Juristi Kreshnik Spahiu duke analizuar lëvizjet e fundit të SPAK për çështjen ‘Partizani’, deklaroi se ka pasur gabime proceduriale në dosje.
Në një intervistë për emisionin “Review” në ‘Euronews albania’, ai tha se masa ndaj ish-kryeministrit Berisha është heqje lirie, gjë që është në shkelje të kushtetutës, duke qenë se Berisha është deputet i Parlamentit.
“A ka probleme proceduriale? Pa dyshim që ka. Neni 288 i kodit të procedurës penale parashikon që për subjekte të cilat kanë mandatin e deputetit të parlamentit e për të cilët kërkohet masa e arrestit me burg, e arrestit në shtëpi, apo çdo lloj tjetër heqje lirie, përfshirë kontrollin e banesës, apo kontrollin personal, duhet të merret autorizim nga Parlamenti.
A është detyrimi për paraqitje, mos largimi jashtë shtetit dhe marrja e pasaportës kufizim lirie, po është. A është masë kufizuese, po është. Asgjë nuk e pengonte organin e akuzës t’i drejtohej kuvendit për të kërkuar marrjen e autorizimit. Kjo është shkelje proceduriale”, tha juristi Kreshnik Spahiu.
