Ditën e nesërme, e hënë 6 Nëntor, ish kryeminsitri Sali Berisha me vendim gjykate duhet të paraqitet para oficeres së policisë gjyqësore në SPAK, Adelajda Metaj për shkak të dy masave të sigurisë që janë vendosur kundër tij, detyrim paraqitje dhe ndalim i daljes jashtë vendit.
Kjo procedurë duhet të ndodhë çdo të hënë të parë dhe të tretë të muajit.
Por çfarë ka vendosur deri tani Berisha?
Në momentin që gjykata e Posaçme miratoi kërkesat e dy prokurorëve të SPAK-ut Arben Kraja dhe Enkelejda Millonai për dosjen e kompleksit Partizani ku ish-kryeministri akuzohet për korrupsion, Berisha ishte i prerë.
“Nuk e shkel kushtetutën dhe nuk do të paraqitem.” tha ai duke kërkuar më parë që SPAK t’i drejtohet parlamentit për t’i hequr imunitetin.
Por ditën e premte duket se bëri një hap pas kur tha se “gjithçka do të informoheni në vazhdim”.
Zbutja ishte e ndjeshme krahasuar me ditët e kaluara.
Çfarë parashikon ligji nëse ish-kryeministri thyen vendimin e GJKKO?
Janë dy opsione për prokurorët nëse Berisha thyen vendimin e parë.
Sipas vendimit të Gjykatës së Posaçme, për shtetasin Sali Berisha, duhet të paraqitet përpara autoriteteve dy herë në muaj, të hënën e parë dhe të tretë.
Masat më të ashpra që mund të jepen ndaj Sali Berishës janë arrest në shtëpi ose shoqërim me forcë, ndërkohë që arresti me burg ndaj ish-kryeministrit nuk është i mundur për shkak të moshës së tij.
I pari, të kërkojnë një masë tjetër sigurie, “arrest shtëpie” ose “arrest me burg”, por për të dyja këto, duhet të kërkohet autorizim nga Parlamenti.
Për masën “arrest në burg”, ka një pengesë ligjore që lidhet me moshën e Sali Berishës mbi 70 vjeç. Për masën arrest shtëpie, nuk ka kufizim moshe, por SPAK dhe GJKKO duhet ti kërkojnë parlamentit, krahas heqjes së imunitetit edhe autorizim për shoqërim të detyrueshëm të Berishës me policë, pasi nuk ka zbatuar masën e parë.
Nëse parlamenti e miraton kërkesën, ekzekutimi i masës “arrest shtëpie” bëhet nga policia që e shoqëron Sali Berishën në banesë dhe vendos një trupë shërbimi për tu kujdesur për zbatimin e “arrestit në shtëpi” përsa kohë kjo masë vijon.
“Arresti në shtëpi” shoqërohet me takimin vetëm me anëtarë të familjes dhe avokatin duke mos lejuar kontaktin me median apo persona të tjerë.
Opsioni i dytë, është që prokurorët Arben Kraja dhe Enkeleda Millonai vendosin vijimin e hetimit me masën që është në fuqi “detyrim paraqitje”, duke administruar deklaratat ku Berisha verbalisht pranon se ka marrë dijeni.
Në këtë rast, vendimi i masës depozitohet në sekretarinë e GJKKO e cila ia dërgon Berishës me postë në adresën ku figuron banues. Pas këtij veprimi, bëhet deklarimi i mungesës së Berishës, dhe sipas ligjit, barazohet me personin e ikur, në zbatim të Nenit 247, paragrafi 3/1 i Kodit të Procedurës Penale që parashikon se: I ikur konsiderohet personi që megjithëse ka dijeni, i shmanget me vullnet zbatimit të masave të sigurimit, ose dënimit me burgim. Ky nen i përgjigjet saktësisht situatës së Berishës, për të cilin policët kanë shënuar në procesverbal se “nuk u gjet” pasi kanë tentuar ta lajmërojnë në selinë e Rithemelimit dhe në banesën e tij ku ka adresën e deklaruar edhe pse ai verbalisht ka marrë dijeni për masën.
Deklarimi i ikjes, pasohet me vijimin e hetimeve me një avokat kryesisht për Berishën i cili mund ta përfaqësojë edhe pas dërgimit të dosjes në gjyqin e themelit.
Sali Berisha akuzohet nga SPAK për korrupsion pasiv në bashkëpunim, në lidhje me çështjen e privatizimit të ish-kompleksit ‘Partizani’ dhe dhëndri i tij Jamarbër Malltezi është pas hekurave, pasi gjykata mori masën e ‘arrestit me burg’ ndaj tij, po për këtë çështje.