Kryeministrja italiane Giorgia Meloni dhe homologeja e saj daneze, socialdemokratja Mette Frederiksen, kanë publikuar në rrjetet sociale një “mesazh të përbashkët për Evropën”, ku shprehen kundër asaj që e cilësojnë si “emigracion të pakontrolluar” dhe kërkojnë një politikë më të rreptë migratore në nivel evropian.
Deklarata e dy kryeministreve vjen në një moment tensioni për çështjen e emigracionit në Evropë, ndërsa Italia dhe Spanja janë përfshirë në një përplasje politike pas krizës në Ceuta dhe vendimit të qeverisë italiane për të pezulluar përkohësisht zbatimin e marrëveshjes së Shengenit në kufijtë me Spanjën.
“Bashkë me Mette Frederiksen, kryeministre e Danimarkës, ndajmë disa reflektime mbi të ardhmen e Evropës, sigurinë e qytetarëve të saj dhe nevojën për të mbrojtur vlerat tona dhe mënyrën tonë të jetesës”, shkroi Meloni në Facebook.
Në deklaratën e përbashkët, dy lideret pranojnë se bashkëpunimi i tyre mund të duket i pazakontë, pasi vijnë nga kampe politike shumë të ndryshme.
“Jemi të vetëdijshme se shumë njerëz mund të pyesin veten për bashkëpunimin tonë. Vijmë nga pozicione politike shumë të ndryshme dhe sigurisht që nuk biem dakord për gjithçka”, shprehen ato.
Meloni dhe Frederiksen theksojnë se janë aktualisht dy gratë e vetme në krye të një qeverie në Bashkimin Evropian.
“Njëra prej nesh drejton një vend të madh në Jug, ndërsa tjetra një vend të vogël në Veri. Por na bashkon dëshira për të mbrojtur Evropën”, thuhet në mesazh.
Dy kryeministret shprehen qartë kundër emigracionit të pakontrolluar dhe thonë se kanë ndjekur politika më të ashpra migratore si në vendet e tyre, ashtu edhe në nivel evropian.
“Nuk pranojmë një emigracion të pakontrolluar drejt Evropës dhe kemi promovuar një politikë migratore të rreptë, si në vendet tona, ashtu edhe në Evropë”, deklarojnë ato.
Sipas Melonit dhe Frederiksen, emigracioni i paligjshëm ka sjellë pasoja negative për shoqëritë evropiane.
“Askush nuk mund të mohojë ndikimet negative të emigracionit të paligjshëm në shoqëritë tona: rritjen e kriminalitetit, presionin në rritje mbi shërbimet publike dhe gërryerjen e besimit të qytetarëve”, theksojnë dy lideret.
Ato nënvizojnë veçanërisht rastet kur emigrantë që nuk kanë të drejtë të qëndrojnë në vendet evropiane përfshihen në vepra penale.
“Është veçanërisht serioze kur emigrantë të paligjshëm, të cilët nuk kanë të drejtë të qëndrojnë në vendet tona, kryejnë krime të dhunshme, trafikojnë drogë apo janë përgjegjës për akte dhune seksuale”, thuhet në deklaratën e tyre.
Meloni dhe Frederiksen argumentojnë se qytetarët evropianë presin masa konkrete nga përfaqësuesit e tyre politikë.
“Qytetarët evropianë presin veprime konkrete nga përfaqësuesit e tyre politikë”, shprehen ato, duke shtuar se për një kohë të gjatë, veçanërisht njerëzit e zakonshëm, kanë paguar një çmim shumë të lartë për shkak të emigracionit të pakontrolluar.
“Është detyra jonë të vazhdojmë të angazhohemi me vendosmëri për t’u ofruar përgjigje konkrete qytetarëve, veçanërisht atyre më të ekspozuar, dhe për të garantuar më shumë siguri dhe mbrojtje për komunitetet tona”, përfundojnë dy kryeministret.
