E mërkurë, 20 Maj, 2026

Veliaj kundërshtoi arrestin, Kushtetuesja mbyll shqyrtimin gjyqësor! Vendimmarrja jepet seancën e radhës

Share

Ditën e sotme, Gjykata Kushtetuese përfundoi shqyrtimin e kërkesës së Kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, për të shpallur antikushtetuese masën e parë të “arrestit në burg”, të vendosur nga GJKKO në shkurt të vitit 2025, masë e cila u konfirmua më vonë nga Apeli i GJKKO-së dhe nga Gjykata e Lartë. Seanca nisi në orën 10:00 dhe u zhvillua me dyer të mbyllura mbi bazë dokumentesh dhe pa praninë e palëve. 

Gjyqtarët kushtetues e kanë mbyllur sot shqyrtimin gjyqësor, por nuk u shprehën ende me vendim pasi kanë kërkuar kohë. Tashmë vendimmarrja pritet të shpallet në seancën e radhës, data e së cilës ende nuk është caktuar. 

Në dhjetëra faqe argumente të dërguara në Gjykatën Kushtetuese, kryebashkiaku Veliaj shprehet se i është cenuar liria individuale, por duke qenë se është Kryetar i Bashkisë, cenimi i lirisë është i dyfishtë, pasi ai nuk mund të ushtrojë detyrën. Veliaj ka argumentuar se masa e vendosur ndaj tij nuk është proporcionale, për shkak se ai jo vetëm që është qytetar, por edhe i zgjedhur sipas Kushtetutës.

Në ankimin e tij, Veliaj thotë se nuk janë analizuar kriteret për vendosjen e masës së sigurimit, pasi, sipas tij, Kodi i Procedurës Penale parashikon që të gjithë, pasi kalon një periudhë kohore, duhet të gjykohen në liri kundrejt një garancie pasurore.

Kryetari i Bashkisë së Tiranës deklaron se standardet e një gjykimi të drejtë ndaj tij janë shkelur nga të gjitha shkallët e gjykimit. Gjykata, sipas Veliajt, e ka paragjykuar atë për rrethin shoqëror, statusin dhe pozicionin, por jo duke pasur prova për shkeljet e pretenduara.

Nga ana e saj, Prokuroria e Posaçme, e cila ka dorëzuar argumentet e saj, këmbëngul se dyshimi i arsyeshëm është vërtetuar edhe nga gjykatat, ndërsa fakti që ka bashkëpunuar edhe me të tjerët e ka rënduar pozitën e Veliajt. Sipas SPAK-ut, fakti që Veliaj është në detyrë përbën arsye të mjaftueshme për ndikim tek dëshmitarët dhe tek bashkëpunëtori i drejtësisë. Po ashtu, sipas prokurorëve, veprat penale për të cilat Veliaj akuzohet rezultojnë të vërtetueshme nga një sërë provash konkrete.

Ndryshe nga sa Veliaj ka ngritur si shkelje, Prokuroria thotë se të gjitha vendimet e Gjykatave të Posaçme janë në përputhje me Konventën Europiane të të Drejtave të Njeriut.

Kjo është hera e dytë që Veliaj i është drejtuar Gjykatës Kushtetuese, pasi në janar të këtij viti ai u rikthye në detyrë nga Kushtetuesja, pasi ishte shkarkuar nga Këshilli Bashkiak. Kushtetuesja tha aso kohe se shkarkimi i Veliajt ishte tërësisht jokushtetues, pasi e gjithë procedura ishte bërë në shkelje, duke mos i dhënë mundësi atij të dëgjohej. Ndërkohë, kjo është çështja e parë që do të shqyrtojë Gjykata Kushtetuese për një person i cili është kryetar bashkie dhe ndodhet në burg njëkohësisht.

Paralelisht, Veliaj është në pritje dhe të një vendimi tjetër, më 28 maj, nga Gjykata e Lartë, ku ai ka kërkuar po ashtu ndryshimin e masës së sigurisë ‘arrest me burg’, dhe zëvendësimin me një tjetër masë më të lehtë sigurie.

Kërkesa e Veliajt, në arrest me burg që prej 10 shkurtit 2025, pasoi vendimin e Kolegjeve të Bashkuara të Gjykatës së Lartë, të cilat i bënë një interpretim të ri masës së sigurimit të arrestit në burg dhe kohëzgjatjes së kësaj mase. Vendimi i marrë në unanimitet parashikon se kufizimi më i rëndë i lirisë personale, masa e arrestit me burg duhet të merret pasi më parë të jenë shqyrtuar realisht masat e tjera alternative. Po ashtu kërkohet arsyetim rast pas rasti për personin e përfshirë dhe që të jetë prokuroria ajo që të ketë barrën e provës për të justifikuar nevojën e masës ekstreme.

——————————-

Sqarim: Çdo person prezumohet i pafajshëm deri sa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë

Te tjera

Lajme te tjera