Ish-shefi i Sektorit të Edukimit në Komitetin Qendror të Partisë së Punës së Shqipërisë, Muharrem Xhafa vjen sot në një intervistë për gazetën “SOT” me një rrëfim ndryshe, ku në qendër të diskursit dhe pikëpamjeve të tij është figura e shkrimtarit të njohur, Ismail Kadare. Zoti Xhafa në këtë numër që do dalë sot dhe që do të botohet me dy pjesë, ka lëshuar kritika të forta në adresë të shkrimtarit Kadare, të cilin e cilëson një tradhtar që përdori regjimin për interesat e tij personale. Ai thekson në intervistën për gazetën “SOT”, se Ismail Kadare ka ngritur lart figurën e Enver Hoxhës si udhëheqës i madh i partisë dhe shtetit, ndërsa sipas tij, mohimi i kësaj nga ana e shkrimtarit, tregon se ai ka probleme me trutë e kokës. Ndërkohë zoti Xhafa, tregon se si Ismail Kadare i bëri “puç” Dritëro Agollit dhe Ramiz Alisë në Kongresin e 10-të të Partisë së Punës, teksa shton se ai çmimi Nobël i duhet dhënë për veprat që glorifikojnë Enver Hoxhën. Nesër gazeta “SOT” do të pasqyrojmë pjesë e dytë të zhvilluar me Muharrem Xhafa, në të cilën ky i fundit tregon detaje rreth arratisje së Ismail Kadare.
– Zoti Xhafa, në këtë intervistë dëshirojmë të flasim disi më ndryshe, duke dalë nga aktualiteti dhe politika, ndërsa do përqendrohemi tek shkrimtari i njohur, Ismail Kadare. Kështu që pa humbur kohë më lejoni t’iu pyes si ju duket si shkrimtar?
Rigels, qysh kur ju më thatë të bëjmë një intervistë për Kadarenë, i thashë vetes : Kjo intervistë është delikate, sepse Kadare është person kontradiktor. Por ju ma lehtësuat punën, sepse pyetët : Si ju duket Kadare si shkrimtar? Dikush mund të mos e dojë Kadarenë si njeri e qytetar, por si shkrimtar është i talentuar. Rigels i dashur, duhet kuptuar mirë se artistët i përkasin popullit, jo politikës. Si nga qytetarët edhe nga partitë politike në pushtet ose jo në pushtet njerëzit e letërsisë e arteve, pra artistët, duhen vlerësuar për veprën e tyre, jo për krahun politik që i përkasin a mbështetin, dmth jo pse mund të jenë pedeistë, komunistë, socialdemokratë, socialistë, republikanë, ballistë, zogistë etj., jo pse janë të majtë, të djathtë, të qendrës ose komunistë. Artisti ka detyrë të krijojë, ky është profesioni i tij dhe jo të bëjë politikë, ndaj artistit nuk i lejohet të jetë sektar. Veprat e artistit i mbeten popullit edhe pasi artisti të ketë ndërruar jetë! Miku im, arti e letërsia i bashkojnë njerëzit! Para se të ndahej nga jeta, takova dhe i thashë Dritëro Agollit : – Dritëro, pse ti nuk u ke bërë ndryshime veprave të tua, e kam fjalën, i thashë, për romanet “Komisari Memo”, “Njeriu me top” dhe për poemën “Devoll-Devoll” dhe pse nuk të kemi dëgjuar të flasësh kundër Enver Hoxhës, siç bëre në Kongresin e 10-të të PPSH-së dhe siç ka bërë ndonjë tjetër? Dëgjo më tha : “Po t’u bëja ndryshime veprave të mia, dmth t’i mohoja, unë nuk do të isha më Dritëro Agolli! Ore, Muharrem, po “na e futi” ai maskarai si mua edhe Majkomit (e kishte fjalën për Ramiz Alinë, M. XH.) në Kongresin e 10-të të PPSH-së. Dhe dije mirë nga Dritëroi : Atë