Kryeministri Edi Rama ka kryer një ndërhyrje kirurgjikale me urgjencë në orët e para të mëngjesit për heqjen e appendisitit, ndërhyrje e cila ka rezultuar e suksesshme. Siç njofton zyra e shtypit të kryeministrit, natën e kaluar, pas kryerjes së disa testeve imazherike në qendrën spitalore Universitare ‘Nënë Tereza’, kreu i qeverisë u diagnostikua me appendisit akut.
Në bazë të rekomandimit të mjekëve të shërbimit të urgjencës, kryeministri iu nënshtrua operacionit për heqjen e appendisitit në orët e para të mëngjesit të sotëm. Operacioni ka zgjatur rreth 1 orë dhe është kryer me laparoskopi (jo me thikë). Ndërhyrja u krye nga ekipi i mjekëve kirurgë dhe anestezistë, nën drejtimin e prof. Arben Gjata, shef i shërbimit të kirurgjisë në QSUT.
Mjekët që kanë marrë pjesë në ndërhyrjen kirurgjikale të kryeministrit, kanë bërë me dije se gjendja paraqitet e mirë dhe brenda 24 orëve pritet të lërë ambientet e spitalit. Shefi i Kirurgjigjisë Arben Gjata, tha se koha e rikuperimit nuk do të jetë më shumë se 2-3 ditë.
‘Operacioni shkoi mirë, nuk ka temperaturë dhe sot do të fillojë dhe të ushqehet. Nesër besoj se duhet të dalë nga spitali. Me laparoskopi koha e rikuperimit është shumë e shpejtë, brenda 2-3 ditësh. Kryeministri nuk duhet të tregojë ndonjë kujdes të shtuar. Ai mund të ecë që sot.’- tha Gjata.
