Kryetari i Partisë Demokratike, Prof. Dr. Sali Berisha, gjatë bashkëbisedimi të përjavshëm në rrjetet sociale me qytetarët, iu drejtua qeverisë Rama, duke e cilësuar një regjim autoritar të lidhur me korrupsionin dhe krimin e organizuar.
Në fjalën e tij, Berisha u ndal fillimisht te situata ekonomike në vend, duke akuzuar qeverinë se nuk ka marrë masa për lehtësimin e barrës së qytetarëve në kushtet e rritjes së çmimeve. Ai tha se rritja e të ardhurave nga TVSH-ja po vjen në kurriz të qytetarëve, ndërsa fermerët dhe shtresat në nevojë po përballen me mungesë mbështetjeje shtetërore. Berisha ngriti gjithashtu akuza për abuzim me fondet publike dhe tenderat, duke veçuar institucionin e AKSHI-t si një nga qendrat kryesore të shpërdorimit të parave publike.
Në aspektin politik, lideri demokrat e përshkroi situatën në vend si mungesë të pluralizmit real, duke akuzuar qeverinë për presion ndaj opozitës dhe përdorim të institucioneve të drejtësisë në funksion politik. Ai tha se hetimet dhe arrestimet ndaj figurave të opozitës në periudha zgjedhore kanë për qëllim ndikimin e rezultateve të votimeve. Berisha ngriti gjithashtu akuza për ndikim të grupeve kriminale në procesin zgjedhor, duke përmendur qytete si Durrësi, Elbasani dhe Vlora, të cilat kanë qenë të ekspozuara ndaj këtij fenomeni. Ai iu referua edhe deklaratave të disa përfaqësuesve ndërkombëtarë për të mbështetur qëndrimet e tij mbi situatën politike në vend.
Gjatë bashkëbisedimit, Kryetari i PD, u përgjigj edhe pyetjeve mbi situatën brenda Partisë Demokratike, duke deklaruar se partia është në proces riorganizimi dhe hapjeje, por theksoi se drejtimi i saj nuk do të diktohet nga kryeministri Rama apo faktorë të tjerë jashtë saj. Berisha hodhi poshtë zërat për marrëveshje politike mes tij dhe kryeministrit, duke i cilësuar ato si pjesë e propagandës mediatike. Ai tha se qëllimi i këtyre është “zbardhja e figurës së Ramës në kurriz të tij” dhe krijimi i një perceptimi të rremë mbi opozitën.
Në përmbyllje të fjalës së tij, Berisha i bëri thirrje qytetarëve të marrin pjesë në protestën e paralajmëruar për 8 maj, një “protestë e madhe kombëtare” kundër qeverisë. Lideri opozitar theksoi se ajo synon mbrojtjen e votës së lirë, kundërshtimin e korrupsionit dhe “rrëzimin e një pushteti të lidhur me krimin dhe varfërimin e qytetarëve”. Ai u shpreh se protesta nuk është vetëm e Partisë Demokratike, por e të gjithë qytetarëve që ndihen të pakënaqur me gjendjen aktuale në vend.