që ka bërë Enver Hoxha për ne shkrimtarët e artistët nuk do të mund ta bëjë askush tjetër. Kush flet kundër Enverit, ai ka probleme me vetveten”! Ky qe thelbi i bisedës me Dritëronë, për mua i madh, pavarësisht lajthitjes së tij të momentit në Kongresin e 10-të të KQ të PPSH-së. Siç del edhe nga kjo intervistë, unë nuk e kam simpatizuar Kadarenë si njeri e qytetar, sepse është treguar cinik, me dy pamje, pas vdekjes së Enver Hoxhës e përmbysjes së socializmit , ndonëse ishte anëtar i Partisë së Punës etj., etj.. Kjo nuk më ka penguar e as më pengon të lexoj veprat e tij. Të gjithë, të majtë a të djathtë, të qendrës a komunistë, e duam dhe e lexojmë Naim Frashërin jo pse ka qenë i majtë, po për veprën artistike të tij në dobi të Atdheut, të kombit, të popullit shqiptar. Lasgush Poradeci nuk ishte komunist, po unë e lexoja, sepse ishte mjeshtër i vargut dhe poet i guximshëm! Veprat e piktorit të shquar, Sali Shijaku i pëlqeja, sepse ishte talent! Po kështu, pikturat e Zamir Matit, sepse është i talentuar. Jo më pak kuptoja e shijoja veprat e piktorëve të shquar Kodhelit, Abdurrahim Buzës, Guri Madhit, shijoj pikturat e Kujtim Buzës, Skënder Kamberit etj., shijoj veprat e skulptorëve të kombit : Odhise Paskalin, Kristaq Ramën, Janaq Paçon, shijoj Mumtaz Dhramin etj.; e vlerësoj të padrejtë prirjen e partive politike për të kompromentuar artistët. Të çdo rryme a zhanri qofshin, shkrimtarët e artistët mbeten në themelet e kombit, nëse në veprat e tyre është venë në qendër populli, Shqipëria.
– Brezi i ri, a duhet ta lexojë Kadarenë?
Mendoj se brezi i ri duhet ta lexojë Kadarenë. Sepse përmes veprave të tij brezi i ri do të mësojë si ka qenë Atdheu i vet, Shqipëria Popullore e Socialiste, por edhe do të mësojë si ka ndryshuar Kadare, pas vdekjes së Enver Hoxhës dhe pas përmbysjes se socializmi!.
Në reagim të një materiali, disa miq më thanë se, pas vdekjes së shokut Enver dhe përmbysjes së socializmit, Kadare është bërë agresiv, ka ndërruar qëndrim dhe ka folur keq për Partinë e Punës, për Enver Hoxhën dhe për socializmin, prandaj ti nuk duhet as ta citosh e as ta lexosh! Mendoj se miqtë e mi i kam sqaruar, duke u thënë: dakord, po e abandonojë, po a ka ndonjë tjetër që të ketë shkruar më bukur se Kadare për komunizmin? Më 1966-ën, Kadare shkruante : “Se ka një forcë të madhe sot Shqipëria, që u shtohet maleve, stuhive, krenarive të saj : Partinë” Më tej ai shkruan : “Në atë kohë të rëndë pushtimi, kur bora u nxi e balta zu thinjë, komunistët vendosën THEMELIMIN, koha thirri në skenë Partinë”! Më tej akoma shkruan : “Që në minutat e fundit, u hartua Thirrja, Themeluesi i Partisë zgjati dorën për firmë. Një firmë e tillë s’ish dukur asgjëkund, asnjëherë. Ajo s’ish firmë senjori me shumë tituj e ndere. Ajo s’ish firmë, po ish vetëtimë në qiell të revolucionit me re dhe suferinë. Duke nënshkruar dokumentin e parë, shoku Enver Hoxha nënshkroi stuhinë”! Ky ishte Ismail Kadare i socializmit!
-Kadare, a ishte komunist dhe a e përdori sistemin socialist për interesa personale?
