E mërkurë, 20 Maj, 2026

Kush mund ta zëvendësojë Berishën? Topi: Metamorfozë e çuditshme në PD, retorika e “kilometrit të fundit” ka dështuar!

Share

Ish-presidenti Bamir Topi duke komentuar situatën në Partinë Demokratike, u shpreh se kjo forcë politike po kalon një krizë të thellë dhe se mungon gara reale brenda saj.

Topi tha se proceset aktuale në PD lidhen vetëm me rikonfirmimin e Sali Berishës në krye të partisë dhe jo me një konkurrencë të mirëfilltë politike.

Sipas tij, demokratët po e përjetojnë si “dramë” gjendjen aktuale në parti, ndërsa shtoi se strukturat e PD-së ndodhen në “kuota minimale”.

Topi deklaroi gjithashtu se aktualisht nuk sheh një figurë që mund të zëvendësojë Berishën në krye të PD-së, duke argumentuar se mungojnë forumet serioze që do të nxirrnin emra të rinj në politikë.

“Demokratët po e përjetojnë si dramë këtë gjendje në parti. Ka ndodhur një metamorfozë e çuditshme në PD. Dëmi më i madh për Shqipërinë sot vjen pikërisht nga kjo forcë politike, e cila duhet të ishte shpresa kryesore e opozitës.

Nuk ka garë në PD. Procesi lidhet vetëm me rikonfirmimin e emrit të Sali Berishës dhe jo me një konkurrencë të mirëfilltë politike. Situata është amorfe dhe e rënduar.

Entuziazmi është në rënie dhe strukturat e partisë ndodhen në kuota minimale. Retorika e ‘kilometrit të fundit’ nuk ka më efekt. Berisha nuk frymëzon më askënd, përfshirë edhe ata që nuk kanë formim të thelluar politik.

Nuk kam një emër se kush mund ta zëvendësonte Berishën. Emrat ekstraktohen kur ka forume serioze. Nëse e djathta ka një lloj varfërimi gradual të anëtarëve përfaqësues që mund të konsiderohen intelektualë, pasi koha në opozitë e sjell këtë, e majta ka një varfërim intensiv. Si e nisi Rama pushtetin në 2013 me çfarë figurash dhe me çfarë figurash ka përfunduar.

Protestat nuk po bëhen për qytetarët, por për të mbajtur radhët në parti dhe për një jehonë të mundshme në arenën ndërkombëtare. Edhe pse protesta ka në të gjithë botën, në vendin tonë ato drejtohen nga një lidership i ezauruar. Janë ndërruar disa herë lidershipet në botë gjatë 35 viteve. Ky është një rekord Guiness, por një rekord në aspekt negativ.”-u shpreh Topi në News24.

Te tjera

Lajme te tjera