Detaje të reja janë zbardhur nga hetimi i SPAK për Ergys Agasin dhe personat që dyshohet se e kanë ndihmuar të shmangte arrestimin, ndërsa në qendër të hetimeve janë vendosur edhe komunikimet mes ish-drejtores së SHISH, Vlora Hysenit, dhe biznesmenit. Qindra mesazhe, më shumë se 100 telefonata, videocall, foto dhe video janë administruar nga hetuesit, duke ngritur pikëpyetje mbi versionin e Hysenit se marrëdhënia me Agasin ishte vetëm në kuadër të bashkëpunimit me SHISH.
Sipas SPAK, komunikimet mes tyre kanë qenë të përditshme dhe të tejzgjatura në kohë. Në telefonin e sekuestruar të Ergys Agasit janë gjetur qindra mesazhe dhe dhjetëra telefonata me Hysenin, ndërsa prokuroria disponon edhe materiale të tjera që po analizohen në kuadër të hetimit.
Hyseni lidhje sentimentale me Agasin
Mesazhet e bëra publike tregojnë komunikime me tone të afërta mes Hysenit dhe Agasit.
Në një prej tyre, Vlora Hyseni i shkruan biznesmenit: “Zemër, thjesht duhet të koncentrohemi te halli jot. Të gjithë ne. Do përfundojmë keq, shpirt”
Në një tjetër mesazh, të dërguar katër ditë para arrestimit të Agasit, Hyseni shkruan:
“Na kanë bërë shumë gjëra o shpirt…do ia hedhim…problemi është koha.”
Ndërsa në një tjetër komunikim, sipas të dhënave të bëra publike, ajo i shkruan:“Kush na e bëri këtë, duhet të paguajë.”
Sipas SPAK, mesazhe të tilla janë pjesë e komunikimeve që po analizohen për të përcaktuar natyrën e marrëdhënies mes Hysenit dhe Agasit. Për prokurorinë, këto komunikime nuk përputhen me pretendimin se marrëdhënia mes tyre ka qenë thjesht në cilësinë e bashkëpunëtorit të SHISH.
Mbi 100 telefonata dhe qindra mesazhe
Nga 28 qershori deri më 26 gusht, kur Ergys Agasi u arrestua, mes tij dhe Vlorë Hysenit janë regjistruar më shumë se 100 telefonata dhe qindra mesazhe.
Sipas SPAK, komunikimet nuk janë kufizuar vetëm në telefonata. Në telefonin e Agasit janë gjetur edhe komunikime me videocall, fotografi dhe video.
Hyseni ka pretenduar se komunikimet me Agasin kanë qenë në kuadër të detyrës dhe të marrëdhënies së tij si bashkëpunëtor i SHISH. Ajo ka pranuar komunikimin me biznesmenin, por ka deklaruar se nuk ka pasur takime fizike mes tyre dhe se kontakti ka qenë telefonik.
SPAK, ndërkohë, thotë se disponon edhe pamje filmike të takimeve mes tyre, të cilat sipas prokurorisë hedhin dyshime mbi këtë version.
“Bashkëpunëtor i SHISH”, por askush nuk ishte njoftuar
Një prej pikave kryesore që po hetohet lidhet me pretendimin e Hysenit se Ergys Agasi ishte bashkëpunëtor i SHISH.Sipas SPAK, asnjë prej instancave brenda apo jashtë SHISH-it nuk ishte njoftuar për këtë bashkëpunim të pretenduar.
Prokuroria po shqyrton kështu nëse komunikimet dhe marrëdhënia mes dy personave kanë qenë realisht pjesë e një bashkëpunimi institucional apo nëse kanë pasur një natyrë tjetër.
Hetuesit disponojnë gjithashtu pamje filmike të takimeve dhe komunikimeve mes tyre, ndërsa në telefonin e Agasit janë gjetur materiale të shumta që, sipas SPAK, nuk lidhen me komunikime të zakonshme të një bashkëpunëtori të shërbimit.
9 faqe me të dhëna sekrete të SHISH në makinën e Agasit
Në qendër të hetimit janë edhe nëntë faqe në format Word me të dhëna sekrete të SHISH, të cilat u gjetën në makinën e Ergys Agasit në “Equos Resort”.
Pikërisht për këtë çështje, Vlora Hyseni u mor në pyetje nga SPAK më 18 shtator.Hyseni dyshohet se mund të ketë përdorur informacionet që dispononte për shkak të detyrës për të ndihmuar Agasin, i cili ishte në kërkim në kuadër të dosjes së AKSHI-t.
Në kuadër të hetimit është ngritur edhe dyshimi se Agasit mund t’i jenë vënë në dispozicion mjete dhe pajisje të SHISH për lëvizjet e tij brenda vendit. Megjithatë, për këtë pjesë nuk është arritur të konfirmohet një fakt i tillë.
Hetimi i SPAK është zgjeruar edhe te personat që dyshohet se kanë ndihmuar Ergys Agasin t’i shmangej arrestimit.
