SPAK ka në dorë ngjarje që politika i trembet. Një nga këto është dhe dosja McGonigal që po hetohet e plotë. Nëse prokurorët specialë e çojnë deri në fund, ata mund të shkojnë deri te kryeministri Rama. Sinjalet se drejtësia e re po lëviz “duart” u dhanë ditën e djeshme, pasi Dorian Duçka, këshilltari i Ramës është parë të hynte në SPAK. Fillimisht Duçka u paraqit në SPAK rreth orës 15:00 dhe ka qëndruar aty plot 4 orë. Ndërkohë që për gazetarët, ai nuk pranoi që të prononcohej, por u shpreh vetëm se ata mund të pyesin departamentin e drejtësisë në SHBA. SPAK pritet që të vazhdojë në ditët e ardhshme me dëshmitarët e tjerë për këtë çështje.
Nuk dihen ende arsyet e vizitës së tij në Prokurorinë e Posaçme pasi emri i tij është lakuar edhe në çështjen CEZ-DIA që lidhet me abuzimet me privatizimin e OSHEE-së. Megjithatë e qartë është se paraqitja e tij vjen pasi McGonigal pranoi fajësinë për fshehjen e faktit se kishte marrë 225,000 dollarë nga shqiptaro-amerikani, Agron Nezaj, i cili u bë informatori për hetimin e FBI-së lidhur me kontaktet dhe takimet e tij në Shqipëri. Zoti McGonigal pranoi të gjithë akuzat që kishin të bënin me Shqipërinë, përfshirë kontaktet me kryeministrin Edi Rama dhe këshilltarin jozyrtar të kreut të qeverisë, Dorian Duçka. Para pak ditësh vetë Altin Dumani zbuloi në një takim informal me gazetarët se çdo informacion i dhënë e publikuar në media për aferën McGonigal, është në vëmendjen e SPAK.
Prapaskenat
Dyshja Neza–Duçka kanë realizuar disa takime të ish-agjentit McGonigal me kryeministrin Rama, ku ndër të tjera është diskutuar për disa fusha naftëmbajtëse në jug të vendit. Këto të fundit çuditërisht iu dhanë një kompanie me lidhje të forta ruse, në shkelje të ligjit sipas vendimeve gjyqësore. Pra, shpërblimi i premtuar për ish–agjentin McGonigal shkonte përtej vlerës 225 mijë dollarë. Qartazi, në këtë rast kemi të bëjmë me “Korrupsion aktiv të nëpunësve të huaj publikë”, një vepër penale e dënueshme nga legjislacioni penal shqiptar. Këtu futet në lojë SPAK. Drejtësia amerikane po e bën gati dosjen dhe prova më e fortë për implikimin e liderit shqiptar në korrupsion është vetë fjala e “McGonigal”. Kjo do të jetë më e lehtë për prokurorët specialë të SPAK, të cilët çojnë vetëm një letër-porosi në Shtetet e Bashkuara të Amerikës për të marrë të gjithë informacionet në duar. Nëse shohim me detaje dosjen McGonigal të bën përshtypje se ai ka pranuar vetëm çështjen ku implikohet Rama. Sipas asaj që është bërë publike, Prokurorët federalë ranë dakord të heqin të gjitha akuzat e tjera të ngritura: dy akuza për falsifikim të të dhënave ose dokumenteve, të dënueshme deri në 20 vjet burg, dhe gjashtë akuza të tjera për fshehje të fakteve materiale ose dhënie të deklaratave të rreme. Aktakuza e ngritur në Uashington, drejtonte gishtin tek McGonigal për fshehjen e pagesave prej 225,000 dollarësh. Pra në këtë mes ka dhe një presion amerikan që mund të ketë detyruar McGonigal të pranojë fajin. Janë rrëzuar akuza që mund ta çonin në burg për shumë vite. Çdo gjë është e qepur. Dhe prokuroria më e dobët nëse kryen një hetim të thjeshtë mund të tregojë korrupsionin dhe minimin e demokracisë që ka kryer lideri shqiptar. McGonigal pranoi akuzat ku është implikuar Rama, por edhe lideri shqiptar ka pranuar të gjitha takimet me të. Rama pak muaj më parë pranoi se të gjitha takimet në Shqipëri dhe New York midis tij, McGonigal duke përfshirë dhe persona të tretë, janë të vërteta.
