Kryetari i Partisë Demokratike, Prof. Dr. Sali Berisha, gjatë fjalës së tij dje në Foltoren me Degën 16 Tiranë, vlerësoi rolin e qytetarëve të zonës në protestat e viteve të fundit, duke i cilësuar si simbol të qëndresës qytetare dhe të mbrojtjes së të drejtave. Në fjalën e tij, Berisha akuzoi me tone të ashpra Edi Ramën dhe qeverinë e tij për korrupsion të përhapur, manipulim të proceseve zgjedhore dhe bashkëpunim me elementë kriminalë. Ai e cilësoi qeverinë aktuale si një regjim që ka dëmtuar demokracinë dhe ekonominë e vendit.
Berisha deklaroi se PD dhe opozita ndodhet në një fazë vendimtare të përballjes politike, duke e cilësuar këtë moment si “kilometrin e fundit” drejt ndryshimit. Në këtë kuadër, ai bëri thirrje për mobilizim qytetar dhe pjesëmarrje të gjerë në protestën e paralajmëruar për 8 maj në Tiranë, të cilën e konsideroi si një hap të rëndësishëm në betejën për rikthimin e demokracisë dhe të drejtave qytetare në vend. “Arritëm në kilometrin e fundit. Dhe në këtë kilometër pa diskutim kemi vështirësi. Po arritëm në këtë kilometër, pasi kemi plagosur bishën për vdekje.
Pasi kemi damkosur Edi Ramën njëherë e përgjithmonë si kryehajdut i kombit. Arritëm! Pasi i dhamë atij atë ndëshkim, atë plagë, atë damkë nga e cila ai nuk shërohet më kurrë. Ju e patë. Ju e patë se si, se si 8 rezoluta të të gjitha forcave politike të qendrës së djathtë dhe të djathtë në botë damkosën Edi Ramën si narkodiktator. Damkosën Edi Ramën si armik të votës së lirë. Damkosën Edi Ramën si hajdut të papërmbajtur dhe mbështetën Partinë Demokratike, si një forcë politike që mbron interesat tuaja, si një forcë politike që ka një program shpëtimtar për Shqipërinë, që ka një program për qytetarët, mëkëmbjen e tyre, rrogave, pensioneve, shërbimeve të tyre, që ka një program për luftën me zero tolerancë kundër korrupsionit, për shtypjen me të gjithë forcën e ligjit të krimit.
Mbështetën Partinë Demokratike me besim të plotë, se ajo është parti e vlerave, e idealeve demokratike të qytetarëve. Miq, po të kthehemi jo shumë larg, po dhe dy vite më parë Edi Rama, i cili zëvendësoi vlerat, moralin e vlerave dhe të ligjeve të drejta, me moralin kriminal të familjes së tij. Mbahej me lavdata falë korrupsionit që bënte dhe lobimeve korruptive të tij. Shpallej shembull e të tjerë e të tjerë. Çfarë është sot Edi Rama në sytë e botës? Është, dijeni mirë, një turp qeveritar. Është një njeri i plagosur dhe i pashpresë. Me cilindo që bisedoj, duhet t’ju rrëfej këtu një të vërtetë. Në mënyrë absolute, çdo njeri i çdo funksioni që është, në mënyrë të çuditshme, në fund të bisedës më thotë: Zoti Berisha, këto gjëra janë gjëra nga të pabesueshmet që mund të ndodhin.
Janë gjërat më të paimagjinueshme që mund të ndodhin. Dhe ne persistuam. Ne me vendosmëri, duke mbrojtur interesat tuaja, duke mbrojtur përpjekjet tuaja, duke mbrojtur qëndresën tuaj, ne e zhveshëm atë lakuriq, siç është, faqezinj. Ne i treguam botës se ç’përfaqëson njeriu që sillet me atlete të bardha për të tërhequr vëmendjen dhe për të harruar se kush është. Dhe sot, cilido që lexon raportin, cilido nga ju që lexon raportin e sotshëm të Komisionit Europian, të votuar në Komitetin e Punëve të Jashtme të Parlamentit, gjeni veten tuaj, gjeni fjalët tuaja, gjeni qëllimet tuaja. Dhe kjo është merita juaj. Është meritë e jashtëzakonshme. Nuk u mposhtët, po qëndruat.
Nuk u dorëzuat, po qëndruat të pamposhtur. Pra, miqtë e mi, e kemi një kushtrim. Vërtet s’kemi realizuar maksimalen që meritojmë, por kauza jonë është bërë kauzë botërore. Zëri ynë është bërë zëri i ndërgjegjes së shqiptarëve. Kemi sakrifikuar, keni sakrifikuar, por keni qenë avokatë, avoketër, të interesit kombëtar, të interesit të shqiptarëve. Jemi në kilometrin e fundit. Përsëri, rruga është e vështirë, por absolutisht, Edi Rama është i pashpresë. Është i pashpresë! Dhe ne do ta bëjmë këtë kilometër. Do ta bëjmë! Për sakrificën tonë! Do ta bëjmë, për fëmijët tanë dhe të ardhmen e tyre! Do ta bëjmë, për dinjitetin e shqiptarëve, për të ardhmen e Shqipërisë! 8 Maj është dita jonë!
