E martë, 11 Gusht, 2026

Trump del në mbrojtje të Infantinos: FIFA do të bënte një gabim të tmerrshëm nëse e largon

Share

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka dalë në mbrojtje të presidentit të FIFA-s, Gianni Infantino, duke deklaruar se largimi i tij nga drejtimi i organizatës botërore të futbollit do të ishte një “gabim i tmerrshëm”.

FIFA do të bënte një gabim të tmerrshëm nëse, për çfarëdo arsye, do të merrte në konsideratë zëvendësimin e presidentit Gianni Infantino”, shkroi Trump në rrjetet sociale, duke vlerësuar punën e tij në drejtimin e FIFA-s dhe suksesin financiar të kompeticioneve të organizuara prej saj.

Reagimi vjen në një moment tensionesh mes FIFA-s dhe tre konfederatave të mëdha të futbollit, UEFA-s, CONCACAF-it dhe Konfederatës Aziatike të Futbollit (AFC). Në një letër të hapur, ato kanë ngritur akuza të forta lidhur me mënyrën se si është trajtuar projekti i anuluar FIFA Forward Enterprise (FFE).

Projekti parashikonte krijimin e një kompanie të re që do të menaxhonte të drejtat komerciale dhe të biletave të kompeticioneve të FIFA-s, përfshirë Kupën e Botës, ndërsa 21% e saj parashikohej t’i shitej një kompanie private investimesh.

Sipas raportimeve, grupi i investitorëve pritej të drejtohej nga Thrive, firma amerikane e kapitalit sipërmarrës e themeluar nga Joshua Kushner, vëllai i Jared Kushner, dhëndrit të Trump. Presidenti amerikan kishte deklaruar më herët se nuk kishte diskutuar me Infantinon për planet e FFE-së.

UEFA, CONCACAF dhe AFC kanë kritikuar ashpër drejtimin e FIFA-s, duke deklaruar në letrën e tyre se “kur besimi thyhet përmes mashtrimit” dhe një individ e vendos veten mbi kolektivin që i ka besuar autoritetin, përgjegjësia e tij është braktisur. Deklarata nuk e përmend drejtpërdrejt Infantinon, por burime të cituara nga BBC Sport thonë se ajo duhet parë si një mundësi që kreu i FIFA-s të japë dorëheqjen.

Nga ana tjetër, FIFA ka denoncuar atë që e cilëson si një “përpjekje të bashkërenduar dhe të vazhdueshme” për të minuar organizatën dhe presidentin e saj.

Sipas BBC Sport, mes tre konfederatave ka pasur edhe diskutime paraprake mbi mundësinë e krijimit të garave të shkëputura nëse Infantino qëndron në detyrë, megjithëse bisedime konkrete për një skenar të tillë ende nuk kanë nisur.

Trump dhe Infantino kanë shfaqur prej kohësh një marrëdhënie të afërt, ndërsa presidenti amerikan e konsideron kreun e FIFA-s një figurë kyçe për suksesin dhe të ardhurat e organizatës botërore të futbollit.

Te tjera

Lajme te tjera