E enjte, 13 Gusht, 2026

“Reja e zezë” që eklipsoi Shqipërinë, Enkelejd Alibeaj “çjerr” maskat: Reforma territoriale nuk ekziston, është thjesht ‘aritmetikë elektorale’ e dhomave të fshehta, Edi Rama është një ‘kafshë pushteti’ që po gërryen Shqipërinë me reforma ‘fake’

Share

Enkelejd Alibeaj, drejtues i lëvizjes “Djathtas 1912” dhe ish-deputet i Partisë Demorkatike, ka sulmuar ashpër projektin e mazhorancës për reformën e re territoriale. Gjatë një interviste televizive për “A2 CNN”, ish-deputeti Alibeaj i e cilësoi propozimin e Partisë Socialiste për reduktimin e bashkive si një “aritmetikë elektorale” të përgatitur në dhoma të fshehta.

Sipas Alibeajt, kjo nismë nuk përbën një reformë të vërtetë, por synon vetëm manipulimin e zgjedhjeve të ardhshme lokale. Ai e dekoroi kryeministrin Edi Rama si një “kafshë pushteti” që po gërryen demokracinë dhe po shkatërron decentralizimin. Ish-deputeti nënvizoi se problemi kryesor mbetet mungesa e kompetencave reale për pushtetin vendor dhe jo thjesht numri i bashkive.

Në fund, Alibeaj u shpreh se forca e vërtetë për ndryshim qëndron te protestat e reja qytetare që po sfidojnë kastën e vjetër politike.

Intervista

Gazetarja: Zoti Alibeaj, kënaqësi të jeni në studio. E nisim fillimisht me reformën administrativo-territoriale. Tashmë ka një propozim të qartë të Partisë Socialiste, një reduktim të numrit të bashkive. Mazhoranca argumenton se reduktimi synon rritjen e efikasitetit të administrimit vendor. Ju si e shihni zoti Alibeaj? Është një reformë e domosdoshme apo kemi të bëjmë me interesa të pastra elektorale?

Enkelejd Alibeaj: Askush nuk ka çudi lidhur me tendencën, me sjelljen, me motivet, me qasjen e mazhorancës së Edi Ramës lidhur me mënyrën e menaxhimit të pushtetit, qoftë pushtet qendror, qoftë edhe pushtet lokal. Prej kaq vitesh që është në krye të qeverisjes, askush nuk ka asnjë lloj kurioziteti për faktin që dihet se Rama është një gërryes pushteti.

Kështu që edhe e ashtuquajtura reformë nuk është reformë me thënë të drejtën, por e ashtuquajtura reformë e pushtetit vendor, e dyta brenda mandateve të qeverisjes së Ramës, nuk i shpëton kësaj qasjeje. Ndodhi në 2015-ën dhe të gjithë e dimë se cili është rezultati: shërbim gjithmonë e më larg ndaj qytetarëve, inefikasitet i pushtetit vendor, përqendrim pushteti, klientelizëm dhe shndërrimi i bashkive në hambare punësimi elektorale. Kësaj gjëje nuk ka për t’i shpëtuar as ky pretendim apo projekt.

Gazetarja: Pra nuk është reformë thoni?Enkelejd Alibeaj: Absolutisht që jo. Është një ndryshim i ca rregullave elektorale për pushtetin vendor të 2027-s, e cila shërben si paradhomë për zgjedhjet.

Gazetarja: Pse duhet ta bëjë këtë mazhoranca? Në fund të fundit shumicën e bashkive i ka edhe me këtë reformë që ishte deri tani. I fitoi. Sepse edhe për reformën e 2015-s Partia Demokratike tha që efekti ishte elektoral.

Enkelejd Alibeaj: Elektoral është tani ambicia. Akoma më shumë elektoral. Pushteti është një bishë e cila nuk mund të rrijë në një gjendje stanjative.

Rama i ka të gjitha bashkitë sigurisht, por do të duhet që në situatën aktuale t’i duhet të marrë masa preventive pa le se çfarë ndodh më vonë. Dhjetë muaj më parë këtu ishin 83 apo 86 mandate në majën e pushtetit duke dërrmuar gjithë pjesën tjetër. Shih sa shpejt ndryshon konjunktura e pushtetit. Tashmë artikulon dorëheqje, thotë që nuk do të dorëhiqem se duhet të ketë disa ndryshime me radhë.