Sipas asaj që raportohet, gjatë periudhës që ishte në kërkim për dosjen e AKSHI-t, Agasi ka qëndruar pranë vilave qeveritare në Durrës.Në këtë kuadër, SPAK ka ngritur dyshime edhe për ndihmën që mund t’i jetë dhënë nga persona të tjerë.Menaxheri i “Kodrës së Kuajve”, Embro Sulejmani, sipas SPAK, i dërgonte Agasit ushqim dhe sende të tjera të nevojshme, pavarësisht se ishte në dijeni të pozitës së tij ligjore dhe faktit se biznesmeni ishte në kërkim. Për këtë arsye, ai dyshohet se ka përkrahur një person që i shmangej arrestimit.
Kontrollet dhe masat ndaj personave të tjerë
Në kuadër të së njëjtës dosje, me urdhër të GJKKO-së janë kryer kontrolle edhe në banesën e ish-kryepolicit Ilir Proda. Ai ishte thirrur gjithashtu për t’u paraqitur në Prokurorinë e Posaçme.
Masa e “arrestit me burg” është caktuar edhe për shefin e Laboratorit Shkencor të Policisë në Tiranë, Fatjon Kalluci, si dhe për një punonjës të një biznesi në Durrës.
Sipas asaj që raportohet, këta persona dyshohet se mund të kenë ndihmuar Ergys Agasin t’i shmangej arrestimit për një periudhë të gjatë.Për Ergys Agasin dhe ish-efektivin Ulian Shpataraku, Apeli i GJKKO-së ka vulosur masën e “arrestit me burg”.
Në vazhdën e së njëjtës çështje është arrestuar edhe Ermal Beqiraj.Ai akuzohet se ka përfituar tendera nga Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit, ndërsa SPAK i ka sekuestruar 11 pasuri.
Hetimi po vijon për të zbardhur lidhjet mes personave të përfshirë në dosje dhe mënyrën se si është ndihmuar Agasi gjatë periudhës që ishte në kërkim.
Pezullimi nga Rama
Vlora Hyseni u pezullua nga detyra e drejtueses së SHISH dhe ndaj saj u caktua masa e sigurisë “arrest në shtëpi”.
Ajo akuzohet për përkrahje të autorit të krimit dhe nxjerrje të sekretit shtetëror.Sipas dyshimeve të SPAK, Hyseni mund të ketë ndihmuar Ergys Agasin me informacione sekrete për t’iu shmangur arrestimit. Pas bërjes publike të akuzave, reagoi edhe Kryeministri Edi Rama nga SHBA, ku ndodhej në OKB. Rama bëri me dije se Hyseni do të largohej nga detyra, ndërsa Presidenti Bajram Begaj miratoi dekretin për shkarkimin e menjëhershëm të saj nga drejtimi i SHISH. Hetimi tashmë përfshin komunikimet mes Hysenit dhe Agasit, dokumentet sekrete të gjetura në makinën e biznesmenit, dyshimet për ndihmën që ai ka marrë gjatë kohës që ishte në kërkim, si dhe rolin e personave të tjerë të përfshirë në dosje. Të gjitha këto elemente janë pjesë e hetimit të SPAK dhe akuzat ndaj personave të përfshirë mbeten për t’u provuar në procesin gjyqësor.
Pjesë nga dosja hetimore:
Në vijim të veprimeve hetimore ka rezultuar se më datë 20.07.2026, në ambientet e “Equos Resort” Tiranë, u sekuestrua mjeti me targë GG444AA, në pronësi të shtetasit Ergys Agasi. Brenda tij, me procesverbalin e datës 22.07.2026, u sekuestruan, ndër të tjera, 9 (nëntë) printime me letër formati të madh, në të cilat paraqiten diagrame me të dhëna të ngjashme me të prodhuara nga Shërbimi Informativ i Shtetit. Gjatë seancës gjyqësore për verifikimin e kushteve të zbatimit të masës së sigurimit, vetë Ergy Agasi ka pranuar se mjeti ishte i tij dhe se i kishte lënë këto sende me qëllim që t’i gjendin organet Prokurorisë së Posaçme.
Më datë 18.09.2026, e pyetur në cilësinë e personit që dijeni për veprën penale, shtetasja Vlora Hyseni ka pranuar komunikimin e vazhdueshëm me Ergys Agasin deri në ditën e arrestit të tij, ka deklaruar se ai i ka ofruar “bashkëpunim”, ka mohuar takime fizike apo faktin që Agasi të ketë siguruar informacione nga Shërbimi Informativ i Shtetit, dhe është zotuar të kthejë përgjigje zyrtare, me shkresë të klasifikuar, mbi origjinën e diagrameve të sekuestruara.
Ashtu sikurse rezulton nga bisedat e mësipërme, shtetasi Ergys Agasi jo vetëm që nuk është në rolin e “bashkëpunëtorit”, por në të kundërt është ai që merr dhe dikton informacionin e marrë.
