Përplasja me Iranin po zhvendoset gradualisht nga fusha ushtarake drejt një beteje edhe më delikate: asaj të presionit ekonomik dhe negociatave.
Në qendër të lojës është Ngushtica e Hormuzit, një nga arteriet më të rëndësishme energjetike të globit dhe, në këtë moment, një nga kartat më të forta që Teherani ka në dorë.
Presidenti amerikan Donald Trump ka pranuar se mes Uashingtonit dhe Teheranit ekziston një lloj kontakti, duke e përshkruar situatën si një fazë “gjysmë-negocimi”. Strategjia amerikane duket se mbështetet te pritja: Shtëpia e Bardhë llogarit se presioni ekonomik do ta detyrojë Iranin të zbusë pozicionin dhe të ulet në tryezë me kushte më të favorshme për SHBA-në.
Por Teherani po përpiqet ta kthejë të njëjtën armë kundër Uashingtonit.
Sipas raportimeve ndërkombëtare, Irani e ka lidhur normalizimin e plotë të lundrimit në Hormuz me një sërë kërkesash ndaj amerikanëve, mes tyre lehtësimin e sanksioneve, çështjen e aseteve iraniane të ngrira dhe garanci kundër sulmeve të reja.
Këtu qëndron edhe “asi” nën mëngë i Teheranit.
Hormuzi nuk është vetëm një çështje iraniane apo amerikane. Çdo krizë serioze në këtë korridor godet transportin e energjisë dhe mund të ushqejë rritjen e çmimeve në tregjet ndërkombëtare. Me fjalë të tjera, Irani po përpiqet ta shndërrojë presionin mbi ekonominë e tij në presion mbi ekonominë globale.
Por problemet e Trump nuk përfundojnë me Teheranin.
Në të njëjtën kohë, Uashingtoni po përballet me rezistencë nga aleati i tij kryesor në rajon, Izraeli, lidhur me planin amerikan për Gazën.
Propozimi i administratës Trump synon të krijojë një rrugë drejt armëpushimit, çarmatimit të Hamasit dhe grupeve të tjera të armatosura, tërheqjes graduale izraelite dhe krijimit të një administrate palestineze teknokratike.
Izraeli, megjithatë, kundërshton elemente thelbësore të kësaj formule dhe kërkon që çarmatimi të realizohet përpara tërheqjes së forcave të tij. Pikërisht këtu shfaqet një çarje politike që mund të bëhet gjithnjë e më e dukshme: Uashingtoni kërkon një formulë për mbylljen e konfliktit, ndërsa qeveria izraelite kërkon garanci shumë më të forta sigurie përpara se të bëjë lëshime.
Kështu, Trump gjendet përballë një ekuacioni të vështirë në dy fronte.
Me Iranin duhet të negociojë pa krijuar përshtypjen se Uashingtoni po tërhiqet nën presionin e Hormuzit; me Izraelin duhet të ushtrojë presion për kompromis pa shkaktuar një krizë me aleatin strategjik të SHBA-së.
Lufta, pra, mund të jetë duke hyrë në një fazë ku raketat nuk janë më instrumenti i vetëm i presionit. Në tavolinë tashmë janë nafta, sanksionet, Hormuzi dhe arkitektura politike e Gazës. Dhe pikërisht në këtë tavolinë diplomatike mund të përcaktohet se kush do të dalë me më shumë karta në dorë nga kriza e re e Lindjes së Mesme./
