E enjte, 13 Gusht, 2026

Çfarë pritet të ndodhë në shtator dhe si revolta popullore do të përmbysë dyshen Rama-Berisha, gazetari Poli Hoxha paralajmëron “cunam” brenda PS, zbulon “Planin B” të Belinda Ballukut për të goditur kryeministrin nëse i hiqet imuniteti

Share

Gazetari i njohur, Poli Hoxha ka zbërthyer prapaskenat e nxehta që pritet të tronditin skenën politike vendase në shtator.
Teksa ishte i ftuar në studion e “NTV Televizion”, gazetari Hoxha paralajmëroi se protestat popullore po shkojnë drejt pikës kulminante, ku “karta e stabilitetit” do t’i hiqet nga dora si kryeministrit Edi Rama, ashtu edhe kreut të Partisë Demorkatike, Sali Berisha.

Sipas tij, nëse protesta e paralajmëruar përshkallëzohet në mosbindje civile, kontrollin e merr vetë sheshi. Në këtë skenar, thekson ai, kryeministri Ramashndërrohet në një kosto të papërballueshme për aleatët perëndimorë, të cilët nuk do ta lënë zgjidhjen në rrugë por do të kërkojnë një kthesë të re politike.

Por përplasja më e egër pritet të shpërthejë brenda mureve të vetë mazhorancës, ku ish-zv/kryeministrja Belinda Balluku po përgatit hakmarrjen. Nëse Prokuroria e Posaçme (SPAK) dërgon për herë të dytë kërkesën për heqjen e imunitetit të saj dhe Rama jep urdhër politik për ta lëshuar, gazetari Hoxha zbulon se ish-zv/kryeministrja Balluku do të “nxjerrë kthetrat” duke hedhur në zbatim “Planin B”.

Brenda Partisë Socialiste thuhet se ka të paktën 13 deri në 14 figura me peshë që janë rreshtuar hapur kundër saj. Nga ana tjetër, vonesat dhe zgjatja e hetimeve nga SPAK nuk janë aspak një shenjë e mirë për Ballukun. Zakonisht këto shtyrje ndodhin kur prokurorët presin të dhëna për llogari bankare apo pasuri të fshehura jashtë vendit për t’i kopsitur në dosjen hetimore.

Ndërkohë, ai shtoi se në Bruksel dhe kryeqendrat e BE-së, diplomatët e shohin qeverinë me përçmim për shkak të korrupsionit galopant, duke e bërë mbrojtjen e Ramës një mision të pamundur për liderët perëndimorë.

Pjesë nga intervista e z. Poli Hoxha

Gazetari: A jemi populli më i varfër në Europë? Si nuk jemi më të varfër se Maqedonia, Kosova apo Mali i Zi?

Poli Hoxha: Nuk mund ta them atë, është çështje perceptimi. Por të vjedhësh një nga vendet më të varfra të Europës është makabritet. Ka 36 vite që ky vend vidhet.

Gazetari: Je bërë gati për të hyrë në Parlament më duket?

Poli: Jo fare, kjo nuk është gjuhë gazetarie, por e vërteta që e dimë të dy. Edhe po të ishim populli më i pasur në Europë, këta nuk duhet të qëndronin në pushtet nëse vjedhin. Kanë vjedhur në mënyrë aq të babëzitur sa nuk i mbron asnjë lloj legjitimiteti.

Gazetari: Po zgjerimin e vendos qeveria, nuk është bërë asnjë referendum deri tani pro ose kundër zgjerimit…

Poli: Diplomatët në Bruksel e trajtojnë këtë qeveri me përçmim për çështjen e korrupsionit. Të mbrosh sot Edi Ramën, po të jesh president i Gjermanisë apo kryeministër i BE-së, është shumë e vështirë.

Gazetari: … Pra opsioni i gërryerjes bie, sepse duhet të shkëputeshin 15 deputetë dhe kjo nuk po ndodh.

Poli: Nëse SPAK çon për herë të dytë kërkesën për Ballukun dhe Rama jep urdhër politik që të mos e mbrojnë, Balluku do të nxjerrë kthetrat. Thuhet se ka të paktën 13-14 njerëz aty brenda që i kundërvihen. Sa i përket SPAK-ut, zgjatja e hetimeve nuk është në favor të Ballukut; zakonisht hetimet shtyhen kur dalin llogari bankare apo pasuri jashtë vendit që duhen kompletuar në dosje.

Gazetari: Rama thotë se ka kontratë me 800,000 qytetarë dhe ju mund të vazhdoni të protestoni.

Poli: Nëse në shtator protesta kalon në mosbindje civile, karta e stabilitetit i kalon sheshit, nuk e ka më as kryeministri dhe as Sali Berisha. Faktori ndërkombëtar nuk do t’ia lërë zgjidhjen rrugës, por do të kërkojë një zgjidhje politike. Nëse populli rri në shesh, kryeministri kthehet në kosto për aleatët. /gazeta sot/

Sqarim: Çdo person prezumohet i pafajshëm deri sa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë.

Te tjera

Lajme te tjera