Më kanë tërhequr gjithmonë njerëzit me mendim të thellë, dhe jam kurioze të di më shumë rreth asaj që i bën ata të tillë, çfarë i dallon, mendimet e tyre dhe çfarë është e rëndësishme për ta. Sot do të ndaj një shkrim të veçantë, që nuk ka të bëjë me moshatarët e mi të fëmijërisë në Kuçovë, as me poetë të njohur në këtë grup të ngushtë krijuesish në Facebook, ku shpërndajmë krijimet tona. Jam në hapat e mi të parë dhe përfitoj e mësoj se çfarë është poezia e mirëfilltë letrare.
Për habinë time, nuk do ta kisha menduar kurrë që një ditë do të shkruaja për një mjek të njohur shqiptar, për mjekun infeksionist që la gjurmë gjatë kohës më të vështirë, më të kërcënuar për jetën e shqiptarëve. Në kohën e përballjes me virusin Covid-19, që për gati dy vjet paralizoi çdo gjë në të gjithë rruzullin tokësor, për mua dhe te tjere kjo periudhë mbetet si koha e Dr. Tritan Kalos.
Duke jetuar për 20 vite në Toronto, nuk kisha rastin ta dëgjoja më parë, e aq më pak ta njihja personalisht Dr. Tritanin, ose siç e quan ai veten “mantelbardhi”, një term që ka një kuptim të thellë, ashtu si personaliteti i tij. Ai ka një zemër të bardhë dhe të pastër, për të cilën mund të them se konkurron me ngjyrën e përparëses së mjekut. Ai është një ndër të rrallët në Shqipëri me një filozofi të veçantë për profesionin e tij.
Në një shkrim që bëra dy muaj më parë për mjeshtrin e kryeveprës së orës “Primordial Passion”, mikun tim Pirro Ruco, Dr. Tritan ishte i pari që bëri një koment urimi për mikun e tij. E falenderova me shumë mirënjohje, dhe më pas, nga kurioziteti dhe respekti, i dërgova një kërkesë për t’u bërë miq në Facebook.
Që nga ajo ditë, kam një mik virtual më shumë, dhe kam mësuar shumë për këtë strateg të kohës pandemike, për këtë njeri që sakrifikoi jo vetëm dijet dhe fuqitë e tij, por edhe personalitetin dhe orët e panumërta në betejën me virusin. Ajo që e bën Dr. Tritanin unik është se ai nuk u largua asnjëherë nga spitali infektiv, të cilin e quan “shtëpia e tij e dytë”. Ai qëndroi në krye të detyrës supreme, ndërsa familja e tij, gruaja dhe tre vajzat, jetonin në Viktoria, BC.
Dr. Tritani ishte në vijën e parë të frontit, duke hyrë dhe dalë nga zona e kuqe dhjetëra herë në ditë. Puna e tij përfshinte një përkushtim dhe seriozitet të jashtëzakonshëm në trajtimin e pacientëve pa përjashtim. Në kohën kur bota e tërë ishte paralizuar, dhe çdo gjë ishte mbyllur hermetikisht, mjekët ishin në ballë të përballjes.
Nuk dihej se sa do të zgjaste pandemia deri sa të krijohej imuniteti i tufës ose të mbyllej cikli i infeksionit. Kam parasysh një intervistë ku Dr. Tritani përshkruante simbiozën midis jetës, natyrës dhe viruseve. Në fillim të pandemisë, ai mori një kokërr domate të rritur në oborrin e spitalit infektiv dhe e futi në një epruvetë të izoluar nga ajri. Ajo domate rezistoi për rreth dy vjet, duke u rrudhur ngadalë, një tregues se kurba e pandemisë po ulej. Në një intervistë, ai përshkroi se evolucioni i pandemisë zgjaste rreth 18 deri në 24 muaj, ndërsa “bishti” i saj mund të zgjaste 3 apo kater muaj dhe me shume.
Pas hapjes graduale të jetës dhe punës në çdo vend të botës, përsëri virusi vazhdoi të jetë kërcënim, me forma të reja që shfaqeshin. Në këtë kohë, monitorimi vazhdonte kudo: në tregje, shkolla, mjete transporti dhe spitale. Maskat dhe masat mbrojtëse ishin të pranishme në çdo aspekt të jetës.
Si edukatore kopshti, më duhej të plotësoja me përgjegjësi një formular që vërtetonte se isha e pastër nga virusi, ashtu si edhe pjesëtarët e tjerë të familjes sime. Një person na maste temperaturën çdo mëngjes, dhe ky rregull vlente për të gjithë, përfshirë prindërit dhe fëmijët. Pjesa më e vështirë ishte puna me maskë dhe plastikë mbrojtëse për 8 orë, me fëmijët, natyrën e të cilëve është e gjallë dhe kërkuese.
