E diel, 26 Prill, 2026

Dita e 6-të e aksionit, IKMT vijon shembjen e objekteve pa leje në Theth! Tensione mes përfaqësueve të PD dhe policisë

Share

Prej orëve të para të mëngjesit, ka vijuar operacioni i IKMT-së për shembjen e objekteve pa leje në të gjithë zonën e Thethit. Rreth 60 është numri i objekteve që janë shembur deri më tani, ndërsa aksioni pritet të vijojë deri në mbrëmje. 

Të pranishëm sot janë edhe përfaqësues të PD-së, ndërsa  ka pasur edhe tensione mes tyre, banorëve dhe forcave të policisë, të cilët kanë krijuar një lloj kordoni për të mos lejuar përplasje të mundshme. Në një moment, Luçiano Boçi i drejtohet drejtorit të policisë: 

“Mos më kap me dorë se ta mbështjell mirë, legen m…. E mendove mirë që më preke? O trim hajde një minutë. Legen! Je edhe i persekutuar ti. Drejtor policie ti, servil i bindur. Ça është ai drejtor policie, drejtor ai? Ai është legen, hajde këtu. O trim hajde këtu se e ke për detyrë. Ça vjen si cub ti. Bën trimin me njerëz të thjeshtë ti. Hajde se do ta shohësh, ke mbrojtjen e shtetit ti.”, i drejtohet Boçi. 

I pranishëm ishte edhe Bardh Spahia, ish-kryebashkiaku demokrat i Shkodrës dhe deputet i dalë nga 11 maji, i cili e cilësoi aksionin si një terror të pastër ndaj banorëve dhe një hakmarrje politike e Ramës.

“Është hera e parë që në gjithë këto vite Thethi dhe Dukagjini përballet me një dhunë të tillë, terror shtetëror të paprecedentë, të paargumentuar. Falë një përgjegjësie ekstreme të Ramës vetë, i cili si një besprerë tipik pasi u dha fjalën se do t’i lejonte, madje u bëri thirrje qe të investonin emigrantëve të shumtë të investonin, në këtë zonë, i dhunon sot, dhe i hedh në lumë investimet dhe kursimet e një jete të tërë.”, theksoi Spahia. 

Më herët, Report TV solli edhe pamjet me dron nga Thethi mes bukurive natyrore dhe shkatërrimit të ndërtimeve pa leje. Kujtojmë që ditën e djeshme, aksioni vijoi deri në orët e vona të mbrëmjes, ku u shoqërua edhe me një incident.

Një grup banorësh u përplasën me policinë, ku qëlluan me molotov. Policia tha se një prej banorëve tentoi të digjte urën në fshatin Gjelaj, ku do të kalonte mjeti i IKMT-së. Nuk pati të lënduar, teksa hedhja e molotovit shkaktoi flakë pranë mjetit dhe dëme materiale në urë. Dërrasat u dogjën në një pjesë të urës dhe qëllim ka qenë dëmtimi që fadroma të mos kalonte në lagjen ku do vijonin shembjet.

Te tjera

Lajme te tjera