E diel, 26 Prill, 2026

Porosia e Ramës, vijon ‘dallga’ e dorëheqjeve në bashki! Largime masive në Sarandë, Lushnjë, Divjakë e Vaun e Dejës

Share

Edhe kjo e martë ka qenë e nxehtë në pjesën më të madhe të bashkive të vendit. Vala e dorëheqjeve të drejtuesve në shumicën dërrmuese të bashkive të drejtuar nga kryetarë socialistë ka vijuar, pas kërkesave të Kryeministrit Edi Rama, që ka kërkuar rifreskime te stafeve.

Report Tv ka mësuar se largime që në orët e para të mëngjesit ka pasur në Bashkitë e Sarandës, Divjakës, Lushnjës, Vaut të Dejës, Selenicës etj.

Një ditë pasi u është kërkuar dorëheqja, thuajse të gjithë drejtorët në bashkitë Sarandë dhe Delvinë, i kanë dorëzuar ato tek eprorët.

Sa i përket bashkive të skajit jugor, në Konispol ende nuk ka asnjë largim, ndërsa burime kanë bërë me dije se kryetari i kësaj bashkie Ergest Dule, ia ka thënë Ramës në mbledhjen e Durrësit se drejtorët i ka të aftë dhe nuk do t’i shkarkojë.

Në debatin që Report Tv mëson e ishte më shumë në kuadrin e batutave, Rama i është përgjigjur që ‘nëse s’i shkarkon, ik vetë’.

Në Bashkinë Selenicë kanë dhënë dorëheqjen të pestë krerët e Njësive Administrative. Ende nuk ka një lajm për dorëheqje administratorësh në Bashkinë e Vlorës, e cila ishte e para që u përball me kërkesat e Ramës për largime drejtuesish. Drejtorët kanë ikur tashmë dhe priten dorëheqjet e administratorëve.

Në Bashkinë e Vaut të Dejës, pas një mbledhjeje të thirrur nga kryetari Kristian Shkreli, 3 zv/kryetarët e bashkisë, 5 administratorët dhe të gjithë drejtorët kanë paraqitur menjëherë dorëheqjen.

Edhe në Bashkinë Lushnjë janë dorëzuar të gjitha dorëheqjet. Janë larguar nga puna 13 drejtorë, të gjithë drejtuesit e Njësive Administrative dhe ato të rajoneve të qytetit të Lushnjës. E njëjta situatë paraqitet edhe në Divjakë, ku dhe nënkryetari i Bashkisë dhe kryetarët e 3 nga 4 njësive administrative kanë dhënë dorëheqjen.

Një ditë më parë, pati dorëheqje dhe shkarkime të shumta të kryetarëve në njësitë administrative në bashkitë e mëdha të vendit si Elbasan, Korçë, Kukës, Shkodër etj.

Te tjera

Lajme te tjera