Rama këtë e di. Duke qenë se është një kafshë e pushtetit në kuptimin që asnjëherë nuk tërhiqet, ai di ta shfrytëzojë dhe ta abuzojë në ekstrem pushtetin dhe edhe në këtë rast është duke marrë masat. Tashmë e dimë projektin e madh, njërin nga projektet e mëdha të Ramës, të ashtuquajturën “Paketa e Malit”.

Nuk është vetëm kjo, por kjo është një nga projektet e mëdha që ai ka nxjerrë, e cila nuk mund të realizohet nëse nuk ka një lloj bashkëpunimi për aq sa kanë peshë edhe bashkitë. Reduktimi sigurisht është një instrument ndihmës në idetë e kryeministrit për projektet e veta. Këto janë arsyet: arsye pushteti dhe përqendrim pushteti.

Gazetarja: Interesa nuk shihni asgjë që mund të jetë në shërbim apo që të ketë synim shërbimi ndaj komunitetit dhe ndaj qytetarëve?

Enkelejd Alibeaj: Nuk e shoh realisht. Nuk dua ta shoh zi çdo gjë që bën kjo palë e vjetër politike, por ka një lakmus sipas të cilit ti mund të shohësh nëse ka ndonjë qëllim të mbarë apo jo. Filloi dhjetë muaj më parë në shtator, ku zotëria lançoi një nga tri reformat e mëdha, veç asaj kushtetuese dhe zgjedhore, edhe këtë, depsi askush nuk ia kishte kërkuar.

Kishte problem sigurisht, por ai e lançoi vetëm në rastin kur pa që mori 84 plus mandate dhe që mund ta bënte vetëm. E dyta, e filloi si një reformë me bashkëpjesëmarrje të opozitës për t’u treguar që ai, në krye të 80 e kusur mandateve, nuk është njeriu arrogant i pushtetit. Në fakt pamë që brenda 10 muajve tregoi fytyrën e vërtetë. Ky komisioni i reformës territoriale, ku pamë vetëm Maznikun dhe Boçin, gjasme sikur bënin një dëgjesë të madhe me publikun.

Gazetarja: Kush prej tyre po bënte më shumë gjasme?

Enkelejd Alibeaj: Të dy. Mund ta shpjegoj edhe qasjen e opozitës; nuk është aq e rëndë sa e mazhorancës, por ka edhe peshën e fajit. Sinqeriteti në të bërit të një reforme nuk i nënshtrohet presionit të kohës. Ti nuk mund të bësh një reformë për 2027-ën duke filluar nga 2025-a. Madje edhe sot po nxiton sepse pas pothuajse 10 muajsh do të jesh në zgjedhje vendore dhe po bën një ndryshim. Reformat të cilat duhet të jenë të qëndrueshme dhe të gjithëpranuara nuk bëhen sot për sot.

Është abuzuar me këtë historinë e dëgjesave me qytetarët. Qytetarët nuk thjesht nuk dëgjohen, por ata duhet të vendosin, sidomos nëse ka një rrafsh pushteti ku ata duhet të vendosin, ndoshta dhe me referendume siç kërkon Partia Demokratike.

Diskutimi që bëhet për reformën e pushtetit vendor është shndërruar në një lojë numrash: 61, 46, 100 apo 150. Këtu nuk është çështja nëse janë pak bashki apo shumë bashki, por që është pak pushtet për ato bashki që janë. Ky sistem pushteti vendor vuan nga mungesa e kompetencave dhe decentralizimi, që do të thotë shkëputje e kompetencave nga pushteti qendror dhe delegimi tek ai vendor.

Çdo diskutim me ekspertë dhe akademikë do të duhet të kishte filluar nga kjo pikë, pastaj numri do të ishte një derivat i parëndësishëm. Kjo është çështje e aritmetikës elektorale.

Gazetarja: Ju thatë që dëgjesa me qytetarët ka bërë gjasme dhe se zoti Boçi ka thënë se Partia Socialiste e kishte gati librin e saj dhe nuk u interesua të bënin një projekt të përbashkët. Ju keni qenë bashkëkryetar i komisionit të reformës zgjedhore.

