herë të dytë radhazi finalen e Champions League.
Pjesa e parë u mbyll 0-1 në favorin të kampionëve në fuqi të Europës. Pas një kundëruslmi të shpejtë dhe asistit fantastik të Kviça Kvaratskhelia, ishte pikërisht Osman Dembele, i cili shtyu topin në portën e mbrojtur nga Manuel Nojer, pa shkuar minuta e 3-të.
Në minutën e 22-të, Bajerni iu afrua golit të barazimit, por goditja e Luis Diaz përfundoi sipër traversës. Në minutën e 27-të, Olize pati një mundësi të mirë shënimi, por edhe goditja e francezit përfundoi mbi traversë.
Në minutën e 31-të, bavarezët nuk ishin të kënaqur me arbitrin në dy raste. Së pari kërkuan ndëshkimin me karton të verdhë për Nunjo Mendes për prekje të topit me dorë. Në rast se do të ndëshkohej, Mendes do të largohej nga fusha sepse do të ishte kartoni i dytë i verdhë për të. Në rastin tjetër, bavarezët pretenduan për prekje të topit me dorë nga Zhoao Neves brenda zonës, por arbitri vazhdon lojën normalisht. Në minutën e 34-të, Nojer bëri një pritje fantastike pas goditjes me kokë të Zhoao Neves.
Në fund të pjesës së parë, Bajerni pati një mundësi të mirë me Jamal Musaiala, por pritja e Safonov ishte fantastike.
Në minutën e 57-të, PSG iu afrua golit të dytë, por goditja e Kvaratskhelia u ndal në mënyrë të shkëlqyer nga Nojer. Në minutën e 64-të, Dezajër Due provoi të gjente golin, por Nojer u tregua sërish fantastik.
Në minutën e 69-të, Luis Diaz lëshoi një goditje të bukur drejt shtyllës së majtë, por Safonov u tregua i vëmendshëm. Barazimi i bavarezëve erdhi në minutën e fundit shtesë, ku Herri Kejn gjeti golin pas asistit të Alfonso Devis. Sfida u mbyll 1-1.
PSG i bashkohet kështu Arsenalit në finalen e madhe të Budapestit, e cila do të luhet më 30 maj në Budapest në orën 18:00. Për të dyja ekipet do të jetë finalja e dytë në histori, vetëm se Arsenali nuk ka fituar asnjëherë Champions League, ndërsa PSG e fitoi vitin e kaluar 5-0 kundër Interit.
