Ideja e Serbisë për të devijuar rrjedhën e lumit Ibër, i cili përshkron dhe Kosovën, çoi në një përplasje të fortë Tiranën dhe Beogradin. Ministri i Jashtëm Ferit Hoxha bëri thirrje që Serbia të mos bëjë presion politik me ujin. Por sipas presidentit serb Aleksandar Vuçiç, Shqipëria nuk ka punë me këtë çështje. Në të njejtën linjë ishte edhe ministri i tij i jashtëm Marko Gjuriç.
Presidenti serb Aleksandar Vuçiç tha të dielën se Serbia mund të ndryshojë rrjedhën e lumit Ibër, furnizuesit kryesor hidrik të liqenit të Ujmanit në Kosovë.
Pavarësisht nëse bëhet fjalë për një përpjekje konkrete apo thjesht një lëvizje provokuese, ministri i Jashtëm shqiptar, Ferit Hoxha reagoi këtë të hënë me shqetësim, duke i kujtuar Serbisë konventat ndërkombëtare.
“Shqipëria pret që Serbia të respektojë plotësisht detyrimet e saj ndërkombëtare dhe parimet e fqinjësisë së mirë. Çdo projekt ose masë që mund të ndikojë në rrjedhën, sasinë apo cilësinë e ujërave që prekin Kosovën duhet të trajtohet përmes konsultimit me palën e prekur. Uji nuk mund të përdoret si instrument presioni politik dhe as si mjet për të ndëshkuar një vend apo një popullsi tjetër”, tha Ferit Hoxha.
Pas deklaratës së Hoxhës, Vuçiç reagoi i pari duke shprehur habi për këtë reagim, në një intervistë për televizionin publik serb.
“Është çështje e brendshme e jona. Nuk e di se çfarë lidhjeje ka Ibri me Shqipërinë”, tha mes të tjerash Vuçiç.
Por për ministrin e jashtëm shqiptar “Ndryshimi i rrjedhës së një lumi që është pjesë e një sistemi ujërash ndërkufitare nuk është një çështje thjesht e brendshme dhe as një vendim që mund të merret në mënyrë të njëanshme, veçanërisht kur pasojat e tij prekin drejtpërdrejt territorin, mjedisin, sigurinë ujore, furnizimin me ujë dhe jetën e qytetarëve të një shteti tjetër”.
Më pas, ishte ministri i Jashtëm serb Marko Gjuriç i cili, në të njejtën linjë me Vuçiçin, reagoi përmes një postimi të gjatë në rrjetet sociale, duke i mëshuar faktit se sipas tij Shqipëria nuk ka asnjë bazë territoriale apo hidrologjike për të pretenduar një rol në këtë çështje.
“Serbia është një shtet sovran dhe do të vendosë vetë se si do t’i menaxhojë burimet e saj natyrore. Shqipëria nuk do t’i marrë këto vendime dhe as askush tjetër jashtë Serbisë.
Ne do të vazhdojmë të mbrojmë të drejtat e popullit tonë, integritetin e territorit tonë dhe interesat tona legjitime kombëtare. Përpjekjet për të larguar vëmendjen nga situata në terren ose për të pretenduar një rol në çështje që nuk janë në juridiksionin e Shqipërisë nuk do të kenë sukses”, tha mes të tjerash ministri i Jashtëm serb.
Nga Prishtina, ushtruesja e detyrës së Presidentes Albulena Haxhiu u kërkoi diplomatëve të Kosovës të adresojnë me partnerët ndërkombëtarë, shqetësimin për deklaratat e Vuçiçit.
Duke folur në Konferencën e Ambasadorëve të Kosovës, Haxhiu tha se diplomatët kosovarë duhet t’i informojnë qeveritë e vendeve ku shërbejnë për pasojat që, sipas saj, mund të ketë një ndërhyrje e njëanshme në rrjedhat ujore ndërkufitare. Ajo theksoi se sistemi Ibër-Lepenc dhe liqeni i Ujmanit janë jetikë për furnizimin me ujë, energjinë dhe bujqësinë në Kosovë.