Çfarë mund të bëjë Partia Demokratike në këto kushte?

Enkelejd Alibeaj: Mund te beje gjë të thjeshtë: të jetë e vërtetë, siç kam qenë unë në rastin e komisionit të reformës zgjedhore. Edi Rama nuk njeh bashkëndarje të pushtetit; është njeri që të shkel me këmbë kur ka pushtet me tepri. Pyetja që kam unë është pse këta shkuan në komisionin e reformës territoriale dhe atë zgjedhore mbasi thoshin se zgjedhjet u vodhën dhe nuk i njihnin?.

Ka një antilogjizëm në sjelljen e këtyre njerëzve. Unë nuk jam për të qenë në bojkot, por kur je i dobët dhe nuk i ke numrat, gjënë e parë që bën është që u thua shqiptarëve qëndrimin tënd për reformën territoriale dhe kompetencat që duhen marrë nga pushteti qendror.

Kjo nuk ndodhi në ditën e parë, por shumë më vonë. Kur nuk ke forcë, ti i drejtohesh publikut dhe i bën me dije cili është qëndrimi yt. Për shkak të procesit të integrimit, Edi Rama ishte i detyruar ta kishte opozitën në tavolinë, por këta nuk e përdorën këtë për ta kushtëzuar. U kthyen thjesht në kuratorë të vegjël të imazhit të Edi Ramës.

Gazetarja: Ju thatë që reforma territoriale e 2014-s ishte një hartë elektorale. Po shtimi i numrit të bashkive në 100 nga Partia Demokratike, si e shihni ju këtë projekt?

Enkelejd Alibeaj: Gjë të thjeshtë: të jetë e vërtetë, siç kam qenë unë në rastin e komisionit të reformës zgjedhore. Edi Rama nuk njeh bashkëndarje të pushtetit; është njeri që të shkel me këmbë kur ka pushtet me tepri. Pyetja që kam unë është pse këta shkuan në komisionin e reformës territoriale dhe atë zgjedhore mbasi thoshin se zgjedhjet u vodhën dhe nuk i njihnin?.

Ka një antilogjizëm në sjelljen e këtyre njerëzve. Unë nuk jam për të qenë në bojkot, por kur je i dobët dhe nuk i ke numrat, gjënë e parë që bën është që u thua shqiptarëve qëndrimin tënd për reformën territoriale dhe kompetencat që duhen marrë nga pushteti qendror. Kjo nuk ndodhi në ditën e parë, por shumë më vonë. Kur nuk ke forcë, ti i drejtohesh publikut dhe i bën me dije cili është qëndrimi yt.

Për shkak të procesit të integrimit, Edi Rama ishte i detyruar ta kishte opozitën në tavolinë, por këta nuk e përdorën këtë për ta kushtëzuar. U kthyen thjesht në kuratorë të vegjël të imazhit të Edi Ramës.

Gazetarja: S’kërkuan as vetë minimalisht një projekt të përbashkët?

Enkelejd Alibeaj: Kur e di se çfarë kafshe politike ke përballë, nuk shpreson që nga djall të jetë shndërruar në engjëll. Për këtë arsye kërkon garancinë evropiane dhe veton që të mos shkonte Edi Rama tani të nxirrte 46 bashki dhe ta mbyllte historinë e opozitës. Unë për reformën zgjedhore kam thënë që në momentin e parë se Shqipëria duhet të jetë një zonë zgjedhore, me votim dhe numërim elektronik, lista të hapura dhe votim për diasporën. I kisha bërë publike dhe nuk isha në dhoma të fshehta.

Këta u futën në dhoma të fshehta me Ramën. Të nxjerrësh propozimin për 100 bashki tani, mbasi Rama nxori 46 dhe mbasi u pa që shqiptarët filluan të rebelohen, është parazitizëm banal politik.

Gazetarja: Diçka zyrtarisht nuk kishte thënë, por që Partia Demokratike ishte për një shtim të numrit të bashkive. Kjo ishte artikuluar, thjesht nuk ishte një propozim konkret.

