Ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Andis Salla, së bashku me zëvendësministrat Tana Kika dhe Arjan Jaupllari, zhvilluan një vizitë në Korçë, ku u fokusuan te forcimi i bashkëpunimit me institucionet akademike dhe sektorin bujqësor. Gjatë takimeve, u diskutua për rolin e universiteteve në zhvillimin e kërkimit shkencor, inovacionit dhe përgatitjen e profesionistëve të rinj. Në qendër të vëmendjes ishte edhe projekti “TOKA”, i cili synon të krijojë një model të ri bashkëpunimi mes institucioneve, universitetit dhe fermerëve. Vizita u shoqërua me diskutime për modernizimin e bujqësisë, sigurinë ushqimore dhe përafrimin e sektorit me standardet e Bashkimit Evropian. “Me Ministrin e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural Andis Salla për vijimin dhe forcimin bashkëpunimit mes Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural dhe Universitetit “Fan S. Noli”, duke lidhur më ngushtë dijen akademike, kërkimin shkencor dhe inovacionin me nevojat konkrete të bujqësisë dhe sektorit agro-ushqimor. Përmes projektit “TOKA”, që do të pilotohet në rajonin e Korçës në bashkëpunim me bashkitë e zonës dhe Universitetin Wageningen, synojmë të ndërtojmë një model të ri bashkëpunimi mes institucioneve, universitetit dhe fermerëve, duke krijuar njëkohësisht më shumë hapësira për përfshirjen e studentëve dhe profesionistëve të rinj. Dyert e Ministrisë janë të hapura për studentët që duan të kontribuojnë me dije, ide dhe ekspertizë, ndërsa së bashku me universitetet do të punojmë për forcimin e rolit të agronomit, sigurinë ushqimore dhe përgatitjen e profesionistëve që i duhen një bujqësie moderne, konkurruese dhe në përputhje me standardet e Bashkimit Evropian”, shkruan zv/ministrja e Bujqësisë, Tana Kika në rrjetet sociale.
