Kryeministri Edi Rama ka dhënë një tjetër ultimatum të prerë për të gjithë ndërtuesit dhe subjektet që kanë zaptuar hapësira publike rreth pallateve apo lokaleve me trarë për parkime dhe çadra për shfrytëzim privat.
Në një video për rrjetet sociale, Rama theksoi se askush nuk ka të drejtë të trajtojë si pronë private hapësirat përreth pallateve, duke paralajmëruar ndjekje penale për ata që nuk i heqin vetë strukturat e vendosura pa leje.
“Ndërtuesit dhe bashkë me ata që kanë lokalet në këto pallate, e kanë trajtuar pronën përreth si pronë private, ajo nuk mund të jetë pronë private. Askush nuk ka mbi tokën rreth pallatit dhe hapësirën mes pallatit më shumë të drejta sesa secili prej banorëve që janë në pallate,” , deklaroi Rama.
Ai u bëri thirrje të gjithë atyre që kanë vendosur trarë për të përfituar nga parkimet ose çadra për t’u shërbyer klientëve në ambiente të jashtme, që t’i heqin ato vetë, përndryshe do të përballen me masa të rënda administrative dhe ligjore.
“Ju bëj thirrje të gjithë atyre që zotërojnë të tilla asete, që nga trarët për t’u marrë para për parkim banorëve. Nuk ka pronë private sa kohë ajo është një hapësirë ku nuk ka leje. Nuk mund të vendosësh tra për të marrë lekë dhe për të lejuar banorët aty që të paguajnë për të qenë zotër të vendit vet,” , shtoi ai.
Kryeministri ishte i prerë edhe për subjektet që kanë zënë hapësirat publike me çadra dhe tenda, duke paralajmëruar çmontim të menjëhershëm dhe ndjekje penale për “zaptim dhe shkatërrim të pronës publike”.
“U bëj thirrje të gjithëve t’i heqin trarët vet dhe atyre që kanë vënë tenda për t’i hapur rrugë pirjes së duhanit në lokale. Jo vetëm që do çmontohen, por do përballen me ndjekje penale për zaptim dhe shkatërrim të pronës publike,” , theksoi Rama.
