Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha e quan projekt antishqiptar aksionin e qeverisë për prishjen e ndërtimeve pa leje në zonën e Thethit. Në një konferencë për mediat, ish-kryeministri Berisha tha se Rama është sjellë me banorët e Thethit si pushtues i egër, duke marrë në mbrojtje edhe ndërtimet pa leje. Sipas Berishës, në Theth, por në të gjithë veriun, nuk ekziston asnjë pëllëmbë tokë e xanun, por ato toka janë trashëgimi shekullore e paraardhësve.
“Rama është sjellë me Thethin njëlloj si malazezët, turqit, serbët, Mehmet Shehu. Është sjellë me Thethin dhe dukagjinasit si një pushtues i egër. Armiqësia e Edi Ramës ndaj banorëve të Thethit tejkalon të gjitha armiqësitë e njohura gjer sot ndaj tyre.
Edi Rama përdori praktikat më të ulëta morale, pafytyrësinë dhe pabesinë më të madhe për të realizuar një projekt shkatërrimtar për banorët, një projekt mafioz, një projekt antishqiptar, një projekt hakmarrës, primitiv. Shqiptarët duhet ta dinë se në Theth absolutisht nuk ekziston absolutisht asnjë pëllëmbë tokë e xanun, jo në Theth, po as në veri askund sepse tokën ata e kanë trashëgimi shekullore të paraardhësve të tyre dhe nuk kanë marrë kurrë asnjë pëllëmbë tokë të tjetërkujt apo tokë të askujt. Ka edhe toka të askujt, mera quhen, toka publike”, tha Berisha.
Berisha bëri thirrje për dëmshpërblimin e të gjitha banesave, duke thënë se ishte Rama ai që u premtoi banorëve të Thethit legalizime. I gjithë ky aksion, sipas Berishës, po bëhet për të mbuluar ‘funeralin elektoral’ të 11 majit, siç ai e cilësoi.
“Krim shtetëror i kryer ndaj banorëve të Thethit dhe kërkoj ndërprerjen e këtij terrori. Dëmshpërblimin e të gjitha banesave të prishura, të premtuara se do legalizohen nga Edi Rama. I ka me zë dhe figurë premtimet e tij, inkurajimin, mashtrimin e tyre. Çdo gjë bëhet për të mbuluar funeralin elektoral të 11 majit”, tha Berisha.
Prezencën e kryebashkiakëve të djathtë në takimet ku Edi Rama u kërkoi drejtuesve të pushtetit vendor të jenë në ballë të këtyre aksioneve, Berisha e pa si qëndrim dinjitoz, duke thënë se ata duhet të ndjekin interesat e qytetarëve dhe jo urdhra partiakë.
“I tha përballë, demokrat jam unë. Kurse ajo tjetra jo. Pra i përpoq ta fyente me demokrat. Ky bir xhelati që i përket njërit prej xhelatëve të diktaturës komuniste, njeriu që firmosi varjen e Havzi Nelës, ka tmerr fjalën demokrat, se i përmbysi pushtetin e etërve”, tha Berisha.
Edhe pse iu përgjigjën pozitivisht dhe ishin të pranishëm në mbledhjen 7-orëshe të Kryeministrit Rama të premten në Durrës, por këtij të fundit nuk i shprehën përballë asnjë rezervë, kryebashkiakët e Partisë Demokratike i shikojnë lëvizjet e fundit të kreut të qeverisë si ndërhyrje në autonominë e pushtetit vendor.
Në një letër që mban datën 12 korrik, dërguar organeve të Këshillit të Evropës, Bashkimit Evropian dhe ambasadave të huaja në vend, Shoqata e të Zgjedhurve Vendorë, ku bëjnë pjesë vetëm bashkitë opozitare shprehen se Rama ka uzurpuar të gjitha pushtetet.
