E enjte, 21 Maj, 2026

Alarmi i BE/ Nga Kadastra, te Tatimet, Doganat, shëndetësia e arsimi: korrupsioni në çdo hallkë të shtetit

Share

Brukseli ka konfirmuar zyrtarisht miratimin e draftit të qëndrimit të përbashkët të Bashkimit Europian për Shqipërinë, bazuar në raportin IBAR, në grupin e punës COELA, pa asnjë kundërshtim nga shtetet anëtare të BE-së. Dokumenti konsiderohet një moment i rëndësishëm në procesin e negociatave të Shqipërisë, por njëkohësisht edhe një sinjal i fortë politik për shqetësimet që ekzistojnë në Bruksel mbi funksionimin real të shtetit shqiptar, luftën kundër korrupsionit dhe pavarësinë e institucioneve të drejtësisë.

Sipas dokumenteve të siguruara, drafti fillestar i raportit, i hartuar në shkurt 2026, kishte një gjuhë më të moderuar dhe fokusohej kryesisht tek progresi teknik i Shqipërisë në përmbushjen e benchmark-eve të ndërmjetme. Por gjatë negociatave mes vendeve anëtare, disa shtete kërkuan ashpërsimin e tekstit, duke argumentuar se situata reale në Shqipëri vazhdon të ngrejë shqetësime serioze për korrupsionin, ndikimin politik në drejtësi dhe funksionimin e institucioneve demokratike. Versioni final i miratuar në maj 2026 reflekton pikërisht këtë qasje më kritike.

Pjesa më e fortë e raportit lidhet me sistemin e drejtësisë dhe SPAK-un. Për herë të parë në një dokument të këtij niveli, Bashkimi Europian përmend drejtpërdrejt Strukturën e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, duke ngritur shqetësime për presionet politike dhe ndërhyrjet ndaj institucioneve të drejtësisë.

Në raport thuhet se BE-ja “shpreh keqardhje dhe i kërkon Shqipërisë të adresojë përpjekjet e shtuara dhe shqetësuese nga zyrtarë publikë dhe politikanë, përfshirë nivele të larta, për të ushtruar ndikim të padrejtë mbi institucionet e drejtësisë, përfshirë SPAK-un”. Dokumenti përmend gjithashtu sulmet personale ndaj gjyqtarëve dhe prokurorëve dhe kërkon forcimin e rezistencës së institucioneve të drejtësisë ndaj ndërhyrjeve të brendshme dhe të jashtme.

Raporti vë theks të veçantë tek nevoja që pushteti ekzekutiv dhe ai legjislativ të respektojnë plotësisht pavarësinë e gjyqësorit dhe të zbatojnë pa vonesa vendimet e Gjykatës Kushtetuese. BE evidenton raste të mëparshme të moszbatimit ose zbatimit të vonuar të vendimeve nga qeveria dhe Kuvendi, duke e konsideruar këtë një problem serioz për shtetin e së drejtës.

Një tjetër pikë e fortë e dokumentit lidhet me çështjen e imunitetit të zyrtarëve të lartë dhe ndërhyrjet politike në hetime. Bashkimi Europian kërkon që praktikat për heqjen e imunitetit të udhëhiqen nga standardet europiane dhe opinionet e Komisionit të Venecias. Në mënyrë të drejtpërdrejtë, raporti shpreh keqardhje për disa vendime të mëparshme të Parlamentit shqiptar lidhur me hetimet ndaj ish-zyrtarëve dhe deputetëve.

Ky referim lidhet me rastin e ish-zv/kryeministres Belinda Balluku, për të cilën SPAK kërkoi heqjen e imunitetit, por shumica socialiste e rrëzoi kërkesën në Kuvend. Në qarqet europiane, ky episod shihet si një nga rastet më domethënëse të përplasjes mes politikës dhe drejtësisë, si dhe një test për gatishmërinë e institucioneve shqiptare për të lejuar hetime të pavarura ndaj figurave të nivelit të lartë.

