E diel, 26 Prill, 2026

Iniciativa për zhbllokimin e hapësirave publike, Rama sërish thirrje bizneseve: Trotuarët janë për qytetarët

Share

Kryeministri Rama ka reaguar sërish për zaptimin e trotuareve nga bizneset në zonën bregdetare të Lungomares, në Vlorë.

Në një postim në rrjetin social “X”, Rama ka bërë thirrje për çlirimin e menjëhershëm të hapësirave publike, duke e cilësuar këtë si një hap të domosdoshëm për të ngritur standardin e shërbimit në përputhje me imazhin e “Shqipërisë Turistike”.

“Asnjë problem me karriget dhe shërbimin në një pjesë të trotuarit, si në Paris, Londër apo New York, por pa harruar që trotuari është i njerëzve dhe kurrsesi i barrikadave, si në Lungomare!”, shkruan Rama.

Ai theksoi se Lungomarja është një model modern i një qyteti bregdetar dhe duhet të shërbejë edhe si model për dizajnin e jashtëm të vijës së shërbimeve.

Kryeministri u bën thirrje të drejtpërdrejtë pronarëve dhe menaxherëve të bizneseve që të heqin karriget dhe tavolinat që kanë zaptuar trotuaret në Lungomare.

“Duhet të heqin vetë tërë barrikadat dhe të bashkëpunojnë me Bashkinë e Vlorës dhe Agjencinë e Zhvillimit të Territorit për dizajnin e ri, për të cilin do t’i mbështesim me kënaqësi”, shtoi kryeministri.

Rama ka theksuar se përveç ndërhyrjes në strukturat ekzistuese, synimi është të përmirësohet jo vetëm funksionaliteti, por edhe pamja estetike e vijës turistike, në përputhje me një standard të ri kombëtar për mikpritjen dhe shërbimin.

Te tjera

Lajme te tjera