E premte, 1 Maj, 2026

“Neni Basha” fundos Berishën, gara për kreun e PD drejt gjykatës!

Share

Partia Demokratike pritet të “rropatet” sërish dyerve të gjykatës sa i takon kryetarit.

Për vite të tëra Sali Berisha me Lulzim Bashën dhe ata që ish-kryetari la pas, u përballën dyerve të gjykatës si për vulën ashtu dhe për Statutin. Por pikërisht ai Statut, i cili ju ligjërua Berishës nga gjyqësori, ai statut rrezikon ta fundosë.

Në Kuvendin e vitit 2021, Berisha bëri disa ndryshime statutore dhe futi nenin 46. Në këtë nen thuhet: “Në rast se pas shpalljes së rezultatit të zgjedhjeve të përgjithshme për Kuvendin, Partia nuk rezulton forcë fituese qeverisëse, mandati përfundon menjëherë dhe automatikisht për shkak të Statutit. Në këtë rast, kryetarit që i përfundon mandati, nuk i lejohet kandidimi në zgjedhjet pasardhëse për kryetar partie”.

Por ky nen, do të përdoret nga rivalët e tij, për t’i pamundësuar kandidimin në zgjedhjet e 23 majit për kryetar. Sali Berisha i humbi zgjedhjet e një viti më parë dhe Statuti e përcakton se ai nuk mund të garojë. Për këtë arsye, sot janë dhënë sinjale të qarta se do të ketë ankimim në gjykatë, për t’i pamundësuar atij garimin.

Pasi kandidatura e saj nuk u pranua në garën për drejtimin e partisë, Alesia Balliu ka parlajmërur sot se do vijojë betejën e saj ligjore, për të kundërshtuar procesin zgjedhor brenda partisë.

Ajo tha se po pret afatet, deri në ditën e fundit dhe më pas do ndjekë anën institucionale. Balliu u shpreh se do ndjekë të gjithë hapat për të penguar kandidimin e Sali Berishës.

E rëndësishme sot, është fakti që Sali Berisha do garojë me veten, e ka uzurpuar PD-në dhe po e përdor atë si mburojë atë ndaj drejtësisë. Me Berishën PD nuk fiton dhe me Berishën demokratët kanë çdo derë të mbyllur me ndërkombëtarët. PD nuk ka sesi të ngjallë shpresë për shqiptarët. PD do kthehet si një mburojë për të sulmuar SPAK-un dhe për të mbrojtur Berishën dhe familjen e tij.

Në mungesë të garës dhe të meritokracisë, unë patjetër që do i referohem gjykatës. Po pres afatet, si avokate që jam. Do pres deri në ditën e fundit. Unë po ndjek anën institucionale. Do i drejtohem gjykatës për të penguar garën e Berishës në krye të PD”, tha Balliu në “Real Story”.

Një javë më parë, Alesia Balliu, i është drejtuar Kryesisë së PD me anë të një shkrese, duke kërkuar konstatimin e mbarimit të mandatit të Berishës si kryetar të PDSH, pas humbjes së zgjedhjeve të 11 majit 2025. Në shkresë theksohet se Berisha ushtron pa mandat detyrën e kryetarit të PD, prej 9 shtatorit 2025.

Duke iu referuar parashikimeve të nenit 46, i pagëzuar nga Berisha si neni “Basha”, Balliu thotë se në krye të PD duhet të komandohet Flamur Noka, në detyrën e Kryetarit të Komanduar të PDSH-së deri në zgjedhjen e kryetarit të ri. Por Berisha e ka nëpërkëmbur Statutin dhe beteja do të shkojë në gjykatë. 

Te tjera

Lajme te tjera