E mërkurë, 22 Janar, 2025

Fjalimi për korrupsionin, ambasadorja Yuri Kim shuplakë “spin doktorëve”: Ja çfarë thashë në të vërtetë, lexoni dhe gjykoni vetë

Share


Ambasadorja amerikane në vendin tonë, Yuri Kim ka reaguar lidhur me keqkuptimin e fjalës së saj në konferencës anti-korrupsion në vendin tonë.

Ajo shkruan se “spin doktorët” po punojnë shumë, duke keqinterpretuar pikëpamjen e SHBA-së për luftën kundër korrupsionit në Shqipëri, dhe fton qytetarët që të lexojnë fjalën e saj.

Edhe një herë, “spin doktorët” po punojnë shumë, duke keqinterpretuar pikëpamjen e SHBA-së për luftën kundër korrupsionit në Shqipëri. Ja çfarë thashë në të vërtetë – ju lutemi lexoni dhe gjykoni vetë.

Ja fjala e plotë e ambasadores së SHBA në Tiranë, Yuri Kim konferencën “Anti-korrupsion”

Përshëndetje! Është kënaqësi të jem këtu. Dua të falenderoj Kryeministrin dhe Ministren Milva Ekonomi që e organizuan këtë aktivitet. Më duhet të hamendësoj, nga përmasat e kësaj salle, se kjo do të thotë që qeveria e Shqipërisë është e përkushtuar fort ndaj luftës kundër korrupsionit në një mënyrë që kapërcen angazhimet e mëparshme, dhe për këtë, mendoj duheni përgëzuar dhe nxitur. Është gjë e madhe.

Shtetet e Bashkuara janë të fokusuar në luftën kundër korrupsionit, jo sepse nuk kemi korrupsion dhe jemi kaq të përsosur dhe ndaj flasim për korrupsionin dhe demokracinë. Ne flasim për të sepse e kemi përjetuar në historinë tonë, se çfarë do të thotë kur nuk lufton kundër korrupsionit, çfarë do të thotë kur nuk mbron demokracinë.

Të gjithë ne, ju qytetarët e Shqipërisë, unë si përfaqësuese e Shteteve të Bashkuara, duhet të bashkojmë forcat në këtë moment historik dhe të themi: mjaft me korrupsionin; të themi se duhet të mbrojmë demokracinë; se Shqipëria dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës të jenë më të forta. Mendoni se ku jeni si vend. Vitin e kaluar festuam 30 vjet të Shqipërisë së lirë, Të lirë si një demokraci, si njerëz që hoqën qafe komunizmin, që hoqën qafe diktaturën. Dhe komunizmi dhe diktatura janë vetë një formë korrupsioni. Mendoj se cilido këtu që e ka përjetuar atë, prindërit tuaj që e jetuan atë, gjyshërit tuaj, e kuptojnë, e kuptojnë të vërtetën për diktaturën, komunizmin dhe korrupsionin.

Kështu që tani, ja tek jemi, 31 – 32 vjet pas fundit të komunizmit, njëqind vjet më parë që kur Shtetet e Bashkuara dhe Shqipëria lidhën marrëdhëniet formale diplomatike. Nëse do kishit thënë 100 vjet më parë, edhe 30 vjet më parë, se Shqipëria do të shkonte nga një nga vendet më të varfra në Europë, vendi më i varfër në Europë, tek ajo që jeni sot, një vend me një ekonomi të gjallë. Mund ta ndjesh energjinë. Eshtë diçka frymëzuese.

Por, është edhe frustruese, sepse ky vend dhe ky popull janë të aftë për shumë më tepër. E çfarë e bllokon? Korrupsioni, realiteti, perceptimi se më duhen lidhje të veçanta, më duhet të jap ryshfet, më duhet të bëj favore, më duhet të marr favore në mënyrë që të bëj një ndryshim, në mënyrë që të sjell ndryshim, në mënyrë që të përdor talentin tim. Kjo duhet të marrë fund. Kjo është të luftosh korrupsionin. Nuk është që cilido këtu të ndjekë dhjetë urdhëresat, apo cilindo ligj etik. Nuk është të urosh dhe shpresosh që të gjithë do shkojnë në parajsë, edhe pse e uroj këtë për ju, Por nuk është kjo pse.

Për ne në Shtetet e Bashkuara është me interes. Ne e konsiderojmë korrupsionin dhe luftën kundër korrupsionit një çështje të sigurisë kombëtare për Shtetet e Bashkuara. Sepse duam që miqtë tanë, partnerët dhe aleatët tanë, duam që ju, Shqipëria, të jeni të fortë, të pavarur, partnerë të plotë. Dhe e kam thënë këtë më herët në një shkrim, e duam Shqipërinë të jetë gjithnjë e më shumë një partnere, jo një problem. Mirëpo ky problem nuk mund të zgjidhet pa ju. Në fakt, jeni ju që duhet ta udhëhiqni luftën. Flasim shumë në Shqipëri për rolin e veçantë të Shteteve të Bashkuara dhe shpesh kur flas me njerës rreth e rrotull vendit, i dëgjoj të thonë: Vetëm ju, vetëm ju mund ta bëni këtë. Por ajo që dua të them është: vetëm ju duhet ta bëni.

Shtetet e Bashkuara si mik, aleat, partneri juaj do të jetë me ju çdo hap të rrugës, çdo hap të rrugës. Dhe çdo hap do të jetë i vështirë. Por ne do të jemi me ju, do të jemi me ju; ndonjëherë do t’ju shtyjmë, ndonjëherë do jeni të lodhur, dhe s’do doni të vazhdoni. Ndonjëherë do të lodhemi ne dhe nuk do duam të vazhdojmë. Por miqtë për këtë janë, miqësia për këtë është. Ky është një moment në historinë tuaj kur mund të kaloni në nivelin tjetër.

