E shtunë, 16 Maj, 2026

Nga tarifat, te Tajvani dhe Hormuzi/ Trump zbardh detaje nga diskutimet me Xi Jinping, çfarë u vendos!

Share

Presidenti amerikan Donald Trump reagoi lidhur me vizitën e tij në Pekin, duke zbardhur detaje nga diskutimet që zhvilloi me presidentin kinez Xi Jinping. Gjatë kthimit për në SHBA me Air Force One, Trump foli për programin bërthamor të Iranit, nuk përjashtoi mundësinë e një operacioni të ri ushtarak amerikan, u ndal te çështja e Tajvanit, si edhe te tarifat doganore.

Konkretisht, Trump deklaroi se do të pranonte pezullimin e programit bërthamor të Iranit për 20 vjet, me kusht që angazhimi i Teheranit të jetë “real”, ndërsa la të hapur edhe mundësinë e operacioneve të reja ushtarake amerikane në vend.

“Do të isha dakord me këtë, për sa kohë angazhimi është real”, citohet të ketë thënë presidenti amerikan, duke shtuar se SHBA mund të duhet të rikthehet në Iran për të bërë “pak punë pastrimi” (cleanup ëork), pa dhënë më shumë detaje.

“Kemi eliminuar në thelb forcat e tyre të armatosura. Ndoshta do të duhet të bëjmë pak punë pastrimi, sepse kishim një armëpushim prej rreth një muaji, kështu do ta quaja”, deklaroi ai.

Trump pretendoi gjithashtu se Shtetet e Bashkuara ranë dakord për armëpushimin kryesisht pas presionit nga vende të tjera, veçanërisht nga Pakistani. “Në fakt nuk isha pro tij, por e bëmë si një favor për Pakistanin”, tha ai.

Paralelisht, presidenti amerikan hodhi poshtë raportimet sipas të cilave Irani ruan ende një pjesë të madhe të lëshuesve të raketave, duke i cilësuar ato si “fake news”. “I godisnim si pinjata”, u tha ai gazetarëve.

“Lëshuesit e raketave janë zhdukur në masë të madhe”, shtoi ai, duke theksuar se SHBA mund të shkatërrojë shpejt edhe ata që kanë mbetur në rast të një ndërhyrjeje të re në Iran.

Asnjë angazhim për Tajvanin

Në një tjetër pjesë të deklaratave të tij, Trump tha se nuk dha “asnjë angazhim në asnjë drejtim” lidhur me Tajvanin gjatë takimit me presidentin kinez Xi Jinping, pas paralajmërimeve të Pekinit se keqmenaxhimi i çështjes mund të çojë në konflikt mes dy vendeve.

“Për Tajvanin ai ndjen shumë fort (Xi). Nuk dhashë asnjë angazhim në asnjë drejtim”, deklaroi Trump. I pyetur nëse presidenti kinez la të kuptohej se ekziston rreziku i një përplasjeje me SHBA për Tajvanin, Trump e minimizoi mundësinë.

“Nuk besoj se ka konflikt, përveç faktit që ne nuk kemi nevojë për fuqinë e tyre, nuk kemi nevojë për Tajvanin”, tha ai.

Presidenti amerikan la të hapur edhe çështjen e shitjeve të ardhshme të armëve amerikane për Tajvanin. “Do të marr një vendim”, u përgjigj ai kur u pyet mbi këtë temë.

Paralelisht, Trump zbuloi se ai dhe Xi nuk diskutuan çështjen e tarifave gjatë bisedimeve dyditore. “Nuk diskutuam tarifa”, tha ai. “Ata paguajnë tarifa. Paguan tarifa të konsiderueshme, por nuk e diskutuam fare. As nuk u hap si temë”, shtoi ai.

Përfaqësuesit tregtarë të SHBA-së dhe Kinës ishin takuar më herët në Korenë e Jugut, ku sipas agjencisë shtetërore kineze Xinhua zhvilluan bisedime pozitive vetëm pak orë para mbërritjes së Trump në Pekin. Pas takimit të mëparshëm të dy liderëve në tetor në Korenë e Jugut, Trump kishte ulur nivelin total të tarifave ndaj produkteve kineze në 47%.

Presidenti amerikan deklaroi gjithashtu se po shqyrton mundësinë e heqjes së sanksioneve ndaj kompanive kineze që blejnë naftë nga Irani, ndërsa lufta dhe luhatjet në tregjet energjetike vazhdojnë.

“Do të marr një vendim brenda ditëve të ardhshme. E diskutuam”, tha ai para gazetarëve gjatë kthimit nga vizita shtetërore në Kinë.

I pyetur nëse Xi u angazhua për të ushtruar presion ndaj Iranit që të rihapë Ngushticën e Hormuzit, Trump u përgjigj: “Nuk kërkoj favore, sepse kur kërkon favore, duhet t’i kthesh ato”.

Ai shtoi se beson që Xi dëshiron që Ngushtica të mbetet e hapur, duke vënë në dukje se Kina furnizohet me një pjesë të konsiderueshme të naftës së saj nga Gjiri.

Paralelisht, Trump pretendoi se SHBA “nuk merr asgjë” nga rajoni dhe “nuk ka nevojë për të”. 

Te tjera

Lajme te tjera