Në këtë pikë duhet të theksohet se komunikimi i Kreut të SHISH, shtetases Vlora Hyseni, me personin nën hetim Ergys Agasi, deri në atë kohë dhe në kërkim nga drejtësia, është periodik, i përditshëm, dhe i tejzgjatur në kohë, bisedë duke përfshirë jo vetëm telefonata të thjeshta, voice call, por edhe telefonata me video, video call, dhe dërgim e marrje fotosh e videosh, gjë që rrëzon alibinë e bashkëpunëtorit të pretenduar nga deklarimi i shtetases Hyseni. Në total, për periudhën 28.06.2026 deri më 26.08.2026, data e arrestimit të shtetasit Ergys Agasi, nëpërmjet aplikacionit “Signal”, janë regjistruar në total thirrje voice and video call: thirrje hyrëse Vlora-Ergys, incoming call, 70 thirrje; thirrje dalëse Ergys-Vlora, outgoing call, 17; të humbura, missed call, 28; thirrje pa përgjigje, unanswered calls, Ergys nuk i përgjigjet Vlorës, 25; thirrje dhe thirrje të refuzuara, declined calls.
Në lidhje me komunikimet ndërmjet Ergys Agasit dhe Vlora Hysenit, të ruajtura në funksionin BIOME të aparatit telefonik të shtetasit Ergys Agasi janë të ruajtura gjithsej 508 forma komunikimi, calls, voice, video calls, messages, chat messages, ndërmjet këtyre dy shtetasve për periudhën e sipër-cituar.
Për më tepër, për të ashtuquajturin bashkëpunëtor, Kreu i SHISH nuk ka vënë në dijeni asnjë nga instancat qoftë dhe paralele apo brenda institucionit.
Nga përmbajtja e komunikimeve mes tyre rezulton ekzistenca e një lidhjeje personale dhe e vazhdueshme, e cila ka vijuar edhe gjatë kohës kur shtetasi Ergys Agasi ka qenë i shpallur në kërkim nga drejtësia. Në disa prej komunikimeve, shtetasja Vlora Hyseni identifikohet drejtpërdrejt me interesat e Ergys Agasit kundrejt organeve të drejtësisë që po e ndiqnin penalisht, duke përdorur shprehje si:
“Krejt këta njerëz që na kanë bërë çka na kanë bërë dua që të paguajnë.”; “Zemër, thjesht duhet të koncentrohemi te halli jot.”
“Të gjithë ne.”
“Do përfundojmë keq, shpirt.”
Këto komunikime, të vlerësuara në tërësinë dhe në kronologjinë e tyre, tregojnë jo thjesht një lidhje personale, por identifikimin e shtetases Vlora Hyseni me qëndrimin dhe interesat e personit nën hetim ndaj procedimit penal që zhvillohej kundër tij, si dhe gatishmërinë e saj për t’i qëndruar pranë e për ta ndihmuar gjatë kohës që ai ishte në kërkim, duke vënë kështu në dispozicion cilësinë e saj zyrtare dhe kapacitetet institucionale që drejton. Në këtë linjë veprimi ajo shpreh jo vetëm solidaritet, por edhe gatishmërinë për ta ndihmuar. Në një bisedë mes tyre, para arrestimit së shtetasit Ergys Agasi, ajo i shkruan këtë mesazh: “Zemër thjesht duhet te koncentrohemi te halli jot… Të gjithë ne”.
Shtetasja Vlora Hyseni nga numri ********** i dërgon mesazhin “Cfare na bene o Zor”. Po kështu në vijim të komunikimeve, në shkelje të rëndë të detyrës, Vlora Hyseni, tregon se do të takohet me Kryeministrin dhe sa kohë do rrijnë tek ai “Po me presin me shku te km…. Jo mo zemer une nje ore nuk rri me shume me ate”. Më datë 24.08.2026 “Neser duhet ta takoj km ne 830”. Në mesazhet vijuese shtetasja Vlora Hyseni, i jep informacion edhe për itinerarin, natyrën e takimit dhe partnerët ndërkombëtarë me të cilët do takohet; “Me doli nje takim urgent… Me sauditet… Kthehem neser ne ks prape”. Përpjekjet e drejtueses së SHISH Vlora Hyseni për të ndihmuar personin nën hetim Ergys Agasi edhe në instanca të tjera pasqyrohen edhe në mesazhin e datës 19.08.2026 ku e informon se; “Skenderi me thirri me u taku te henen …(Skender Hita Drejtori i Përgjithshëm i Policisë)… Te shpresoj qe ka porosit km….”
Solidarizimi me personin në kërkim Ergys Agasi pasqyrohet edhe në mesazhet e datës 22.08.2026 ku Vlora Hyseni i shkruan; “Sa sh gjera na Kane bere ne…. Te gjitha shpirt… O shpirt Kjo eshte nje situate qe do ja hedhim… Problemi eshte koha… Sa konsistenc kemi….”
Në vijim të komunikimeve, shtetasja Vlora Hyseni ndan dhe informacion paraprak duke i shkruar personit nën hetim Ergys Agasi; “Taulant Balla kryetar kuvendi…. Keshtu Jane infot… Bela me Taon shoku” (nënkuptohet deputeti Taulant Balla dhe deputetja Belinda Balluku). /vna.al/
Sqarim: Çdo person prezumohet i pafajshëm deri sa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë.
