E premte, 1 Maj, 2026

Spiropali e mbështet, ish-deputeti socialist shpërthen në kritika: Tradhtarët nuk mund të vendosin në PS! Qeveria të mos presë që SPAK të luftojë korrupsionin, por ta bëjë vetë

Share

Ish-deputeti i Partisë Socialiste, Petro Koçi, në një postim të gjatë në Facebook, ka reaguar në lidhje me zhvillimet e fundit në PS, ku disa deputetë kanë dalë kundër disa vendimeve të marra brenda kësaj force politike.

Në postimin e tij, Koçi shkruan se të korruptuarit ose tradhtarët e votëbesimit popullor ndaj PS-së përpiqen të mbulojnë problemet apo dukuritë regresive. Sipas tij, ata shmangin fuqinë e anëtarësisë së partisë në proceset vendimmarrëse.

Prandaj kam kërkuar që të balancohet marrëdhënia duke i dhënë anëtarësisë të paktën gjysmën e pushtetit të delegatëve. Republika t’u hiqet nga duart drejtuesve dhe delegatëve dhe t’i dorëzohet sovranit dhe përfaqësuesve të tij”, thekson ai.

Ndërsa më tej, ish-zyrtari i lartë socialist i ka bërë thirrje qeverisë që të luftojë vetë korrupsionin dhe të mos presë nga SPAK apo GJKKO.

Po ashtu, ai ka theksuar se zërat kritikë duhet të tregojnë vetëpërmbajtje konstruktive, në mënyrë që të mos u lënë hapësirë të korruptuarve të mbajnë flamurin e PS-së.

Ajo që bie në sy në postimin e Koçit është pëlqimi i statusit nga deputetja socialiste Elisa Spiropali, e cila ka pasur një përplasje të hapur me kryeministrin dhe kryetarin e PS-së, Edi Rama.

Postimi i plotë

Të duash Partinë Socialiste është ndryshe nga të të duhet Partia Socialiste.

Ata që e duan përpiqen ta përmirësojnë, ta perfeksionojnë sepse u dhembin përpjekjet, vuajtjet, sakrificat, kontributet e mijëra militantëve të saj ndër vite. Ata, të cilëve thjesht u duhet partia për karrierë e për t’u pasuruar shpesh e vjedhin pushtetin e saj, e shpërdorojnë dhe e baltosin moralin e saj publik.

Nëse punët nuk ecin si duhet ata që e duan PS-në përpiqen të ndërhyjnë duke analizuar, këshilluar e propozuar.

Të korruptuarit ose tradhëtarët e votëbesimit popullor ndaj PS përpiqen t’i mbulojnë problemet apo dukuritë regresiste. Ata ndërtojnë skema që shmangin pushtetin e anëtarësisë së partisë në proceset vendimmarrëse. Sillen me arrogancën e një pushteti të deleguar nga lart. Ata vendosin motin politik në parti. Sillen si bajraktarë të dikurshëm por të veshur me Armani ama.

Prandaj kam kërkuar që të balancohet marrëdhënia duke dhënë anëtarësisë të paktën gjysmën e pushtetit të të deleguarve. Republika t’u hiqet nga duart drejtorëve e të deleguarve e t’i dorëzohet sovranit e përfaqësuesve të tij.

Qeveria të mos presë që korrupsionin ta luftojë vetëm SPAK e GJKKO, por të ndërhyjë me vendosmëri me masa administrative ndaj çdo zyrtari që rezulton me shkelje sidomos financiare nga kontrollet e KLSH apo auditët shtetërore.

Partia të bëhet më kolegjiale në vendimmarrjet përfaqësuese dhe të respektohet në mënyrë institucionale vlerësimi i anëtarësisë së PS për çështjet e rëndësishme politike.

Qasja institucionale të synojë shndërrimin e partisë në një instrument demokratik të pjesëmarrjes së qytetarëve në qeverisje gjatë gjithë periudhës së ushtrimit të mandatit.

Zërat kritikë në çdo rast të ruajnë etikën dhe të sigurojnë vetëpërmbajtje konstruktive në mënyrë që të mos u lënë hapësirë të korruptuarve të mbajnë flamurin e parimit të unitetit.

PS i ka të gjitha energjitë, përvojën dhe mençurinë që të vetëkorrigjohet në çdo aspekt, të ecë përpara në një qeverisje të suksesshme që realizon me meritë integrimin europian të vendit dhe që sfidon një opozitë mjerane prapakthimi në përballjet e ardhshme elektorale.

Te tjera

Lajme te tjera