“Në anën tjetër, Serbia vazhdon politikën e saj hegjemoniste ndaj Kosovës, një tjetër shqetësim serioz që duhet të adresohen me partnerët tanë ndërkombëtarë janë edhe deklaratat e fundit të Vuçiqit për mundësinë e ndryshimit të rrjedhës së lumit Ibër. Siç e dini për letencën dhe liqenin e Ujmanit, janë pjesë e një sistemi epik për furnizim me ujë për energjinë bujqësinë dhe jetën e qindra mijërave qytetarëve të Kosovës. Ndërhyrja e njëanshme në rrjedhat ujore ndërkufitare do të kishte pasoja shumë përtej një çështjeje teknike. Nga se do ta prekte sigurinë ujore, energjetike, mjedisore dhe njerëzore të Republikës tonë. Për këtë arsye, diplomatët tanë duhet t’i bëjnë të njohura këto deklarata në kryeqytetet ku shërbejnë, dhe t’i informojnë qeveritë e vendeve pritëse për natyrën dhe pasojat e kësaj ideje absurde sa edhe kërcënuese. Duhet ta bëjmë të qartë se përdorimi i burimeve ujore si instrument presioni ndaj Kosovës është i papranueshëm dhe se ide të tilla që ringjallin qasje shoviniste dhe destabilizuese ndaj Kosovës duhet të marrin vëmendjen dhe reagimin e duhur ndërkombëtar. Kosova pret nga partnerët e saj që çdo veprim që rrezikon burimet ujore jetike për vendin të trajtohet me përputhje me parimet e së drejtës ndërkombëtare për ujërat ndërkufitare, përfshirë edhe përdorimin e drejtëve të arsyeshme të tyre dhe detyrimin për të parandaluar dëmin e konsiderueshëm ndërkufitar” tha Haxhiu.
Ideja për ndryshimin e rrjedhës së Ibrit nuk është e re. Vuçiç e kishte përmendur edhe dy vite më parë, kur kishte mohuar përfshirjen e Serbisë në shpërthimin që dëmtoi kanalin Ibër-Lepenc në Varagë të Zubin-Potokut.
Nga lumi Ibër varet furnizimi me ujë në një pjesë të madhe të Kosovës, si dhe prodhimi i energjisë elektrike.
Por të dielën, Vuçiç gjatë vizitës në punimet e Urës së Vjetër Hekurudhore në Beograd iu rikthye sërish idesë së zhvendosjes së rrjedhës së Ibrit.
“Ne tashmë kemi ftuar ekspertët që merren me këtë çështje, sektorin e ndërtimit, inxhinierë dhe të tjerë. Meqë po e maltretojnë kaq shumë popullin tonë, të shohim, kemi arsye të ndryshme për ndryshimin e rrjedhës së Ibrit, dhe pastaj do të shohim se çfarë do të bëjnë shqiptarët dhe si do të sillen”, deklaroi ai.
Po nga politika e Tiranës për zhvillimet në Beograd lidhur me Kosovën reagoi edhe kryeopozitarit Berisha, i cili komentoi edhe një herë deklaratën e Zelenskyt për mos njohjen e Kosovës shtet. Për Berishën deklarata është e papranueshme por sipas tij Shqipëria nuk mund ta tërheqë mbështetjen për Kievin.
“Në qoftë se presidenti bëri një deklaratë të tillë, ne nuk e harrojmë dhe ne nuk pranojmë këtë deklaratë, por natyrisht nuk mund të bëhet fjalë që ne të ndryshojmë qëndrimin ndaj agresionit barbar rus, ndaj popullit të Ukrainës dhe kombit ukrainas që po bën një luftë heroike, në fakt në mbrojtje të pavarësisë dhe të integritetit”, tha ai.
Deklarata Zelenskyt u kundërshtua edhe në mes politikës së Kievit. Kryetari i Komisionit për Politikë të Jashtme në Parlamentin ukrainas, Oleksandr Merezhko, thotë se njohja e Kosovës nuk do ta shkelte të drejtën ndërkombëtare, pasi është totalisht çështje ndryshe nga Ukraina.
