Teksa nga Thethi kërkohet dialog me qeverinë dhe gjetjen e një rruge të mesme që të mos vijuar me shembjen e ndërtesave, kryeministri Edi Rama përgjigjen e dha nga Tirana. Kreu i qeverisë paralajmëroi se nuk do të ketë asnjë tolerancë apo dialog dhe se historia ‘ndërto sot që të legalizosh nesër do të marrë fund’.
“Nuk do të ketë asnjë tolerancë, asnjë dialog, asnjë ndalim më në këtë proces… Historia ndërto sot, që të legalizosh nesër, nuk do të ecë më dhe të gjitha ato ngrehina të ngritura për qëllim fitimi apo çdo lloj ngrehine e ngritur në cenim të hapësirës publike të infrastrukturës publike të projekteve të infrastrukturës, të zonave të mbrojtura, të infrastrukturës kritike do të rrafshohet. Nuk e di që të ketë ndonjë teori që e amniston shkelësin e ligjit.”, u shpreh kryeministri.
Paralajmërimin e kishte për të gjithë territorin, por nevoja për të shpjeguar se ndaj kujt dhe pse është ndërmarrë aksioni në Theth, e bëri kreun e qeverisë të ndalej gjatë tek kjo çështje që në nisje të takimit me deputetët dhe drejtuesit e bashkisë së Tiranës. Ai vuri në dukje se janë shembur 40 subjekte që ishin në shkelje të ligjit, të ndërtuara kohët e fundit, ndërkohë që për protestuesit tha se nuk janë ‘ca të shkretë’, pasi shumica nuk janë as banorë të zonës. Hodhi poshtë aludimet dhe për ndërtimin e resorteve.
“Aty nuk bëhet fjalë për të lejuar ndërtime dhe për të bërë resorte turistike. Është jashtë çdo lloj opsioni. Të gjitha teoritë lidhur me këtë operacion janë për të ardhur keq, janë të bazuara në dezinformim. Thethi dhe banorët e tij nuk janë ata që janë shfaqur nëpër ekrane, ata janë një grusht njerëzish që nuk kanë lidhje me të vërtetën e kësaj historie. “, shtoi kryeministri.
Zërave se është vetë ai apo pushteti vendor që ka lejuar atje ndërtimet pa leje, iu përgjigj duke thënë se nuk kanë prerë askënd në besë dhe se kanë legalizuar rreth 300 prona në këtë zonë.
“Ne s’kemi prerë në besë askënd. Kemi shkuar në Theth me kryetarin e bashkisë dhe me fondin shqiptar të zhvillimit dhe me agjencinë e Kadastrës dhe që kur kemi shkuar dhe premtuar të gjithë shtëpive të vjetra në Theth, që ishte problemi kryesor i atyre banorëve, e kemi përmbyllur atë proces me rreth 300 legalizime që ata disponojnë. Pra premtimi ynë ka qenë do të legalizojmë pronën e gjyshërve.”, tha Rama.
Aksioni për lirimin e hapësirave publike Rama premtoi se do të vijojë me të njëjtin vrull edhe në Tiranë e zonat bregdetare, aty ku janë goditur edhe të ashtuquajtur oligarkë.
“Tirana është zona më e nxehtë edhe për shkak të atraksionit të madh që ka në të gjithë drejtimet dhe numrit të madh, dhe nuk ka lagje apo bllok banimi që të mos ketë zaptuesin e vet. do të vazhdojë deri kur të konstatojmë që nuk ka më tendenca të kundërta. Për këtë temë do të bëjmë një reformë, po punojmë përditë dhe shumë shpejt, mbase për shkak të emergjencës, do të na duhet të bëjmë deri në akt normativ dhe ato 83 vota do t’i vëmë në shërbim të të gjithë qytetarëve”.
Në Vlorë, tha se do të konfiskohet një pallat që është në shkelje të ligjit.
“Sot do të bëhet një konfiskim i një pallati në Vlorë që është në shkelje. Ky proces synon të bashkojë dy gjëra, kemi marrë përsipër të mbyllim legalizimet brenda 2028, por ta harrojë kushdoqoftë që do legalizojë në shkelje të ligjit. Të gjitha ngrehinat e ngritura për qëllim fitimi do të rafshohen, nuk do të ketë asnjë tolerancë asnjë ndalim më në këtë proces.”, tha Rama.
Këtë proces të lirimit të hapësirave publike, ai e cilësoi si “Rilindja urbane 2.0”, ndërsa për këtë paralajmëroi edhe një akt normativ. Kryeministri u ndal gjithashtu edhe te uji, teksa tha se do të krijojnë Operatorin e Shpërndarjes së Ujit, si edhe te nafta dhe barnat. Për naftën, ai tha se po punojnë për një sistem të ri ku shteti do të jetë palë, që “do të sjellë një kontroll efikas mbi çmimin apo sistemin e qarkullimit të naftës”. Për barnat, Rama tha se po punojnë me ministrinë e Shëndetësisë për të furnizuar me barna të gjithë sistemin, publik dhe atë privat.
Në mbledhje ishin të pranishëm edhe drejtuesit politikë të qarqeve të tjera, të cilëve siç mëson Report Tv, Rama u la porosi të punojnë për të rifreskuar stafet e bashkive në zonat e tyre. Heqje licence ka kërkuar për të gjitha ato zyra avokatie e noterie që ofrojnë shërbime të e-albanias me pagesë për pensionistët. Ky shërbim kreu i qeverisë ka kërkuar t’i kalojë bashkive, sipas një modeli që pritet të behet publik së shpejti.