Në raport, Bashkimi Europian pranon se Shqipëria ka bërë progres në reformën në drejtësi dhe në procesin e vettingut. Dokumenti vlerëson përfundimin e vettingut në shkallën e parë dhe kërkon vijimin e procesit në apel sipas standardeve të vendosura nga Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit. Po ashtu, BE kërkon që standardet e vettingut të mos mbeten vetëm formale, por të zbatohen në mënyrë të vazhdueshme gjatë karrierës së gjyqtarëve dhe prokurorëve, përmes kontrolleve të rregullta të integritetit dhe transparencës në emërime e promovime.

Megjithatë, raporti evidenton se sistemi i drejtësisë vijon të ketë probleme serioze strukturore. Bashkimi Europian kërkon më shumë burime njerëzore dhe financiare për gjykatat dhe prokuroritë, plotësimin urgjent të vendeve vakante në sistem, uljen e stokut të dosjeve dhe krijimin e një sistemi të integruar elektronik për menaxhimin e çështjeve gjyqësore. Në dokument theksohet gjithashtu nevoja për të parandaluar aksesin e paautorizuar në sistemet elektronike të drejtësisë dhe për të garantuar sigurinë e gjyqtarëve, prokurorëve dhe stafit të institucioneve ligjzbatuese.

Korrupsioni mbetet një nga shqetësimet kryesore të Bashkimit Europian për Shqipërinë. Raporti pranon rezultatet e SPAK dhe të gjykatave speciale në hetimin e rasteve të korrupsionit në nivele të larta, por thekson se korrupsioni vazhdon të jetë “i përhapur në shumicën e fushave të jetës publike dhe ekonomike” dhe mbetet “një shqetësim thelbësor”.

BE identifikon si sektorë me risk të lartë korrupsioni infrastrukturën publike, kontratat PPP, prokurimet publike, kadastrën dhe pronat, doganat, administratën tatimore, arsimin dhe shëndetësinë. Dokumenti kërkon që masat anti-korrupsion të mos mbeten vetëm në letër, por të japin ndikim real në këta sektorë ku abuzimi me fondet publike konsiderohet më i lartë.

Në raport kërkohet gjithashtu rritja e konfiskimeve të pasurive të lidhura me korrupsionin dhe nisja sistematike e hetimeve financiare paralele në rastet e korrupsionit të nivelit të lartë. Bashkimi Europian kërkon forcimin e kapaciteteve të SPAK-ut, shtimin e burimeve financiare dhe njerëzore dhe rritjen e referimeve nga institucionet shtetërore drejt prokurorisë speciale. Dokumenti nënvizon se lufta kundër korrupsionit duhet të prodhojë rezultate konkrete, të qëndrueshme dhe të prekshme në nivelet më të larta të pushtetit.

Raporti prek edhe çështjen e ndryshimeve të mundshme në legjislacionin penal dhe amnistitë. BE paralajmëron se çdo ndryshim ligjor, përfshirë amnistitë apo programet fiskale, duhet të jetë në përputhje me standardet europiane dhe të mos dëmtojë luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.

Përtej drejtësisë dhe korrupsionit, dokumenti ngre shqetësime edhe për lirinë e medias dhe të drejtat themelore. Bashkimi Europian vlerëson se Shqipëria ka ende nevojë për reforma të thella për të garantuar pluralizmin mediatik, transparencën e pronësisë së mediave dhe pavarësinë editoriale. Raporti evidenton gjithashtu shqetësimin për klimën e sulmeve verbale, fizike dhe proceseve gjyqësore ndaj gazetarëve, duke kërkuar harmonizim të plotë me standardet europiane për mbrojtjen e lirisë së shprehjes.

Megjithëse dokumenti konfirmon se Shqipëria ka përmbushur benchmark-et e ndërmjetme të Klasterit 1, ai lë të kuptohet qartë se faza më e vështirë e negociatave sapo ka nisur. Bashkimi Europian e bën të qartë se mbyllja përfundimtare e kapitujve të negociatave do të varet nga rezultatet konkrete në luftën kundër korrupsionit, garantimi real i pavarësisë së drejtësisë dhe ndalimi i çdo ndërhyrjeje politike ndaj SPAK-ut dhe institucioneve të reja të drejtësisë. 

Te tjera

Lajme te tjera