E hënë, 10 Gusht, 2026

Sandër Lleshaj mesazh Edi Ramës: Ka ardhur koha të japësh dorëheqjen

Share

Ish-ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj, ka komentuar protestat qytetare dhe kërkesën për dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama.

Në një intervistë për “Panorama”, Lleshaj shprehet se protestat janë një zhvillim i rëndësishëm demokratik dhe se politika duhet t’i dëgjojë qytetarët, ndërsa për dorëheqjen e Ramës sjell edhe eksperiencën e tij personale si ministër.

I pyetur nëse Edi Rama duhet të japë dorëheqjen për t’i hapur rrugë një zgjidhjeje politike, Lleshaj thotë se koha ka ardhur.

“Sikur të kisha komunikim me Kryeministrin dhe vullnetin e tij për një këshillë, mbase do t’ia kisha dhënë, por koha e ka sjellë edhe shuarjen e këtij komunikimi. Ndaj, në këto kushte, mendoj se mua më takon vetëm heshtja etike dhe profesionale që lidhet me marrëdhënien e dikurshme politike me Kryeministrin. Personalisht mendoj se dorëheqja nuk është ndonjë dramë, por një lloj bekimi që njeriu përjeton në momentin kur koha është pjekur për të. Unë vetë e kam përjetuar këtë bekim në vitin 2020, kur hoqa dorë nga posti i ministrit të Brendshëm për arsye se njëri ndër mijëra punonjësit e policisë bëri një krim në mesnatë gjatë shërbimit të tij në patrullë. Dhe çdo ditë që ka kaluar që atëherë vetëm sa më ka shtuar bindjen se ai vendim ishte edhe një bekim.”, tha ish ministri.

Lleshaj e sheh valën e protestave si një zhvillim të rëndësishëm për demokracinë shqiptare dhe kritikon mënyrën se si politika është përpjekur t’i trajtojë qytetarët që dalin në rrugë.

Sipas tij, protesta qytetare është një e drejtë që duhet respektuar dhe jo delegjitimuar.

“Protestat kanë sjellë një dinamikë të re dhe të nevojshme në jetën e vendit, pas një periudhe relativisht të gjatë letargjie politike dhe shoqërore. Jehona e gjerë ndërkombëtare është shprehje e magnitudës së tyre. Ndryshe nga bota demokratike, Shqipëria e këtyre viteve paradoksalisht ka parë protesta të partive parlamentare në rrugë dhe rol krejt periferik të tyre në Kuvend. Në fakt parlamenti është forumi i partive politike dhe rruga u takon qytetarëve që nuk ndihen të përfaqësuar në Kuvend. Kësaj radhe po përjetojmë një zhvillim normal. Qytetarët janë në rrugë, ku tashmë duket se nuk ka vend për politikanët që paguhen nga taksat e qytetarëve. Ndërsa këta të fundit, politikanët, nuk dihet më se ku janë.”, tha ai.

Ish-ministri paralajmëron se mosadresimi i kërkesave të protestuesve mund të sjellë përshkallëzim të situatës.

“Politikanët duhet të mbajnë shënim mirë edhe nga protesta e një qytetari të vetëm. Politika duhet që të demonstrojë respekt përballë qytetarëve që e paguajnë. Dhe respekt do të thotë dëgjim pa komente. Përpjekja për të delegjitimuar ata që protestojnë, duke i kërkuar arsyet apo motive e protestës përtej qytetarëve është anakronike.”, shtoi ish ministri.

Lleshaj ngre pikëpyetje edhe mbi mënyrën se si funksionon përfaqësimi politik në Shqipëri, duke vënë në dukje hendekun mes qytetarëve dhe institucioneve.Sipas tij, në kushtet aktuale, politika duhet të tregojë përgjegjësi më të madhe ndaj qytetarëve dhe të mos kërkojë të zhvendosë vëmendjen te faktorë të tjerë.

Te tjera

Lajme te tjera