E diel, 26 Prill, 2026

Lirimi i hapësirave, Rama njofton prishje edhe të objekteve të legalizuara; a do të mbajnë përgjegjësi krerët e Kadastrës?

Share

Pas Thethit, duket se vala e prishjeve të ndërtimeve dhe objekteve që zënë hapësirat publike do të shtrihet në të gjithë vendin.

Pas aksionit për lirimin e zonave të përbashkëta, kryeministri ka paralajmëruar se do të goditen edhe ato subjekte që i kanë legalizuar objektet.

Sipas tij, kudo që dyshohet se legalizimi është bërë në kundërshtim me ligjin, ai do të anulohet. Në Facebook, Rama ka dhënë dhe një shembull konkret të një lokali që ka legalizuar një shtesë duke bllokuar trotuarin.

Për të gjitha këto lloj çmendurish me qëllim fitimi në kurriz të komunitetit, të cilat kanë marrë dokument legalizimi në hapësirën publike duke ngritur tenda hekuri, jo vetëm që do të reagohet me zero tolerancë duke i anulluar ligjërisht, por do të miratohet së shpejti, si pjesë e reformës së re të kontrollit të territorit edhe një masë për ndëshkimin penal të të gjithë atyre nëpunësve të Aluiznit dje apo të Kadastrës më pas, që kanë firmosur për këto legalizime kriminale në mes të lagjeve të qyteteve tona”, shkruan Rama.

Por pyetja e madhe që shtrohet është: Kush realisht do të mbajë përgjegjësi për këtë legalizim? Ashtu si në Theth ku asnjë institucion nuk mori masa të ndalonte ndërtimet, këtu kemi një nivel akoma më të lartë paligjshmërie.

Objekte të caktuara janë legalizuar në shkelje flagrante të ligjit, pra kryeministri duhet të na thotë nëse do mbajë përgjegjësi dikush nga krerët e Kadastrës, duke filluar nga drejtoresha e Përgjithshme e deri te drejtorët lokalë. Sipas asaj që thotë Rama, do e pësojnë nëpunësit e fundit. Por të gjithë e dimë se në këtë batërdi janë përfshirë krerët e organve kompetente dhe nuk mund të kalohet me ndëshkim të punonjësve të thjeshtë. 

Te tjera

Lajme te tjera