Vendi ynë vijon betejën me zjarret, me 45 vatra të raportuara gjatë 24 orëve të fundit, prej të cilave 12 mbeten aktive dhe një është në monitorim. Sipas Ministrisë së Mbrojtjes, rreth 418 hektarë sipërfaqe janë djegur dhe 250 rrënjë ulliri janë dëmtuar.
Në operacionet gjatë 24 orëve janë angazhuar 72 automjete zjarrfikëse, 839 forca operacionale, 250 efektivë të Forcave të Armatosura, pesë helikopterë dhe dy avionë “Air Tractor”. Aktualisht vijojnë operacionet me 167 efektivë të FA-së, tre helikopterë dhe dy avionë.
Tiranë – Tymi mbulon Dajtin, flakët iu afruan banesave
Situata më shqetësuese është regjistruar në Priskë, Daias, Gurrë, Farkë dhe Lundër, ku zjarri i favorizuar nga era u përhap në një zonë me bimësi të dendur. Tymi mbuloi horizontin e Tiranës dhe Dajti mezi dallohej mëngjesin e sotëm.
Në Daias, flakët iu afruan zonës së banuar. Banori Albert Spahiu tregoi se familjarët u detyruan të largoheshin përkohësisht. “Zjarri ishte gati 100 metra larg”, tha ai.
Edhe Ramazan Çullhaj tha se zjarri nisi në Priskë dhe më pas u përhap nga era. “Zjarri fillimisht ka rënë në Priskë dhe më pas u përhap më tej”, deklaroi ai.
Prefekti i Tiranës, Shkëlqim Hajdari, tha se janë pesë vatra të largëta nga njëra-tjetra dhe ngriti dyshime mbi origjinën e tyre.
“Kemi 5 vatra shumë larg njëra-tjetrës. Nuk përjashtohet zjarrvënia e qëllimshme, pasi kanë shpërthyer në të njëjtën ditë”, u shoreh Hajdari.
Dyshimi për zjarrvënie nuk është konfirmuar nga hetimet. Ndërkohë, një rrebesh shiu në Priskë ndihmoi në uljen e intensitetit të flakëve.
Në Dajt, mbi tunelet e Qafë Mollës, vijon puna për shuarjen e zjarrit në pyllin me pisha. Sipas Ministrisë së Mbrojtjes, nuk ka rrezik për zonat e banuara.
Në Daias dhe Lundër, situatën e vështirësoi edhe mungesa e ujit pas çarjes së një tubacioni të transmetimit në zonën e TEG.
Lurë – Parku Kombëtar në flakë prej tre ditësh
Në Gurë-Lurë, zjarri vijon prej tre ditësh dhe ka përfshirë masivin me pishë të zezë dhe bredha. Terreni i vështirë pengon ndërhyrjen nga toka, ndërsa në operacion janë angazhuar rreth 220 forca dhe dy avionë, që po ndërhyjnë nga ajri.
Elbasan – Zjarri në Lugaxhi avancon drejt banesave
Një vatër zjarri ka përfshirë masivin pyjor në Lugaxhi, Labinot Mal, duke avancuar drejt zonës së banuar. Zjarrfikësit, emergjencat civile dhe banorët po punojnë për izolimin e flakëve dhe mbrojtjen e shtëpive. Terreni i vështirë po pengon operacionin, ndërsa deri tani nuk raportohet për persona të lënduar.
Fier dhe Mallakastër – Vatrat vihen nën kontroll
Situata është përmirësuar në Drenie të Patosit, Lofkand, Ngraçije dhe Gjinoqar, ku vatrat janë izoluar ose vënë nën kontroll.
Shefi i emergjencave pranë Prefekturës së Fierit, Kreshnik Ymeraj, tha se monitorimi do të vazhdojë në të gjithë perimetrin. “Besoj se kemi arritur të vëmë nën kontroll një nga zjarret më të vështira në qarkun Fier”, deklaroi Ymeraj.
Ai falenderoi Forcat e Armatosura, Bazën Ajrore Farkë, AKMC-në dhe zjarrfikësit e angazhuar në operacion.
Përmet – Dy vatra në Nëmerçkë dhe Dhëmbel
Në malin e Nëmerçkës dhe malin Dhëmbel vijojnë dy vatra zjarri. Terreni i vështirë malor komplikon ndërhyrjen, por sipas raportimeve, aktualisht nuk ka rrezik për zonat e banuara.
Devoll – Flakë në malin e Moravës
Në malin e Moravës vijon ndërhyrja për shuarjen e një vatre që ka përfshirë një zonë me pyll pishe. Edhe këtu autoritetet raportojnë se nuk ka rrezik për banesat.
Mirditë dhe Kurbin – Vatra aktive dhe zona nën monitorim
Në Mirditë vijon puna për vatrat aktive, përfshirë zonat e Valcë-Tenës, Perlatit dhe Trojës/Trojezit. Në disa pjesë intensiteti i flakëve ka rënë, por ekipet vazhdojnë punën për izolimin e plotë.
Ndërsa në Vilëz të Kurbinit, vatra është në monitorim.
Vau i Dejës – Vijon ndërhyrja në pyllin me pisha
Në Vaun e Dejës strukturat e emergjencave vijojnë operacionin për shuarjen e një vatre në një sipërfaqe me pisha.
Fushë-Arrëz – Zjarri që rrezikoi pyllin me pisha vihet nën kontroll
Në Fushë-Arrëz, pranë fshatit Orosh, një vatër e shfaqur mesditën e sotme rrezikoi të përhapej në masivin me pisha. Ndërhyrja e shpejtë e zjarrfikësve bëri të mundur vendosjen e saj nën kontroll.
Bubq – Raportohet vatër e re
Një vatër zjarri është raportuar edhe në Bubq, ku për ndërhyrjen është dërguar një automjet zjarrfikës nga Vora. Autoritetet vijojnë monitorimin në të gjithë vendin, ndërsa prioritet mbetet mbrojtja e qytetarëve, banesave dhe izolimi sa më i shpejtë i vatrave aktive.
