E diel, 26 Prill, 2026

Të shtënat në darkën me gazetarët, Trump: Autori kishte armë të ndryshme, synonte të vriste! Puna ime është e rrezikshme! 

Share

Të shtëna me armë, panik dhe rrëmujë. Ajo që duhet të kishte qenë një festë me përfaqësuesit e medias ku për herë të parë merrte pjesë dhe presidenti Donald Trump, u shndërrua në një makth.

Një person, i identifikuar si Cole Thomas Allen, hapi zjarr në hollin e hotelit Hilton në Uashington, D.C., ku po mbahej darka për korrespondentët e Shtëpisë së Bardhë. Presidenti amerikan, së bashku me gruan e tij Melania, u evakuuan shpejt në një vend të sigurt, e po ashtu dhe zëvendëspresidenti J.D. Vance.

Agresori, një 31-vjeçar nga Kalifornia, u neutralizua nga forcat e rendit. Sipas CBS News, ai deklaroi se synonte të qëllonte “zyrtarët qeveritarë”. Një roje sigurie u plagos lehtë gjatë të shtënave, por e mbrojti jeleku i sigurisë. Ai u trajtua në spital dhe doli më pas.

Të ftuarit u fshehën poshtë tavolinave, ndërsa vetëm pak më pas, Trump postoi në Truth Social se autori i të shtënave ishte “kapur”.

“Kam rekomanduar që ‘ta vazhdojmë shfaqjen’, por do të udhëhiqem plotësisht nga forcat e rendit. Pavarësisht këtij vendimi, mbrëmja do të jetë shumë ndryshe nga sa ishte planifikuar dhe thjesht do të na duhet ta bëjmë përsëri”, shkroi ai, ndërsa më vonë u tha se do të planifikohej sërish pas 30 ditësh.

Në fillim ai nuk ishte i sigurt nëse zhurma ishte një tabaka që ra apo një plumb, tha presidenti.

“Shpresoja që të ishte një tabaka, por nuk ishte.”

Trump krahasoi rreziqet e profesionit të presidentit me profesione të tjera, përfshirë garat me makina dhe ndeshjet me dem, duke vënë në dukje se rreth 5.8% e presidentëve amerikanë janë qëlluar.

“Vështirë të përfytyrosh profesione më të rrezikshme”, tha ai, duke shtuar se të qenit drejtues do të thotë se duhet “të marrësh rreziqe”.

Ai u pyet se si ky incident do të ndikojë tek ai si lider.

“Preferoj të mos mendoj për këtë,” u përgjigj ai. “Unë bëj një jetë mjaft normale duke marrë parasysh gjithçka, është një jetë e rrezikshme. Mendoj se e menaxhoj sa më mirë që mund të menaxhohet.”

Presidenti shtoi se edhe Zonja e Parë e kupton rrezikun e këtij posti dhe se është e rrezikshme edhe për të. Më herët, Trump tha se ngjarja ishte traumatike për Melanian.

Trump e përshkroi autorin si ujk të vetmuar dhe se qëllimi i tij ishte “të vriste.” Autorit iu gjetën armë zjarri dhe thika.

Te tjera

Lajme te tjera