Ish-ministri i Mbrojtjes, Fatmir Mediu pas përfundimit të seancës gjyqësore për “Gërdecin” tha ditën e djeshme për mediat se nuk ka qenë asnjëherë në zonën ku ndodhi shpërthimi që la të vdekur 26 persona. Ai u shpreh se mori pjesë në respekt të gjykatës dhe se kishte dëshmitarë që kishin punuar me të, ndërsa bëri thirrje për një proces të ligjshëm dhe të barabartë për palët. Ai foli dhe për faksin dhe rolin e Shkëlzen Berishës. “Unë erdha sepse kishte dëshmitarë që kanë punuar me mua dhe kanë ndjekur urdhrat e mi. Dëshmitarët e mëparshëm nuk kanë pasur lidhje me punën e ministrit. Erdha sot në respekt të gjykatës dhe duke shprehur ndjesën time për familjarët për atë që u ndodhi. Unë nuk e zhbëj dot më atë që ka ndodhur dhe kërkoj ndjesë. Ky proces duhet të jetë i ligjshëm dhe i barabartë për palët. Nuk ka pasur asnjë moment të vetëm të jetë njoftuar të ketë një problem të vetëm në Gërdec. Nuk ka pasur një faks të tillë nga Ministria e Mbrojtjes. Nuk kam asnjë dijeni, një ditë më parë ka ardhur vendimi i Ministrisë së Drejtësisë kjo çon më tej, u pyetën ata që janë marrë me faksin mund të pyesni zotin Berisha apo Bumçi, nuk kam qenë në dijeni të këtij dokumenti. Nuk më ndikon asgjë, kjo tregon një mungesë të raportit tim me zotin Berisha. Ishte urdhri për demontimin e municioneve, VKM 617 e qeverisë Nano që janë rrezik për jetën për sigurinë, nuk ka as më shumë as më pak se detyrën të zbatojë vendimin e Këshillit të Ministrave. Urdhrat e ministrit qarkullojnë tre ditë, ka qenë ngjarje të rënda, deri në vitin 2010 duhej të bënim demontimin e municioneve ka mbaruar në vitin 2013. Nuk ka kërkuar dhe ndikuar nga askush, çdo rast çdo shkresë ia kam përcjellë strukturave më të larta civile, ministri i Mbrojtjes nuk është ushtarak nuk njeh as kalibra, as distanca, Gjykata e Lartë ka deklaruar në rekursin që kemi bërë në vendimin e Apelit që duhet të vlerësojë parashkrimin kur prokuroria ndërton akuzë gjë që nuk ka ndodhur, nëse ka parashkrim, nuk ka proces. Që një proces të jetë i drejtë duhen të gjitha garancitë. Nuk dua të paragjykoj,vetëm rreth të vërtetave. Duke respektuar çdo vendim të gjyqtares”, tha Mediu.
