Në harkun e rreth 30 viteve, katër drejtues të Shërbimit Informativ janë përballur në periudha të ndryshme me procedime penale, hetime, akuza apo masa sigurie. Nga asgjësimi i dokumenteve të ish-Sigurimit të Shtetit, te akuzat për krime kundër njerëzimit, shpërdorimi i detyrës dhe, së fundmi, nxjerrja e të dhënave sekrete, bilanci përfshin episode të ndryshme që kanë prekur drejtuesit e institucionit ndër vite.
Rasti më i fundit është ai i drejtoreshës së SHISH, Vlora Hyseni, ndaj së cilës në shtator 2026 është caktuar masa e sigurisë “arrest në shtëpi” dhe është vendosur pezullimi nga detyra.
Por Hyseni nuk është rasti i parë. Në historinë e shërbimit inteligjent shqiptar, të paktën katër drejtues të lartë janë përballur me procese ose hetime penale.
Irakli Koçollari, drejtuesi i parë i SHIK-ut
Irakli Koçollari, drejtuesi i parë i SHIK-ut në periudhën 1991–1992, u arrestua në mars 1996 së bashku me ish-ministrin e Brendshëm Vladimir Hysi, në kuadër të çështjes për asgjësimin e dokumenteve të ish-Sigurimit të Shtetit.
Bëhej fjalë për dokumentacion të shërbimit sekret të regjimit komunist, materiale që lidhen me ndjekjen, survejimin dhe veprimtarinë e Sigurimit të Shtetit gjatë diktaturës.
Sipas raportimeve të kohës, bëhej fjalë për dhjetëra mijëra dokumente të zhdukura.
Koçollari u dënua me 6 vite burg, ndërsa Vladimir Hysi me 18 muaj. Koçollari doli nga burgu në vitin 1997, në kushtet e trazirave dhe amnistisë.
Asgjësimi i këtij dokumentacioni solli humbjen e burimeve të rëndësishme për dokumentimin e historisë së diktaturës komuniste, veprimtarisë së Sigurimit të Shtetit dhe represionit komunist.
Bashkim Gazidede, akuzat për ngjarjet e vitit 1997
Bashkim Gazidede drejtoi SHIK-un nga viti 1992 deri në vitin 1997.Në vitin 1998, ndaj tij u ngritën akuza të rënda në lidhje me ngjarjet e vitit 1997, përfshirë akuza për gjenocid dhe krime kundër njerëzimit, si edhe akuza të tjera të lidhura me detyrën.
Më 21 gusht 1998, prokurori Aleksandër Goga nxori urdhër-arrestin ndaj Gazidedes. Më pas, Prokuroria ndërmori hapa për ekstradimin e tij dhe shpalljen në kërkim ndërkombëtar.
Hetimi zgjati rreth pesë vite. Në korrik 2003, akuzat ndaj Gazidedes u pushuan.
Këto akuza nuk u provuan në një proces gjyqësor penal me vendim fajësie ndaj Gazidedes dhe ai nuk pati një dënim penal të formës së prerë për to.
Fatos Klosi, procedim për shpërdorim detyre
Fatos Klosi drejtoi SHISH-in nga viti 1997 deri në vitin 2002.Në nëntor 2002, ai u procedua për shpërdorim detyre, lidhur me administrimin e rreth 600 milionë lekëve dëm ekonomik të pretenduar.
Në përfundim të hetimit, Prokuroria kërkoi dënimin e tij me 1 milion lekë gjobë.Çështja përfundoi në Gjykatën e Tiranës, e cila më 1 qershor 2004 e shpalli Klosin të pafajshëm.
Vlora Hyseni, dosja e AKSHI-it
Rasti i katërt është ai i Vlorës Hyseni, e cila drejton SHISH-in që nga viti 2023.
Në shtator 2026, ndaj saj u caktua masa e sigurisë “arrest në shtëpi” dhe u pezullua nga detyra.Sipas akuzave të raportuara nga SPAK, Hyseni dyshohet për veprat penale “përkrahje e autorit të krimit” dhe “zbulim i akteve ose të të dhënave sekrete”, në një çështje që lidhet me ndihmën e dyshuar ndaj një individi shumë të kërkuar dhe me nxjerrjen e të dhënave sekrete.
Procedimi ndaj saj u njoftua ndërsa Hyseni ishte ende në detyrë dhe përfaqësonte vendin dhe institucionin në një konferencë të drejtuesve të lartë të shërbimeve inteligjente.
Ndërkohë presidenti Bajram Begaj ka dekretuar shkarkimin e Vlora Hysenit nga detyra e drejtoreshës së Shërbimit Informativ të Shtetit, pas propozimit të kryeministrit Edi Rama.
Hetimi tani për Hysenin është në vazhdim.
Çka bie në sy pas këtij historiku nuk është thjesht numri i drejtuesve që kanë përfunduar në procese apo hetime, por fakti se në periudha të ndryshme janë vënë në pikëpyetje elementë thelbësorë të funksionimit të shërbimit si administrimi i dokumenteve sekrete, ushtrimi i kompetencave, përdorimi i burimeve publike dhe, në rastin më të fundit, qarkullimi i informacionit të klasifikuar.
Janë çështje që prekin drejtpërdrejt besueshmërinë e një institucioni që vepron në pjesën më të mbyllur të shtetit. Përgjigjet për secilin rast i kanë dhënë drejtësia dhe, në rastin e Hysenit, ato ende priten./
