E enjte, 7 Maj, 2026

Lufta/ Trump pezullon papritur operacionin ‘Liria’ në Hormuz, Pakistani: Amerika dhe Irani pranë marrëveshjes! Çmimi i naftës zbret nën 100 dollarë/fuçi

Share

Amerika dhe Irani po negociojnë një memorandum prej 14 pikash në përpjekje për t’i dhënë fund konfliktit dhe për të hapur rrugën e një marrëveshjeje afatgjatë.

Sipas Axios, dokumenti po diskutohet nga të dërguarit e presidentit amerikan Donald Trump, Steve Witkoff dhe Jared Kushner, së bashku me zyrtarë iranianë, direkt ose përmes ndërmjetësve. Burimet thonë se palët nuk kanë qenë kurrë kaq afër një intese që nga shpërthimi i konfliktit.

Në formën aktuale, memorandumi parashikon fundin e luftës dhe nisjen e një periudhe 30-ditore negociatash për një marrëveshje përfundimtare. Në qendër të diskutimeve janë hapja e Ngushticës së Hormuzit, kufizimi i programit bërthamor iranian dhe heqja graduale e sanksioneve amerikane.

Bisedimet mund të zhvillohen në Islamabad ose në Gjenevë. Sipas draftit, Irani do të pranonte një moratorium për pasurimin e uraniumit, me kohëzgjatje ende në diskutim mes 12 dhe 15 viteve. Teherani ka propozuar pesë vite, ndërsa Uashingtoni kërkon 20. Po ashtu, Irani do të hiqte dorë zyrtarisht nga zhvillimi i armëve bërthamore dhe do të pranonte inspektime të përforcuara nga OKB-ja, përfshirë kontrolle surprizë.

Nga ana tjetër, Amerika do të angazhohej për heqjen graduale të sanksioneve dhe zhbllokimin e miliarda dollarëve fonde iraniane të ngrira jashtë vendit.

Dy burime të cituara nga Axios thonë se Irani ka pranuar edhe transferimin jashtë vendit të uraniumit të pasuruar në nivele të larta, madje një nga opsionet parashikon dërgimin e tij në Amerikë. Megjithatë, brenda administratës amerikane ka ende skepticizëm. Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, deklaroi se marrëveshja nuk mund të shkruhet “brenda një dite” dhe kërkoi një zgjidhje të qartë diplomatike për çështjet ku Irani është i gatshëm të bëjë lëshime.

Rubio i quajti disa prej liderëve iranianë “të çmendur” dhe tha se nuk është i sigurt nëse ata janë realisht të gatshëm të arrijnë një marrëveshje. Ndërkohë,  Kina ka deklaruar se ndalimi i menjëhershëm i konflikteve me Iranin është “me urgjencë ekstreme” dhe se vazhdimi i negociatave mbetet “me rëndësi thelbësore.”

Deklarata erdhi ndërkohë që anija franceze “San Antonio” u bë “objektiv sulmi” në Ngushticën e Hormuzit. Sulmi ka shkaktuar të plagosur mes ekuipazhit dhe dëme në anije. Ndërkaq, në një lëvizje surprizë, Donald Trump pezulloi operacionin Liria, nismën që synonte të shoqëronte anijet tregtare jashtë Ngushticës së Hormuzit.

Në një postim në Truth Social, presidenti amerikan shpjegoi se vendimi për pezullimin e përkohshëm bazohej pjesërisht në “faktin që janë bërë përparime të mëdha drejt një marrëveshjeje të plotë dhe përfundimtare” me Iranin.

Operacioni ‘Liria’, për rrjedhojë, “do të pezullohet për një periudhë të shkurtër kohe, për të verifikuar nëse marrëveshja mund të finalizohet dhe nënshkruhet”, vijoi ai më tej. Nga ana tjetër, Trump njoftoi se bllokada detare do të mbetet në fuqi.

Media shtetërore e Iranit e përshkroi këtë veprim si një “tërheqje” pas “dështimeve të vazhdueshme” të Donald Trump për të rihapur këtë rrugë ujore jetike për transportin global.

Lëvizja erdhi pas episodeve të përsëritura që kanë ngritur frikën për prishjen e armëpushimit të brishtë dhe pas thirrjes së sekretarit të Shtetit Marco Rubio ndaj Iranit që “të bëjë një zgjedhje të arsyeshme” dhe të ndjekë rrugën diplomatike që mund të çojë në “rindërtim, begati dhe stabilitet, dhe të mos përbëjë më një kërcënim për botën”. Irani, tha Rubio, duhet “të pranojë realitetin e situatës” dhe të ulet në tryezën e negociatave, duke pranuar kushte që janë të favorshme jo vetëm për veten, por edhe për botën. “Nuk duhet absolutisht të vënë në provë vullnetin e SHBA-ve”, shtoi ai.

Kryeministri i Pakistanit, Shehbaz Sharif, nga ana tjetër u shpreh besimplotë se zhvillimet e fundit mund të çojnë drejt një marrëveshjeje të qëndrueshme paqeje në Lindjen e Mesme.

Në një postim në X, Sharif tha se është “shumë i bindur që momenti aktual do të sjellë një marrëveshje të qëndrueshme që garanton paqe dhe stabilitet afatgjatë për rajonin dhe më gjerë”.

Te tjera

Lajme te tjera