E mërkurë, 23 Shtator, 2026

Plani i Rusisë për të mposhtur NATO-n!

Share

Në brigjet e Hiiumaa-s, historia mund të ishte gati për të marrë një kthesë. Një flotë e përbashkët e anijeve të NATO-s, e drejtuar nga destrojerët britanikë dhe me pjesëmarrjen e pesë vendeve, do të lundronte drejt këtij ishulli të goditur nga erërat, në hyrje të Gjirit të Finlandës.

Përpara saj do të ishte Flota ruse e Baltikut, e cila prej 36 orësh po përpiqej të zbatonte një bllokadë detare ndaj Estonisë. Më në lindje, 100 mijë trupa ruse do të ishin mbledhur pranë kufirit, ndërsa Vladimir Putin do të kërkonte tërheqjen nga territori estonez të çdo pranie të NATO-s që, sipas tij, përbënte “kërcënim për sigurinë e Federatës Ruse”.

Kërkesa do të shkonte edhe më tej. Talini do të duhej t’i jepte autonomi rajonale të ashtuquajturës “Republika Popullore e Narvës”, një entitet separatist që Moska do ta kishte shpikur dhe më pas promovuar me intensitet në rrjetet sociale.

Gjendja do të ishte përshkallëzuar tashmë. Do të ishte shpallur gjendja e jashtëzakonshme, do të kishin nisur sulmet me dronë dhe forcat estoneze do të ishin përplasur me anije ruse në gjirin e Talinit. Një javë më parë, një sulm rus ndaj një sistemi të mbrojtjes ajrore në Poloni do të kishte sjellë aktivizimin e Nenit 5.

Por Donald Trump do të kishte refuzuar të ndërhynte drejtpërdrejt, duke zgjedhur të mbështeste aleatët evropianë “në mënyra të tjera”. Pa mbështetjen amerikane, vetëm disa shtete evropiane do të kishin dërguar forcat e tyre për të përforcuar Poloninë dhe Estoninë.

Ndërkohë, një ushtri tjetër ruse do të ishte duke u mbledhur në Bjellorusinë Perëndimore, ndërsa raketat ruse do të kërcënonin Varshavën nga Kaliningradi. Në Moskë do të mbërrinin emisarët amerikanë për të negociuar kushtet e Putinit për Estoninë dhe, me shumë gjasë, për një pjesë të madhe të krahut lindor të NATO-s.

Ky mund të duket si skenar lufte, por nuk do të ishte e nevojshme që një konflikt i tillë të niste menjëherë me tanke që kalojnë kufirin. Pas muajsh sulmesh ruse të “zonës gri” ndaj NATO-s, nga inkursionet me dronë te raketat e humbura dhe përpjekjet për sabotazh, paralajmërimet për planet e Putinit ndaj Evropës janë bërë gjithnjë e më të forta.

Polonia dhe Lituania kanë paralajmëruar për mundësinë e sulmeve të paraqitura si “aksidente” kundër vendeve të NATO-s që mbështesin Ukrainën. Atmosfera po fillon të ngjajë me muajt që i paraprinë pushtimit rus të Ukrainës në shkurt 2022.

Por edhe nëse një pikë shpërthimi në kufijtë e NATO-s duket gjithnjë e më e mundshme, unë nuk pres që një luftë e hapur të fillojë nga një moment në tjetrin. Nëse Putin do të vendoste të hidhte ushtrinë drejt perëndimit, objektivi i parë do të ishte thyerja e kohezionit të NATO-s. Dobësia kryesore e aleancës në epokën e luftës hibride, është pikërisht kostoja që shumica e anëtarëve do të duhet të përballonin për të zbatuar realisht klauzolën e mbrojtjes kolektive. Rusia nuk do të kishte nevojë të pushtonte menjëherë territore të reja. Objektivi do të ishte kontrolli.

Nëse NATO do të humbiste aftësinë për të vepruar si një bllok i vetëm, Moska do të mund të rikthente gradualisht ndikimin mbi fqinjët evropianë dhe të ndryshonte ekuilibrin e fuqisë në kontinent. Faza e parë e një fushate të tillë provokimesh mund të niste me një goditje ndaj një pike kufitare mes Polonisë dhe Ukrainës.

Donald Tusk ka paralajmëruar tashmë për mundësinë e një sulmi të tillë, dhe ka deklaruar se një përpjekje e tillë është parandaluar nga një operacion i përbashkët polako-ukrainas. Goditja e pikave kufitare do t’i shërbente Moskës në disa drejtime.

Ajo mund të paraqitej si aksident, do të vështirësonte logjistikën e dërgimit të armëve në Ukrainë, dhe mbi të gjitha, do të zgjeronte gradualisht hapësirën e pranueshme të luftës përtej territorit ukrainas. Pastaj gjërat do të bëheshin vërtet të rrezikshme. Dronët që sot mund të rrëzohen mbi Lituani, do të fillonin të gjenin objektivat e tyre.

Në fillim, ata mund të godisnin një kullë vrojtimi pa njerëz ose një linjë elektrike rurale pranë kufirit me Bjellorusinë. Më pas një tubacion nafte në Letoni, një terminal LNG në Lituani ose një pjesë e aeroportit Rzeszóë-Jasionka në Poloni. Por qëllimi kryesor nuk do të ishte dëmi material.

Qëllimi do të ishte që sulmet ajrore të nivelit të ulët të shndërroheshin në pjesë normale të jetës së evropianëve. Polakët, gjermanët dhe lituanezët, janë mësuar tashmë me lajmet për sabotazhe, zjarre të dyshimta dhe inkursione me dronë.