Kemi folur për faktin se sa Shqipëria ka ecur në njëqind vjet, në tridhjetë vjet, jeni anëtar i NATO-s, jeni në prag të Bashkimit Europian. Do të jeni anëtar i Bashkimit Europian. Secili vend anëtar i Bashkimit Euoropian bie dakord që Shqipëria e ka bërë të gjithë punën e nevojshme për të qenë anëtare e Bashkimit Europian. Iu duhet të merren ca me politikën e tyre, por do të jeni anëtar një ditë. Përveç kësaj, dy vjet më parë, Shqipëria ishte kryetare e radhës e OSBE-së. Vende të tjera shohin nga Shqipëria për standardet e demokracisë dhe lirisë. Dhe tani, nga 1 janari, jeni anëtar i Këshillit të Sigurimit të OKB-së, organi më i rëndësishëm që ekziston në botë. Uleni ngjitur me Shtetet e Bashkuara, Rusinë, Kinën, Francën dhe Mbretërinë e Bashkuar. Ju vendosni për çështjet më të rëndësishme që vendosen para botës. Jeni udhëheqës, me ne, Shtetet e Bashkuara për çështjet e lidhura me Ukrainën.

Ambasadori juaj në Kombet e Bashkuara është një superstar. Kryeministrit tuaj i kërkohet të flasë për çështje lidhur me Ukrainën dhe do t’i kërkohet të flasë edhe për çështje të tjera. Pse? Sepse Shqipëria ka rëndësi. Jeni në një nivel tjetër. Është tani koha që të merrni vendimet e forta për të shkuar në nivelin tjetër. Nuk e bëni dot nëse korrupsioni shihet si diçka normale, shihet si i pranueshëm. Siç e përmenda më parë, nuk e themi këtë sepse Shtetet e Bashkuara janë të çliruara nga korrupsioni. Edhe ne kemi korrupsion. Por kemi edhe ligjet si dhe një kontekst shoqëror ku është e turpshme të angazhohesh në korrupsion, e turpshme që një zyrtar të kërkojë ryshfet, e turpshme që të fuqishmit të përfitojnë, që të fuqishmit të përfitojnë në kurriz të të dobëtve, e turpshme që dikush të shmangë ligjin dhe ne kemi një sistem ligjesh, prokurorë dhe gjyqtarë nga të cilët pritet ta zbatojnë ligjin në mënyrë të barabartë. Ç’është më e rëndësishme, kemi qytetarë që janë të edukuar dhe që e kuptojnë dhe kërkojnë të drejtat e tyre si baza e demokracisë.

Dhe kështu, 30 vjet një brez i tërë që kur u çliruat nga zinxhirët e komunizmit, nga diktatura, nga korrupsioni, është koha për ta bërë këtë diçka të përhershme, të thoni që ligji aplikohet barabar ndaj të gjithëve, që a askush nuk është mbi ligjin, që askush nuk do të ketë pandëshkueshmëri. Nëse shkel ligjin, do paguash çmimin. Dhe këtë e bëjmë jo për hakmarrje, por sepse çdo qytetar në një vend kaq të mrekullueshëm, me kaq potencial sa Shqipëria duhet të ketë një mundësi të drejtë. Nuk mendoj se ndokush këtu kërkon privilegj të veçantë. Nuk mendoj se kërkoni këtë për fëmijët tuaj. Mendoj se doni që fëmijët tuaj të kenë të njëjtën mundësi të drejtë si fëmijët e çdokujt tjetër. Nëse janë të talentuar, nëse punojnë fort, fitojnë një vend pune. Nëse janë të talentuar, nëse punojnë shumë, mund të nxjerrin para mjaftueshëm për t’u kujdesur për familjen.

Ndaj, le t’i japim fund korrupsionit. Le të vazhdojmë të punojmë së bashku. Hap pas hapi. Do të ketë momente kur do rrëzohemi, por do ndihmojmë njëri tjetrin për t’u ngritur. Dhe do të bëjmë punën e vështirë sepse Shqipëria duhet të ecë përpara. Shtetet e Bashkuara duan të ecin përpara bashkë me ju.

Ju faleminderit shumë!

Koment përmbyllës nga Ambasadorja Kim: Ju jeni në një çast kritik të historisë suaj. Duhet të vendosni praktikisht se në cilin drejtim do të shkoni: do të shkoni përpara apo prapa? Kush do zotërojë vendin tuaj? Do ta zotërojë krimi i organizuar, vetëm oligarkët, apo do të kenë edhe njerëzit e zakonshëm mundësinë për të fituar, për të zotëruar prona, për t’i zhvilluar pronat, e për t’u pasuruar. Ju duhet të vendosni. Do të jetë ky rasti që cilido këtu do të mundohet për lidhje të veçanta, vetëm që t’ia dalin, apo do të krijoni një sistem ku kushdo është i barabartë përpara ligjit dhe ku fëmija juaj është po aq me vlerë, po aq i lirë, po aq i aftë dhe ka të njëjtat mundësi si fëmija i dikujt tjetër. Pra, ky është një çast i madh dhe ne besojmë, si Shtetet e Bashkuara, që do të bëni zgjedhjen e duhur, ashtu siç keni bërë në çdo çast tjetër kritik. Pra, faleminderit për pjesëmarrjen tuaj sot dhe ne presim të vazhdojmë të punojmë shumë ngushtë me ju.

Faleminderit.

Te tjera

Lajme te tjera