– Po, ishte! Ishte anëtar i PPSH-së! Në fakt, u thoshim komunistë, po koha tregoi, përfshirë Kadarenë, se nuk kishin qenë komunistë! Siç po duket, nuk janë as socialistë! Ismail Kadare e njeh bukur mirë thënien e Vaclav Havelit çek se komunistët antikomunistë janë njerëzit më të rrezikshëm të shoqërisë. Që më 1957-ës në poezinë me titull “Komunizmi” poeti i ri Ismail Kadare u thoshte lexuesve të rinj të shumtë të tij se ç’është komunizmi. Ai shkruante : “Si dielli që përflak çdo gjë në mëngjes, ashtu ai (komunizmi, M. XH.) çdo gjë e ndrit mbi botë”! Gazeta “Sot” botoi para ca kohësh një shkrim ku thuhej se Kadare ishte komunist i flaktë, po, pas ’90-ës, u vu në shërbim të borgjezisë për poste e karrige dhe se sulmet e tij ia kanë ngritur më lart vlerat socializmit! Ju pyesni : A e përdori Kadare sistemin socialist për interesa personale? Po, madje fort! Se askush nuk e detyroi Kadarenë të bëhej anëtar i PPSH-së, që në moshë të re, askush nuk e detyroi të bëhej deputet, askush nuk e kërcënoi të zgjidhej nënkryetar i Frontit Demokratik të Shqipërisë, askush nuk e detyroi të dilte shkrimtar në profesion të lirë, askush nuk e imponoi të shkonte për vizitë mysafir në familjen e Enver Hoxhës, të shkonte jashtë shtetit, të shkruante kujtime për shokun Enver pas vdekjes, t’i thurte lavde Enverit etj. Në kujtimet për Enver Hoxhën (pas vdekjes) Kadare shkruan : “Kam pasur fatin ta takoj disa herë shokun Enver në raste të ndryshme, në ditëlindje, në pushime mbledhjesh solemne apo midis dy seancash të Kuvendit Popullor. Megjithëse të shkurtra, ato më kanë mbetur të pashlyera në kujtesë, por veçanërisht i tillë më ka mbetur takimi i gjatë me të në vitin 1971, në shtëpinë e tij”! Kush i bëri presion Kadaresë të shkruante kështu?! Një herë, studiues vendës e të huaj u mblodhën në Tiranë për të diskutuar mbi vlerat e veprës letrare të Kadaresë dhe kërkuan që t’i jepej çmimi “Nobel”. T’i jepet ose jo çmimi “Nobel” Kadaresë është në kompetencë të Jurisë së Nobelit, po, siç jam shprehur më parë, edhe unë jam dakord që Kadaresë t’i jepet çmimi “Nobel”. Po, për cilën vepër? Kjo është çështja. Kadare ka shkëlqyer si shkrimtar i realizmit socialist, ndaj them bindjen time se Kadare duhet ta marrë “Nobel”-in me veprën e tij si shkrimtar i socializmit!
– A ka një prirje të shtetit borgjez e të shërbëtorëve të tij për të bërë me faj komunizmin?
Sigurisht ka! Disa herë është thënë e shkruar se partitë e mëdha të borgjezisë shqiptare, PD-ja e PS-ja, po edhe partitë e tjera borgjeze më të vogla nuk kanë çfarë thonë e çfarë bëjnë më shumë kundër komunizmit e për dekomunistizimin e vendit. Po qëllimit as nuk ia kanë arritur e as nuk do t’ia arrijnë, sepse gjithçka është bërë e bëhet në kundërshtim me vullnetin e popullit! Që të shkulësh nga shpirti dhe ndërgjegjja e popullit shqiptar komunizmin dhe të bësh dekomunistizimin e vendit, e shoqërinë shqiptare, duhet të arrihen dhe të tejkalohen arritjet e veprat që populli gëzonte në socializëm! Rendi shoqëror dhe ekonomik komunist është në shërbim të masave të popullit, jo të borgjezisë! Po kështu, duhet të mbahet mirë parasysh se komunizmi as luftohet e as ndalet me ligj. Të thënat e pavërteta të njerëzve të borgjezisë për komunizmin në botime, në shtyp, në televizione e në mediume të ndryshme, siç vura në dukje, ia ngrenë vlerat rendit komunist, sepse, siç thotë Kadare, që ta përmbysësh atë duhet të shemben malet. Po, a shemben malet dhe a përmbyset toka?! Njerëz të shitur e pinjollë të borgjezisë thonë se për ndërtimin e njeriut