Por për Dr. Tritanin dhe stafin e tij, sa më e vështirë dhe e dhimbshme ishte ajo periudhë! Ata punuan me përkushtim dhe përgjegjësi absolute, dhe për këtë ai është një strateg i jashtëzakonshëm. Nëse Skënderbeu çliroi vendin nga pushtuesit osmanë, Dr. Tritan shpëtoi shqiptarët nga virusi më i egër, një flamë për kohën.
“The mark of a true leader is not in how many people he commands, but in how many lives they positively impact.” qe do te thote: “Gjurma e nje lideri te vertete nuk qendron ne menyren se si ai komandon njerezit, por ne sa jete kane ndikim pozitiv”.
Kjo shprehje e çmuar i shkon më së miri Dr. Tritan Kalos, një lider dhe mbrojtës i jetëve të shqiptarëve gjatë pandemisë.
Dr. Tritan doli në pension në vitin 2023, pasi mbushi moshën. Ja si shprehet ai pak përpara asaj kohe:
“Prej shtatorit 1996 i kishim në dorë dokumentet e emigrimit për në Kanada, por megjithatë hezitonim shumë të largoheshim nga ‘Dheu ku na kishte lerë koka’…. Ishim të instaluar shumë mirë në Paris, Francë, ku unë edhe studiova, por së bashku me time shoqe dhe dy vajzat e lindura në Shqipëri vendosëm të riktheheshim në fillimvitin 1993, me idenë dhe dëshirën për të kontribuar në zhvillimin dhe demokratizimin e vendit tonë, të dalë nga 45 vite diktaturë… ‘Guri i rëndë në vend të vet’ ishte diçka që prindërit na e kishin ushqyer çdo ditë me dashurinë për NËNËN LOKEN SHQIPËRI… Pozicionin profesional të punës në Paris, të marrë përmes konkurrimit, kurrë nuk mbërrita ta marr në vendin tim, edhe pse i diplomuar me ‘Medalje të Artë’ në Fakultetin e Mjekësisë, Universiteti i Tiranës, dhe i vetmi mjek në atë kohë i diplomuar në një prej 100 universiteteve më në zë në botë, Universiteti Paris 7, Fakulteti i Mjekësisë ‘Xavier Bichat’, në dy domene të rëndësishme të mjekësisë klinike: 1- Sëmundjet Infektive e Tropikale, dhe 2- Reanimacionin Mjekësor…”
Jam e sigurt që një personalitet si Dr. Tritan Kalo nuk mund ta ketë pasur të lehtë të linte pas dhe aq shpejt gjithë atë bagazh njohurish, jo vetëm në Universitetin e Mjekësisë në Tiranë, por edhe si i vetmi mjek i diplomuar në një prej 100 universiteteve më në zë në botë, Universiteti Paris 7, Fakulteti i Mjekësisë “Xavier Bichat” në dy domene të rëndësishme të mjekësisë klinike: 1- Sëmundjet Infektive e Tropikale, dhe 2- Reanimacionin Mjekësor.
Mendoj se edhe për pacientët ka qenë shumë e vështirë dhe e rëndë, duke imagjinuar momentin kur prisnin që ai të hynte në dhomë për kontroll apo vizitë. Ata mbërtheheshin jo vetëm pas çdo fjale që ai thoshte, por ndiqnin dhe shikimin e tij, tonin e zërit, për të kuptuar ndonjë shenjë të asaj që ai mendonte për ta. Dhe kur Dr. Tritan u tregonte për gjendjen e tyre, mund t’u dukej se jeta e tyre varej prej saj, ndoshta dhe ashtu ishte. Shumë nga pacientët e tij shprehen se ai e njihte shumë mirë profesionin e tij dhe kishin aq shumë besim te ai, saqë vetëm me prekjen e dorës së tyre nga ai, mund të ndodhte një përmirësim apo shërim.
Pjese tjeter qe ai shprehet ate dite:
“Viti i mbrapshtë 1997 na krijoi ankthin e vazhdimësisë së jetës në Shqipëri… Profesionalizmi, përkushtimi dhe puna pak u vlerësuan në atë kohë, dhe përsëri pak u vlerësuan pas rikthimit tim nga Kanadaja në korrik 2009, kur “gëzova edhe statusin e të papunit” për një vit, si dhe të mos rikthimit në auditorët e dijes deri më sot…. NËSE nuk je konformist, militant apo një servil i verbër pas forcave politike të dala pas shpalljes së pluralizmit në Shqipëri më 15.12.1990, pak ose aspak të ofrohen mundësitë për të dhënë më të mirën tënde si Mantelbardhë i panjollosur…. KËTË gjë nuk duan ta pranojnë politikanët në Shqipëri, ndaj i mirëkuptoj shumë kolegë përse ata largohen nga “Dheu i të parëve të tyre”…. Data që do të shënojë kthimin tim përfundimtar pas pensionimit në Shqipëri, këtu nga Victoria, BC, Kanada…. Gjithsesi, në çdo qelizë timen përjetësisht është gjurmëzuar Shqipëria dhe shqiptaria…. Together forever!!!”
