Nga Rigels Seliman
Historia nuk përsëritet, ajo thjesht heq uniformën e kuqe për të veshur një pardesy blu. Më 23 maj, Partia Demokratike fton anëtarësinë në një referendum “madhështor” ku gara ka arritur kulmin e saj absolut: Sali Berisha përballë vetvetes. Pas filtrimit të kujdesshëm të çdo rivali potencial, na ofrohet një deduksion i pastër logjik sipas modelit të vjetër të para viteve ’90. Nëse i vetmi kandidat në garë është ai që dikur mbante teserën e Partisë së Punës, atëherë i vetmi rival i vërtetë që i ka mbetur “demokratit” të sotëm është komunisti i djeshëm.
Ky nuk është një votim, por një seancë spiritizmi politik ku e shkuara takon të tashmen në të njëjtën fletë votimi. Trumbetimi i këtij procesi si “më demokratiku” nga zyrtarët e partisë dëshmon se rregullat e Enverit janë thjesht të ripaketuara me logo të re. Kur alternativa e vetme është një emër, fjala “zgjedhje” pëson vdekje klinike dhe zëvendësohet nga unanimiteti i dikurshëm. Deduksioni është i pamëshirshëm: nëse nuk ka rivalë, nuk ka garë; nëse nuk ka garë, pushteti nuk është fituar, por është vetëdorëzuar.
Ironia therëse qëndron në faktin se pas dekadash premtimi për pluralizëm, destinacioni final na kthen fiks në pikën e nisjes. Më 23 maj, demokratët e “gjorë” do të dynden drejt kutive për të zgjedhur mes Saliut që premton liri dhe Berishës që nuk lëshon karrigen. Ky teatër absurd tregon se izolimi nuk ishte vetëm gjeografik, por qenka i koduar thellë në mentalitetin e udhëheqësit. pluralizmi brenda partisë u reduktua në monologun e një njeriu që debaton me hijen e tij të para viteve ’90.
Rroftë votimi i lirë, ku e vetmja gjë e sigurt është se në darkë do të fitojë… Sali Berisha! Në fund të ditës, ky referendum është suksesi më i madh i PPSH-së: të transformojë partinë e parë antikomuniste në një instrument të kontrollit absolut. Me një fletë votimi që i ngjan një pasqyre, anëtarësia thjesht do të vulosë paradoksin shqiptar. Ndaj, më 23 maj, votoni të qetë; cilindo version të Saliut që të zgjidhni, e shkuara e tij do të fitojë me 99.9% të votave.