të ri socialist, shqiptarëve u është bërë lavash i trurit! Me shumë se në vitet e LANÇ-it, pas vendosjes së pushtetit popullor, më 29 nëntor 1944 dhe në dekadat e socializmit është bërë shumë punë për edukimin e popullit, me njeriun e tij konkret, duke zbatuar reforma dhe mjete ekonomike e kulturore të ndryshme. Po, po, edhe organizative e detyruese kundër koncepteve dhe praktikave feudale e feudo-borgjeze, kundër mentaliteteve e praktikave fetare e turkoshake antishqiptare, madje edhe ndaj individëve me rrezikshmëri të veçantë shoqërore. Pa asnjë mëdyshje mund të thuhet se për emancipimin e shoqërisë shqiptare puna e bërë dhe reformat e mjetet e përdorura kanë rezultuar të dobishme. Komunistët nuk kanë kurrfarë kompleksi negativ pse thuhet që në vitet e socializmit punohej për formimin e njeriut të ri, të njeriut që do të kryente detyra të reja të një rendi të ri shoqëror dhe ekonomik! Njeriu i ri i socializmit, edhe pse nuk u arrit të bëhej plotësisht, la gjurmë e vepra të pashlyera në jetën e vendit, në çdo fushë e skaj të tij, në ekonomi, në arsim e kulturë, në shëndetësi e demografi, në letërsi e arte, në jetën shoqërore e në familje, në pastrimin e ndryshimin e mentaliteteve për jetën e jetesën, për emancipimin e gruas, të rinisë e të gjithë shoqërisë, për shërbimet dhe mbrojtjen e vendit. Ndonëse koha qe e shkurtër, vetëm disa dekada, gjatë kësaj kohe u hodhën hapa të mëdhenj përpara. Partia e Punës dhe shteti proletar e vlerësonin lart dhe të vështirë këtë detyrë dhe ishin të bindur se formimi i njeriut të ri nuk do të mund të realizohej brenda një kohe të shkurtër! Ashtu si lakenjtë e tjerët të borgjezisë, edhe Kadare thonë se krijimi i njeriut të ri ishte një marrëzi. Kësaj kategorie njerëzish, më e pakta që mund t’u themi është se ajo detyrë ishte marrëzi për të marrët, jo për njerëzit e popullit dhe të mençurit e tij! Se nuk mund te quhet marrëzi krijimi i njeriut që ndërtoi dhe lulëzoi vendin, që mbrojti atdheun me penë e me pushkë nga armiqtë e brendshëm e të jashtëm të Shqipërisë etj., etj., Marrëzi është shkatërrimi i vendit prej vandalëve të borgjezisë, djegia e tij, vrasja dhe nëpërkëmbja e popullit. Kadare, pse hesht për këto?!Nuk mund të bëhet asnjë krahasim midis njeriut borgjez dhe atij socialist! Për vlerat qytetare e njerëzore që bartte, njeriu i socializmit qëndron më lart se njeriu i borgjezisë, siç shoqëria socialiste e shteti i saj popullor qëndronin më lart se shoqëria e shteti borgjez. Kadare ka 30 vjet që flet dhe hedh baltë mbi “mungesën” e lirisë së fjalës e të të drejtave të njeriut në socializëm. Kjo është e pavërtetë! Intelektualëve dhe gazetarëve të mençur nuk u lejohet të thonë se liritë e të drejtat e masave të popullit në socializëm janë nëpërkëmbur, sepse gjithçka ka funksionuar në shërbim të tyre! Kadare kështu mohon veten! Kushdo qoftë ai që thotë se në socializëm janë shkelur të drejtat e liritë e njeriut, gabon. Shkelje janë ato që shihen sot, kur njerëzit janë të lirë të vrasin, të vjedhin, të gënjejnë, të shpifin, të merren me drogë e me prostitucion, etj. Ndaj u themi zotërinjve që janë gënjyer nga propaganda dhe “shkëlqimi” i realitetit borgjez të mos shohin ëndrra në diell, se në asnjë shoqëri njerëzore me klasa s’ka pasur e s’ka liri e të drejta të pakufizuara! As në SHBA, as në Gjermani, as në Francë, as në Angli, as në Itali, as në Greqi etj..njerëzit s’kanë liri e të drejta të pakufizuara. Kadare e di këtë më mirë!
– Kadare thotë se shkrimtarëve dhe artistëve u mungonte liria për të krijuar?