Duke u njohur me këtë pjesë, më vjen ndër mend historia ime e trishtë, që ndodhi me familjen time përpara se unë me dy fëmijët e mi të emigroja në Kanada. Mbase shqiptarët janë të detyruar në një formë a tjetër të emigrojnë, për të gjetur veten dhe familjet e tyre në një vend më të sigurt, ku ndihen të barabartë mes të barabartëve. Unë humba shumë në pesë vitet e fundit në Shqipëri, përpara se të emigroja në Kanada, Toronto, falë korrupsionit që filloi; mua m’u mohua e drejta për të emigruar në Amerikë, dhe me emrin tim shkoi një person tjetër. Më pas, tim shoqi i grabitën në mes të ditës, duke shkuar për të shkëmbyer valutën nga Berati në Tiranë, 40 milionë lekë, si kambist, dhe pas dy vitesh humba tim shoq, për shkak të traumave dhe stresit që përjetoi, nga një infarkt masiv.
Mirë, unë isha e detyruar të shkoja, dhe në atë moshë, 46 vjeç, emigrova në Kanada, për të rritur dhe shkolluar dy fëmijët e mi, por për Profesor Tritanin, që kishte specializimin më të lartë në fushën e infeksionit në një nga universitetet më të mira në botë, në Paris, dhe me përvojën e tij prej 41 vitesh, etika e tij qytetare, një mjek human që asnjëherë nuk i shikonte pacientët e tij vetëm si raste mjekësore, përse ai duhej të emigronte kur vendi i tij kishte më shumë nevojë se kurrë për të?
Dhe, në parantezë, të gjithë ata që punojnë sot në Spitalin Infektiv janë ish-nxënësit e Profesor Tritan Kalos. Edhe pse ai sot jeton në Kanada, ai ka lënë pas gjithë përvojën e tij të pasur, mirënjohjen e pacientëve, kolegëve, miqve dhe njerëzve të ndershëm. Ai ka lënë pas një armate mjekësh, që dikur kanë qenë nxënësit e tij në auditore, dhe padyshim siç ishte ai mentor i tyre, po ashtu edhe ata sot punojnë sipas shembullit dhe njohurive më të mira që ai u rrënjosi.
Këto ditë më bëri përshtypje një postim i Dr. Tritan Kalos në Facebook. Ai pothuajse çdo ditë poston foto dhe shkrime me çaste nga jeta e tij familjare në Victoria, BC, ku jeton me tri vajzat e tij. Gjatë 41 viteve në fushën e mjekësisë, e kryesisht në specialitetet e tij të mëvonshme pas përfundimit të degës së mjekësisë në Universitetin e Tiranës, Dr. Tritani ka punuar me pasion, dhe tani, në vitet e qeta të pensionit, e sheh të kaluarën e tij si në një pasqyrë, kur e tashmja i rrjedh kaq qetë si valët e një deti nën puhizën e lehtë. Jam e bindur që Dr. Tritani ndjen kënaqësinë e gjithë punës së tij dhe jeton plotësisht në të tashmen, e cila është e mbështetur mbi të kaluarën, dhe është mijëra herë më e thellë.
Ajo që më ka bërë më shumë përshtypje është se ai, si atdhetar i zjarrtë, shprehet shpesh, i dhemb zemra për çdo gjë të padrejtë që ndesh në Shqipëri, atdheun e shumë emigrantëve që kanë marrë rrugët e botës, përfshirë dhe atë vetë. Habitem se si një mjek infeksionist, siç është Dr. Tritani, gjen kohë për të bërë edhe vizita online për pacientët në Shqipëri, por edhe për të tjerë, ku është gjithmonë i gatshëm. Ai gjithashtu ka kohë të bëjë analiza të thella për çdo situatë politike apo problem të njerëzve të thjeshtë në Shqipëri. Në një postim pashë që vajza e tij, gjatë pushimeve të tyre në vendin amë, ku për të eshtë hera e parë që e viziton, ka probleme me alergjinë e krijuar nga tymrat dhe ajri i ndotur në Tiranë. Me të drejtë, siç shprehet dhe ai vetë, ky është një problem për të gjithë fëmijët, të rriturit, dhe pensionistët, që në orët e tyre të lira, pa preokupime pune, është e nevojshme dhe e shëndetshme të marrin rreze dielli apo ajër të pastër në ato pak parqe apo vende të gjelbëruara, që mund të kenë shpëtuar prej rrokaqiejve në qendër të Tiranës.
