E martë, 19 Maj, 2026

Zgjedhjet e 23 majit, Salianji ankimon në PD përjashtimin nga gara: Vendimi të shpallet i pavlefshëm, s’e shqyrtuan kandidaturën! Berishës i ka mbaruar mandati

Share

Ish-deputeti i PD, Ervin Salianji, ka ankimuar këtë të hënë zyrtarisht përjashtimin e tij nga gara për kryetar të PD-së.

Salianji kërkon nga Kryesia dhe Komisioni i Apelimit që të shpallin të pavlefshëm vendimin për përjashtimin e tij nga gara dhe konstatimin e pavlefshmërisë së vendimit për përjashtimin e tij si anëtar Kryesie.

Partia Demokratike përjashtoi Ervin Salianjin nga gara për kryetar, duke mos i dhënë mundësinë të kandidojë në zgjedhjet e 23 majit përballë Sali Berishës.

Sipas PD, Salianji nuk rezulton më pjesë e anëtarësisë së partisë, çka e bën të pamundur kandidimin e tij.

“Salianji nuk mund të kandidojë, nuk është më anëtar i PD”, thuhet në përgjigjen e sekretarit të përgjithshëm të partisë.

Vetë Salianji nuk e kishte përjashtuar mundësinë për të hyrë në garë, por rifreskimi i listave të anëtarësisë e ka lënë atë jashtë strukturave të PD-së.

Ai konsiderohej një ndër figurat kryesore që mund të sfidonte Berishën, me të cilin kishte pasur përplasje politike, përfshirë organizimin e takimeve paralele me demokratët.

Përjashtimi i Salianjit lidhet me kriteret e reja të miratuara nga partia gjatë procesit të rifreskimit të anëtarësisë, ku përjashtohen ata që kanë vepruar kundër interesave të PD-së ose kanë mbajtur qëndrime në kundërshtim me vijën politike të saj.

“Kanë punuar kundër interesave të Partisë Demokratike në fushatat zgjedhore, duke u angazhuar në forma të ndryshme pro kundërshtarëve tanë politikë; apo ata që, me qëndrimet e tyre publike dhe politike kanë vepruar kundër vijës politike të Partisë Demokratike, kanë bashkuar votat/qëndrimet me kundërshtarët tanë politikë për çështje shumë të rëndësishme në nivelin vendor apo qendror”, thuhet në udhëzim e shpërndarë nga PD.

Te tjera

Lajme te tjera