E diel, 26 Prill, 2026

Berisha: Edi Rama, kryeministri më mizogjen në Europë! Shqipëria në alarm për vrasjet e grave, PD zotohet për dënimet më të rrepta

Share

Kryetari i Partisë Demokratike, Prof. Dr. Sali Berisha, gjatë fjalës së tij në konferencën “Forcimi i rolit të gruas në demokracinë lokale”, të organizuar nga PD dhe fondacioni suedez, ‘Jarl Hjalmarson’, ka vlerësuar kontributin e organizatave ndërkombëtare partnere dhe ka theksuar rëndësinë e rritjes së rolit të grave në politikë dhe vendimmarrje, si në Partinë Demokratike ashtu edhe në qeverisjen e ardhshme të vendit.

Berisha e nisi fjalën me falënderime për Fondacionin Jarl Hjalmarson dhe përfaqësues të partive simotra europiane, duke vlerësuar bashkëpunimin dhe mbështetjen e tyre ndër vite për PD-në. Në vijim të fjalës së tij, lideri demokrat tha se Shqipëria po përballet me një regjim autokratik, me kufizim të lirive politike, presion ndaj opozitës dhe përkeqësim të gjendjes sociale, ndërsa ngriti akuza edhe për lidhje të pushtetit me krimin e organizuar dhe ndikimin e tij në ekonomi.

Berisha akuzoi gjithashtu qeverinë për klimë të rënduar ndaj grave në jetën publike dhe politike, duke përmendur raste të dhunës verbale dhe fizike ndaj grave deputete dhe qytetareve. Ai tha se mbrojtja e të drejtave të grave duhet të jetë prioritet dhe se PD do të angazhohet për masa më të forta ligjore ndaj dhunës me bazë gjinore.

Në pjesën programatike të fjalës, kryetari i PD-së u ndal te përfaqësimi i grave në politikë, duke theksuar se partia synon rritje të ndjeshme të pjesëmarrjes së tyre në strukturat drejtuese dhe në institucione. Ai tha se aktualisht PD ka më shumë gra në pozicione drejtuese lokale dhe se ky proces do të thellohet në të ardhmen.

Lideri opozitar, Sali Berisha vlerësoi rolin e grave si “gjenerator shprese” në shoqëri, duke theksuar se në kushtet e emigracionit dhe krizës sociale, ato kanë një rol kyç në mbajtjen e familjes dhe komunitetit.

Ai gjithashtu iu referua të dhënave që tregojnë se gratë kanë performancë më të lartë në disa fusha akademike dhe profesionale, duke argumentuar se përfaqësimi i tyre më i madh është çështje meritokracie dhe legjitimiteti demokratik.

Në përfundim, Berisha ritheksoi angazhimin e Partisë Demokratike për rritjen e rolit të grave në politikë dhe shoqëri, duke e cilësuar këtë si një element thelbësor për forcimin e demokracisë në vend.

Te tjera

Lajme te tjera