E mërkurë, 12 Gusht, 2026

Spartak Ngjela “hap letrat”: Ja si Sali Berisha shkatërroi Shqipërinë, kompleksi psikik i Edi Ramës në mesin e viteve ’90 dhe ‘pazari’ historik me Ilir Metën që i dha pushtetin, pse vendi nuk ka të ardhme me kryeministrin aktual

Share

Avokat i njohur, Spartak Ngjela ka lëshuar një sërë deklaratash të forta mbi ecurinë politike e historike të Shqipërisë, duke analizuar atë që e cilëson si një “kohë të ngrirë” dhe pa zhvillim për vendin. Në një reagim në rrjetet sociale, avokat Ngjela zbërthen mekanizmat e pushtetit që nga diktatura e Enver Hoxhës e deri te udhëheqësit e tranzicionit, duke vënë në shënjestër të drejtpërdrejtë Sali Berishën, Edi Ramën dhe Ilir Metën.

Nga diktatura e Hoxhës te “krimi” i ’92-shit

Sipas Ngjelës, historitë e kombeve ngrinë atëherë kur nuk ka zhvillim real dhe kur vendi drejtohet nga individë që mbahen në pushtet përmes frikës e tiranisë. Ai thekson se regjimi i Enver Hoxhës funksionoi mbi formulën “frikë, punë, skllavëri dhe zhvillim”, por lëshon akuza të rënda ndaj periudhës së tranzicionit të nisur në vitin 1992. Më tej Ngjela e cilëson një “krim historik” shkatërrimin e bazës industriale të vendit gjatë viteve 1992–1996 nga ai që e quan “pseudoprogresi Berisha”, duke kujtuar se komunizmi e la Shqipërinë me 500 uzina e fabrika dhe një popullsi që ishte rritur ndjeshëm.

Kompleksi i Ramës dhe “pazari” me Ilir Metën

Ndërkohë sa i përket të ardhmes, avokati shprehet i prerë se me kryeministrin aktual Edi Rama vendi nuk ka perspektivë. Ngjela pretendon se Rama, për shkak të një kulture të dobët politiko-historike, mbante një kompleks psikik në mesin e viteve ’90 që i thoshte se nuk mund të gjente të ardhme brenda historisë së Shqipërisë. Sipas tij, këtë të ardhme në pushtet ia dhuroi Ilir Meta përmes një pazari politik, duke e ndihmuar të zgjidhej fillimisht në krye të Bashkisë së Tiranës dhe më pas si kryeministër.

Shpresa te emigrantët dhe lëvizja studentore

Nga ana tjetër, avokat Spartak Ngjela thekson se klasa politike drejtuese vazhdon të jetë e shkëputur nga interesat e Shqipërisë. Sot, shteti dhe familjet shqiptare mbahen gjallë kryesisht nga 800 mijë shqiptarët që punojnë në Evropë. Ai e sheh të vetmen shpresë për “shkrirjen” e kësaj situate te reagimi qytetar, duke veçuar lëvizjen dhe protestat e fuqishme studentore kundër qeverisë si sinjalin e vetëm të ndryshimit.

Reagimi i plotë i avokat Spartak Ngjelës

“Kur ngrin historia e një kombi apo e një shteti? Ajo histori quhet e ngrirë kur në nje komb nuk ka zhillim. Por… Kur ky komb drejtohet nga individë, te cilët, për faktin që nuk dinë të bëjnë asgjë, mbahen me tiraninë e tyre si sulltanë, domethënë ́si një lloj monarku apo mbreti, që vret për pushtetin e tij dhe prandaj, të gjithe popullin apo shoqërinë që po drejton, ai e dëshiron qe ajo të jetë e trembur. Dhe ka pasur edhe një shprehje filozofiko – politike, e cila ka thënë: Kalli frikën një populli, dhe do shohësh se me këtë popull do të bësh çudira. Dhe po ta shohësh historinë e diktaturës Hoxha në Shqipëri, ajo në këtë rrugë ka ecur: frike, punë, skllavëri dhe zhvillim; por gjithçka me një emër: Enver Hoxha.

Dhe populli bërtiste për Enver Hoxhën deri në çmenduri, por ne ende nuk e kemi një studim psikologjiko – historik për figurën e Enver Hoxhës, dhe për diktaturën Hoxha në Shqipëri.  Por duhet thënë se… Në këtë histori ka shumë enigma, të cilat përplasen me njëra – tjetrën. Dhe këto janë : Komunizmi e morri Shqipërinë me një popullsi prej 850000 banorësh ne vitin 1945, dhe e la me 4 milionë banore në vitin 1992; E mori Shqipërinë pa fare fabrika dhe e la me 500 uzina dhe fabrika, industriale që u shkatërrua nga  pseudoprogresi Berisha në vitet 1992 – 1996.

Turp dhe një krim historik ky! Po semos ka qenë vetëm ky! Dhe prandaj koha tani ka ngrirë në Shqipëri.  Po si do ta gjëje rrugën e shkrirjes zhvilluese kjo kohë? E vetmja shpresë jane 800 mije shqiptarët që po punojnë në Evropë dhe po mbajnë familjet e tyre me paratë që ata dërgojnë; por dhe vetë Shqipërinë dhe shtetin e saj ata po e mbajnë.  Po sot si e kemi të ardhmen? Me kryeministrin Rama nuk kemi të ardhme, sepse: Duke pasur një kulturë shumë të dobët politiko – historike, Rama kishte të ndërtuar një kompleks psikik, i cili i thosh se ai, brenda historisë së Shqipërisë, nuk mund të gjente dot të ardhme.

Kurse të ardhmen Edi Ramës ia dhuroi Ilir Meta. i cili e ndihmoi te zgjidhej si kryetar i Bashkisë së Tiranës dhe si kryeministër. Ende nuk dihen arsyet pse, por kjo ka ndodhur dhe tani ky është një fakt historik. Prandaj na duhet të theksojmë se në Shqipëri ende nuk po ka një klasë drejtuese politike e cila të jetë me Shqipërinë.

Po koha, kështu do të na lerë gjithmone ne shqiptarëve: me kryeministra të cilët nuk kanë fare lidhje me Shqipërinë? Të shohim, se tani në Tiranë koha erdhi dhe nxori në pahun historik të kohës lëvizjen e fuqishme studentore, në një protestë energjike kundër kryeministrit aktual dhe vetë qeverisë së tij”, shkroi dje në rrjetet sociale avokat Spartak Ngjela.

Te tjera

Lajme te tjera