Kjo është marrëzi! Janë shteti borgjez dhe lakenjtë e tij ata që bëjnë komente për mungesën e lirisë së fjalës, të krijimit etj. në socializëm dhe për përpjekjet “titanike” të shkrimtarëve e artistëve për të thyer rregullat e metodës krijuese të realizmit socialist. Kadare i bie hasha dhe “harron” se vetë ka qenë një shkrimtar i vlerësuar e madje i përkëdhelur i Partisë së Punës e Qeverisë socialiste. Ai vetë ka qenë në ballë si anëtar i PPSH-së, që ka ngritur lart figurën e Enver Hoxhën dhe rolin e tij si udhëheqës i partisë, i shtetit, i popullit dhe socializmit. Kush i mohon këto qëndrime, ai i bën ose nga inati ose sepse është i pamend në kokë! Kadare është sot një shkrimtar i shpërfillur, i përdorur nga borgjezia, i cili nuk ka shkruar ndonjë vepër të shquar për vlera shoqërore e artistike gjatë 30 viteve të sundimit te saj! Ai e di më mirë, po unë nuk mund të mos them se rrallë e ndoshta asnjë shkrimtar i madh i botës nuk ka shkruar dhe mburrur në veprat e tij shkatërrimin e vendit, djegien e tij, shtypjen e shfrytëzimin kapitalist të masave të popullit. Homeri, Shekspiri, Hygoi, Balzaku, Getja, Tolstoi, Naimi ynë etj. , të gjithë krijuesit e mëdhenj të botës, ndonëse të lindur e të rritur në sistemet skllavopronar, feudal, feudoborgjez e borgjez, kanë demaskuar në veprat e tyre shtypjen dhe shfrytëzimin e pakicës mbi shumicën! Ndryshe ka ndodhur me Kadarenë e shokë të tij, të cilët patën pasqyruar socializmin me ngjyrat me të bukura, ndërsa, pas ndryshimit të sistemit, u komprometuan keq nga shteti borgjez, u vunë në shërbim të borgjezisë për poste e karrige, kërkuan të rrëfehen e të shpëlahen para saj. Kadare ka shfryrë mllefin e tij në media e gjetkë kundër Enver Hoxhës e socializmit, me shpresë se Juria e Nobelit do t’i jepte çmimin “Nobel” dhe shteti borgjez shqiptar do ta mbështeste! Por kjo nuk ka ndodhur! Dhe përse? Sepse ajo (Juria) e di që Kadare me veprën e tij i përket komunizmit, siç vetë shkruante e thoshte kur ishte gjallë Enveri : I përkasim komunizmit! Më vjen keq që e përsëris, sepse ngjan si mungesë modestie, po në kundërshtim me mendimin e disa shokëve e miqve të mi, unë jam shprehur publikisht se Kadaresë i duhet dhënë çmimi “Nobel” për romanin e tij më të shquar “Dimri i madh”, në të cilin ai ngre lart figurën e Enver Hoxhës në luftën kundër imperializmit e revizionizmit modern dhe për ndërtimin e socializmit me forcat e veta në Shqipëri. O Kadare : shkrimtarët, sado të shquar, vdesin, ndërsa veprat e shquara të tyre, mbesin, rrojnë! Ato e mbanë gjallë vetë shkrimtarin apo artistin! Më shumë se kushdo tjetër, Kadare ka vjell vrer në mediat shqiptare kundër Enver Hoxhës, duke shpresuar se regjimi borgjez do t’i jepte vend nderi në përmbysjen e socializmit, çka nuk ndodhi, dhe për thyerjen e kornizave të realizmit socialist, të metodës krijuese që ai e mësoi në Moskën e BS të Leninit e Stalinit. Rigels, nëse njerëzit do ta urrejnë Kadarenë si njeri, ai do të harrohet shpejt së gjalli edhe si shkrimtar i shquar! Është absurditet të thuhet, siç thotë Kadare, se realizmi socialist vinte pragje e korniza për krijuesit e se ai i paskësh thyer e kapërcyer ato në veprat e tij! Askush nuk ka thyer kurrfarë “kornizash” të realizmit socialist, po ka zbatuar rregullat e tij të krijimit një më një nën shembullin e Kadaresë. Krijuesit e të gjitha llojeve e gjinive të letërsisë e artit i kishin në socializëm kushtet e mundësitë të krijonin sa të donin e si të donin! Po, sigurisht brenda metodës së realizmit socialist! Se edhe në Amerikë, në Angli, në Francë, në Suedi, në Spanjë, në Itali etj. etj. krijuesit nuk mund të prodhojnë letërsi e vepra të tjera artistike në kundërshtim me interesat e vendit e të popullit të vet! “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”, “Kronikë në gur”, “Muzeu i perëndive të stepës”, “Kështjella” etj. janë vepra artistike të mëdha të Kadaresë, krijuar në socializëm, në atë sistem që servilët e borgjezisë e cilësojnë “diktaturë komuniste”. Pa kushte e mundësi të mira frymëzimi, pune e krijimtarie veprat madhore të realizmit socialist si ato që përmenda nuk do të mund të ishin shkruar! Se për të krijuar vepra të mëdha nuk mjafton vetëm talenti i krijuesit! Qytetari ynë apo i huaj, kur sheh se libri “Ftesë në Studio” i Ismail Kadaresë është botuar në 30 mijë kopje, për çfarë kufizimi mund të flitet?! Kur Enveri thoshte : Lërini poetët t’i bëjnë poezitë ashtu si dinë ata, për çfarë kufizimi mund të flitet?!
Intervistoi: Rigels Seliman