Nëse këto incidente do të përsëriteshin vazhdimisht, edhe një valë e re sulmesh mund të fillonte të perceptohej si diçka që thjesht duhet toleruar. Kjo është pikërisht ajo që do ta bënte strategjinë të rrezikshme.

Askush nuk pret realisht që NATO të hyjë në luftë me Rusinë për shkak të një tubacioni të dëmtuar, sado i rëndësishëm të jetë ai. Por problemi është se NATO nuk ka një zonë të qartë mes luftës dhe paqes. Nëse zgjedhja është vetëm midis një lufte totale dhe një paqeje të pasigurt, aleanca mund të zgjedhë vazhdimisht të dytën.

Por herët a vonë, shtetet evropiane do të duhej t’i dërgonin Moskës një mesazh të qartë. Në vend që të godisnin drejtpërdrejt territorin rus, mund t’i jepnin Ukrainës inteligjencë dhe armë për të goditur bazat nga ku lëshohen dronët.

Por në një moment, qeveritë e NATO-s në lindje do të duhej t’u tregonin qytetarëve të tyre se janë të gatshme të mbrojnë territorin dhe infrastrukturën e tyre. Kjo do të nënkuptonte edhe rrëzimin e raketave dhe dronëve rusë që do të drejtoheshin drejt kufijve të tyre.

Për Putinin, ky do të ishte momenti ideal për hapin tjetër. Rusia dhe një pjesë e opinionit të saj publik e konsiderojnë prej kohësh veten në një gjendje lufte de facto me NATO-n. Për Kremlinin, përfshirja e drejtpërdrejtë e aleancës në luftën e Ukrainës, do të mund të paraqitej si kalimi i një “vije të kuqe”.

Pas kësaj, një sulm i drejtpërdrejtë me raketa ose dronë ndaj një sistemi të NATO-s që merr pjesë në mbrojtjen ajrore të Ukrainës, do të ishte një tjetër hap në shkallën e përshkallëzimit. Një sistem polak i mbrojtjes ajrore pranë kufirit ukrainas do të ishte një objektiv i mundshëm. Këtë herë, nuk do të kishte më nevojë për të folur për “aksidente”. Rusia do ta merrte përsipër sulmin dhe do ta paraqiste si kundërpërgjigje ndaj ndërhyrjes së NATO-s në Ukrainë. Atëherë do të vinte pyetja përfundimtare: A do të aktivizohej realisht Neni 5? Evropa e lodhur do të përballej më në fund me një vendim shumë më të madh se çdo incident i mëparshëm.

Por nuk mendoj se do të kishte një moment të vetëm, si pushtimi i Polonisë në vitin 1939, që papritur do ta zgjonte Evropën nga pasiviteti. Dhe ky është në fakt thelbi i një lufte hije mes Rusisë dhe NATO-s: nuk do të kishte një moment të vetëm që e ndryshon gjithçka.

Do të kishte dhjetëra hapa të vegjël, secili pak më i rrezikshëm se tjetri, derisa aleanca të kuptonte se kufiri ishte kaluar prej kohësh. Edhe në Shtetet e Bashkuara dhe në Evropën Perëndimore, publiku mund të mos ishte i gatshëm të hynte menjëherë në një luftë me Rusinë. Një sulm ndaj një objektivi polak, pas muajsh provokimesh, mund të mos dukej më si një tronditje e paprecedentë. Kjo do të ishte fitorja më e madhe që Moska do të kërkonte. Jo një pushtimi i menjëhershëm i Evropës, por krijimi i një NATO-je që ekziston në letër, ndërsa në praktikë funksionon si një “koalicion i vullnetshëm”, ku disa vende janë të gatshme të luftojnë dhe të tjera kërkojnë të shmangin përplasjen.

Kjo do të ishte një goditje e madhe për shtetet e krahut lindor. Polonia do të përpiqej të mbrohej, ndërsa Estonia do të kërkonte ndihmë nga Britania, Franca, Gjermania dhe aleatët e tjerë evropianë. Por pa një angazhim të plotë amerikan, çdo fushatë më e gjerë do të bëhej shumë më e vështirë.

Kjo nuk do të nënkuptonte se Rusia do të fitonte. Ushtria ruse ka kufizimet e veta dhe një koalicion evropian mund t’i pengonte shumë prej objektivave të Moskës. Por edhe një humbje fillestare nuk do të nënkuptonte domosdoshmërisht fundin e konfliktit.

Rusia mund të rigrupohej, të ndryshonte strategji dhe ta kthente përplasjen në një luftë të gjatë shteruese. Narva mund të shndërrohej në “Bakhmut-in” e Baltikut. Prandaj, ideja se NATO mund të dalë nga ky rrezik thjesht duke u tërhequr nga Ukraina do të ishte një iluzion. Rusia e sheh Ukrainën si vetëm një teatër të një përplasjeje shumë më të madhe mbi të ardhmen e Evropës. Edhe nëse do të përfundonte lufta në Ukrainë, lufta e “zonës gri” kundër NATO-s mund të vazhdonte. Në fund, zgjedhja e Evropës nuk do të ishte thjesht mes luftës dhe paqes.

Do të ishte mes pranimit të një rendi evropian ku Rusia fiton përsëri një rol dominues në Evropën Lindore dhe përpjekjes për ta kundërshtuar atë. Sfida e vërtetë është se si do të bëhet kjo pa lejuar që një seri incidentesh të vogla të shndërrohet në një luftë të madhe.

Dhe pikërisht aty ndodhet plani më i rrezikshëm i Moskës: të mos e mposhtë NATO-n me një goditje të vetme, por ta testojë, ta lodhë dhe ta përçajë pak nga pak, derisa aleanca të mos ketë më të njëjtin kuptim që kishte në ditën kur u krijua./ “Unherd”/

Te tjera

Lajme te tjera