Në një postim tjetër, ditët e fundit, lexova se në kryeqytet, ku në verë apo vjeshtë vijnë emigrantë shqiptarë apo turistë, akoma lejohet pirja e duhanit në ambiente çlodhëse si lokale apo kafene. Këto janë norma jetike që të gjithë duhet t’i zbatojmë; janë rregulla elementare të sjelljes me etikë dhe edukatë qytetare. Në shtetin ku jetoj, Kanada, si unë në Toronto apo Dr. Tritani në Victoria të British Columbia, pirja e duhanit është kategorikisht e ndaluar në stacionet e autobusit, në autobus apo tren, në lokale, kinema, stadiume – pra, në të gjitha ambientet publike ku ka njerëz, është e ndaluar, madje dënohet me gjobë të madhe deri në 10,000 dollarë.
Çfarë i pengon disa shqiptarë që ta bëjnë rregull, zakon, ose rutinë që të mos pinë duhan në shtëpi apo në ambiente publike? Të gjitha këto rregulla janë në dobi të ruajtjes së shëndetit të familjarëve të tyre apo dhe të të panjohurve që mund të gjenden në të njëjtin tren apo autobus.
Është një privilegj të njohësh një personalitet të tillë, dhe për atë që Dr. Tritan ka dhënë dhe vazhdon të japë për popullin e vet, ai është si një kometë me bisht të gjatë, shumë të ndritshëm, që kalon shumë rrallë dhe prek tangjent rruzullin tokësor. Në çdo postim të tij, ku ai shkruan dhe analizon politikën shqiptare, që është një problem i madh për t’u zgjidhur në vendin tonë, për një ndryshim rrënjësor në mendësinë dhe udhëheqjen politike të vendit, çdo përpjekje e tij më duket se kalon tangjent me realitetin atje, por drita e kësaj komete shkëlqen shumë. Si emigrante, i bashkohem kësaj dëshire të Dr. Tritanit, si një atdhetar, që zemra i do që kjo situatë të ndryshojë për mirë.
Ndërsa Nënë Tereza, e cila gjithë jetën, fuqitë dhe kohën e saj ia kushtoi të varfërve, jetimëve dhe të sëmurëve me lebrozë në Kalkuta të Indisë, Profesor e Dr. Tritan Kalo gjithë bagazhin e tij të dijeve të marra në Universitetin e Tiranës, apo në Francë dhe shtete të tjera, me angazhimet e tij në detyrën e mjekut në nevojë, ia ka kushtuar dhe ia kushton vendlindjes së tij, si shtetas atje më parë apo si atdhetar i flaktë në emigrim tani. Dhe jo pak herë, për gjithë këtë veprimtari të pasur si mjek infeksionist, jo vetëm në ndjekjen e pacientëve të tij, por dhe me një etikë të lartë qytetare, Dr. Tritan Kalo quhet ndryshe edhe “Nënë Tereza” e QSUT-së.
Nëse do të bëja një krahasim të thjeshtë për gjithë emigrantët që kanë mbi 25 apo 20 vite në emigrim në SHBA apo Kanada, ata me punën dhe të ardhurat e tyre kanë arritur të kenë një shtëpi të shlyer në emër të tyre, ndërsa Dr. Tritanin e thirri detyra e tij e mjekut në nevojë, në vendlindjen e tij. Nëse që nga viti 1999 Dr. Tritan do të kishte punuar dhe jetuar në Victoria të British Columbia, padyshim që sot do të kishte një shtëpi në emër të tij atje, me punën si mjek. Por prioriteti i Profesor e Dr. Tritan Kalo ka qenë detyra e tij e shenjtë dhe fisnike e mjekut.
Megjithatë, me eksperiencën e tij të gjatë si mjek, të cilën e ka realizuar dhe vazhdon ta realizojë me devotshmëri, mund të them se Profesor e Dr. Tritan Kalo ka fituar më shumë se një shtëpi – ai ka fituar zemrat e gjithë shqiptarëve. Ashtu si Princesha Diana ishte “princesha e popujve,” Dr. Tritan Kalo është mjeku dhe miku i të gjithë shqiptarëve, dhe kjo është e shkruar në historinë e vendit të tij.
Vite te qeta ne pension Dr Tritan,
Me shume respekt,
V.Korcari Muka
Toronto, Tetor, 03, 2024