Enkelejd Alibeaj: Nëse do të shohësh se cili është niveli i demokracisë në një vend, shih sistemin e demokracisë lokale. Nuk mund të futesh në këto labirintet e vogla të numrit të bashkive. Kjo do të duhet të jetë e lidhur me nocionin thelbësor se sa kompetenca i duhen marrë pushtetit qendror për t’ia dhënë atij lokal.

Nuk është turp të thuash edhe 46 bashki apo 36 sa kanë qenë në kohën e komunizmit, por me kompetenca reale të pushtetit vendor. Shqiptarët sot kanë një problem të madh politik me pushtetin e Edi Ramës që ka gjithçka në dorë. Kanë një nevojë që të mos e kenë jetën e tyre të lidhur vetëm me një emër, por të krijohen pole të tjera të vogla pushteti në shtëpitë dhe qytetet e tyre. Prandaj po ndodh sot që edhe kryetarët e bashkive të PS-së po rebelohen. Enkelejd Alibeaj: Për sa kohë është vetëm një numër 100, por nuk ka të shoqëruar masën e kompetencave (mbledhja e taksave, administrimi i territorit, shërbimet), është thjesht dhe vetëm çështje elektorale.

Kufijtë natyralë, gjeografikë dhe historikë në Shqipëri janë të vendosur, kështu që nuk është e kotë të luash me një gjë që natyra e ka krijuar. Sot po ndodh një migrim i brendshëm nga periferia në qendër, jo i natyrshëm, për shkak të këtyre lojërave elektorale që i largojnë shërbimet nga njerëzit. Numri duhet parë si një instrument për ta relaksuar qëndrimin e njerëzve në territoret e tyre.

Gazetarja: Disa bashki socialiste kanë kundërshtuar. Zoti Rama i sheh këto kundërshti si shenjë e demokracisë së brendshme dhe ka thënë se do të ketë një afat 60-ditor për konsultime. Janë të mjaftueshme apo do të duhej një referendum?.

Enkelejd Alibeaj: Pashë një zmbrapsje dhe një qëndrim jo stabil të Ramës. Fillimisht thanë se do ta bënin vetë ligjin, pastaj që do të miratonin vetëm ndryshimet në hartë, e në fund vetëm e depozituan. Rama doli dhe tha që jemi në një fazë të hershme konsultimi. Ky ndryshim nga pozicionet e forcës dhe arrogancës tregon se ka diçka tjetër. Rama e di që Berishën e mund në çdo rast, por tashmë i ka dalë një tjetër lojtar në fushë me potencial të madh: lëvizja qytetare.

Ata kanë ulur kredon politike të Berishës dhe të Ramës në bashki të caktuara. Kryetarët e bashkive si në Poliçan, Klos, Dimal apo Divjakë e kanë marrë frymëzimin për rebelim pikërisht nga atmosfera e rebelimit që po ndodh prej dy muajsh në shesh. Kjo është e vetmja gjë që e shqetëson Ramën sot. Protesta është fushatë elektorale që dërrmon imazhin e Ramës dhe prish solidaritetin e partisë së tij.

Gazetarja: Duhet të konkretizohet e gjithë kjo energji në një subjekt politik apo lëvizje?.

Enkelejd Alibeaj: Objektivi i asaj lëvizjeje për largimin e Ramës dhe kësaj kaste politike është i drejtë dhe racional. Largimi i tyre nuk bëhet vetëm me çështje të sistemit të drejtësisë, sepse kjo është tjetër gjë. Mjetet politike janë vota dhe zgjedhjet.

Unë nuk jam që tani të shndërrohet në parti politike, sepse e vjetra politike do ta sulmonte dhe do ta njolloste. Ajo lëvizje është heterogjene, ka të majtë, të djathtë, konservatorë e ekologjistë, prandaj është e bukur. Duhet të ruajë këtë strukturë konglomerate për të ruajtur forcën e vet. Forca e saj politike është më e madhe se e Ramës dhe e Berishës bashkë. Rruga e duhur civile është sfidimi në zgjedhje. /gazeta sot/

Sqarim: Çdo person prezumohet i pafajshëm deri sa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë.

Te tjera

Lajme te tjera