E diel, 3 Maj, 2026

Koncesioni i Sterilizimit, GJKKO firmos ‘detyrim paraqitje dhe ndalim dalje jashtë vendit’ për Ilir Beqajn! Jep dorëheqjen nga agjencia SASPAC

Share

Prokuroria e Posaçme zyrtarizoi sot hetimin për ish ministrin e Shëndetësisë Ilir Beqaj lidhur me koncesionin e sterilizimit, të pajisjeve kirurgjikale, kontrata koncensionare 10 vjeçare afro 100 milionë dollarëshe e cila u firmos në dhjetor 2015 dhe ende vijon.

Ish ministri i Shëndetësisë do të hetohet për ‘shpërdorim detyre e kryer në bashkëpunim’ në procedurat e koncesionit nën masën e sigurisë “detyrim me paraqitje” dhe “ndalim të udhëtimit jashtë” . 
Ndërkohë Prej 17 gushtit 2023 të arrestuar me masë sigurie burg janë ish zv/ministri Klodian Rjepaj dhe biznesmeni Ilir Rrapaj,pronari i kompanisë “Investital LLC”, që ka në dorë koncensionin e sterilizimit të mjeteve spitalore, ndërsa 6 të tjerë janë në hetim në masa sigurie ‘arrest me shtëpie’ ose ‘detyrim me paraqitje’

Përmes një reagimi në Facebook, zoti Beqaj tha se nuk do ta ankimonte vendimin dhe ishte i gatshëm dhe i interesuar për zbardhjen sa më parë të kësaj çështjeje plotësisht.

Edhe pse kam rezerva serioze lidhur me disa aspekte të vendimit në fjalë unë kam vendosur të mos e ankimoj këtë vendim dhe ti nënshtrohem me vullnet të plotë kërkesave dhe garancive që ky proces hetimor kërkon për zhvillimin e tij normal dhe të rregullt. Disponibiliteti im karshi zbardhjes sa më parë të së vërtetës së kësaj çështje shkon përtej kufizimeve të lirive të mia vetjake dhe madje përtej një afati normal kohor, tashmë disa vjeçar. Besoj fort që në fund të këtij procesi emri im do të pastrohet përfundimisht nga çdo akuzë e pabazuar”

Ekzekutimi i masës së sigurisë u bë të premten e 17 nëntorit nga agjentët e Byrosë Kombëtare të Hetimit, të cilët njohën Beqajn me vendimin e gjykatës të dhënë më 16 nëntor. Pak minuta pasi u mesua se ndaj tij u zyrtarizuan hetimet  Burime të Zeri i Qytetareve dhe Lirise konfirmuan se Ilir Beqaj ka dhënë dorëheqjen nga detyra e drejtorit për Agjencisë Shtetërore të Programimit Strategjik dhe Koordinimit të Ndihmës (SASPAC)

Ish-ministri i Shëndetësisë duhet të paraqitet pranë agjentëve të BKH çdo të premte në orën 15:30, si pjesë e masës detyruese deri në fund të hetimeve. Beqajt gjithashtu i ndalohet përdorimi të gjitha mjeteve të identifikimit që i shërbejnë për t’u larguar jashtë vendit.

Prokuroria e Posaçme njofton se hetimet vazhdojnë në drejtim të evidentimit të përgjegjësisë penale të personave të tjerë të cilët kanë kryer veprime në kundërshtim me ligjin dhe përmbushjen e rregullt të detyrës.

Koncensioni parashikonte ofrimin e setit të personalizuar të instrumenteve kirurgjikalë, furnizimin me material mjekësor steril njëpërdorimësh në sallat kirurgjikale si dhe trajtimin e mbetjeve biologjike dhe dezinfektimin e sallave kirurgjikale.

Ilir Beqaj, nga hetimet e SPAK ka rezultuar se ka pasur njohje dhe miqësi të fortë me biznesmenin Ilir Rrapaj dhe së bashku kanë kryer disa udhëtime jashtë. Po ashtu, Rrapaj, në kohën që ishte në garë për tenderin, kishte lidhje direkte me zyrtarë të ministrisë së Shëndetësisë dhe lëvizte me makinat e kësaj ministrie. Ndër gjetjet e konstatuara nga SPAK janë edhe procedurat e ndjekura për fituesin por dhe mos realizimi i kushteve të parashikuara në kontratë. Ndërkohë, kompanisë fituese iu dorëzua një qendër moderne sterilizimi, ndërtuar në QSUT me kredi nga qeveria, por ajo nuk u vendos asnjëherë në funksion.

Te tjera

Lajme te tjera