Më 8 Maj, në rrugët dhe sheshet e Tiranës, do t’u themi shqiptarëve se zotët e Shqipërisë jemi ne, dhe jo banda në pushtet! Me 8 Maj, do t’i themi botës, Evropës dhe botës, se vlerat, të drejtat, kanë një avokat të pamposhtur, jemi ne. Se jemi të vendosur, gjer në rikthimin e tyre të vazhdojmë betejën tonë. Dhe se Edi Rama është një armik i egër i shqiptarëve. Është një armik i egër i të drejtave, i lirive, i mirëqenies, i sigurisë së këtij vendi. Është një e keqe nga më të rrezikshmet, me të cilën do ndahemi të sigurtë dhe sa më shpejt. Edhe njëherë, të gjithë, ju falënderoj dhe të gjithë në datën 8 Maj, të ngrihemi madhërishëm, në protestën tonë paqësore, në të drejtën tonë për dinjitetin tonë, për dinjitetin e kombit tonë, për dinjitetin e vendit tonë. Faleminderit”, deklaroi dje Berisha.
Bisedimet mund të zhvillohen në Islamabad ose në Gjenevë. Sipas draftit, Irani do të pranonte një moratorium për pasurimin e uraniumit, me kohëzgjatje ende në diskutim mes 12 dhe 15 viteve. Teherani ka propozuar pesë vite, ndërsa Uashingtoni kërkon 20. Po ashtu, Irani do të hiqte dorë zyrtarisht nga zhvillimi i armëve bërthamore dhe do të pranonte inspektime të përforcuara nga OKB-ja, përfshirë kontrolle surprizë.
Nga ana tjetër, Amerika do të angazhohej për heqjen graduale të sanksioneve dhe zhbllokimin e miliarda dollarëve fonde iraniane të ngrira jashtë vendit.
Dy burime të cituara nga Axios thonë se Irani ka pranuar edhe transferimin jashtë vendit të uraniumit të pasuruar në nivele të larta, madje një nga opsionet parashikon dërgimin e tij në Amerikë. Megjithatë, brenda administratës amerikane ka ende skepticizëm. Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, deklaroi se marrëveshja nuk mund të shkruhet “brenda një dite” dhe kërkoi një zgjidhje të qartë diplomatike për çështjet ku Irani është i gatshëm të bëjë lëshime.
Rubio i quajti disa prej liderëve iranianë “të çmendur” dhe tha se nuk është i sigurt nëse ata janë realisht të gatshëm të arrijnë një marrëveshje. Ndërkohë, Kina ka deklaruar se ndalimi i menjëhershëm i konflikteve me Iranin është “me urgjencë ekstreme” dhe se vazhdimi i negociatave mbetet “me rëndësi thelbësore.”
Deklarata erdhi ndërkohë që anija franceze “San Antonio” u bë “objektiv sulmi” në Ngushticën e Hormuzit. Sulmi ka shkaktuar të plagosur mes ekuipazhit dhe dëme në anije. Ndërkaq, në një lëvizje surprizë, Donald Trump pezulloi operacionin Liria, nismën që synonte të shoqëronte anijet tregtare jashtë Ngushticës së Hormuzit.
Në një postim në Truth Social, presidenti amerikan shpjegoi se vendimi për pezullimin e përkohshëm bazohej pjesërisht në “faktin që janë bërë përparime të mëdha drejt një marrëveshjeje të plotë dhe përfundimtare” me Iranin.
Operacioni ‘Liria’, për rrjedhojë, “do të pezullohet për një periudhë të shkurtër kohe, për të verifikuar nëse marrëveshja mund të finalizohet dhe nënshkruhet”, vijoi ai më tej. Nga ana tjetër, Trump njoftoi se bllokada detare do të mbetet në fuqi.
Media shtetërore e Iranit e përshkroi këtë veprim si një “tërheqje” pas “dështimeve të vazhdueshme” të Donald Trump për të rihapur këtë rrugë ujore jetike për transportin global.
Lëvizja erdhi pas episodeve të përsëritura që kanë ngritur frikën për prishjen e armëpushimit të brishtë dhe pas thirrjes së sekretarit të Shtetit Marco Rubio ndaj Iranit që “të bëjë një zgjedhje të arsyeshme” dhe të ndjekë rrugën diplomatike që mund të çojë në “rindërtim, begati dhe stabilitet, dhe të mos përbëjë më një kërcënim për botën”. Irani, tha Rubio, duhet “të pranojë realitetin e situatës” dhe të ulet në tryezën e negociatave, duke pranuar kushte që janë të favorshme jo vetëm për veten, por edhe për botën. “Nuk duhet absolutisht të vënë në provë vullnetin e SHBA-ve”, shtoi ai.
Kryeministri i Pakistanit, Shehbaz Sharif, nga ana tjetër u shpreh besimplotë se zhvillimet e fundit mund të çojnë drejt një marrëveshjeje të qëndrueshme paqeje në Lindjen e Mesme.
Në një postim në X, Sharif tha se është “shumë i bindur që momenti aktual do të sjellë një marrëveshje të qëndrueshme që garanton paqe dhe stabilitet afatgjatë për rajonin dhe më gjerë”.
